Mukabeleja e Ramazanit

Edhe ata që kanë qëndruar larg Kuranit përgjatë një viti të tërë, në klimën ndriçuese të Kuranit kanë mundësi të pijnë me etje të madhe prej burimit të Fjalës hyjnore. Një nga rrugët më të rëndësishme të realizimit të kësaj janë edhe mukabele-të që realizohen kudo përgjatë këtij muaji, që është edhe muaji i faljes.

Xhebraili (alejhis’selam) zbriste çdo vit, në çdo ditë të muajit të Ramazanit – sipas një transmetimi tjetër, çdo natë të muajit të Ramazanit – pranë të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), për të parë që Kurani ruhet i pandryshuar, ashtu siç është zbritur nga Allahu dhe suret janë të organizuara në mënyrën e duhur; i Dërguari Fisnik (alejhi ekmelut’tehaja) ia këndonte Xhebrailit ajetet një e nga një, ndërsa Xhebraili i nderuar ia dëgjonte këndimin me kujdes.

Dhe ja, këndimi (leximi) i ndërsjellë në këtë mënyrë i Kuranit Fisnik mes Krenarisë së Njerëzimit dhe Xhebrailit të Besuar është quajtur mukabele. Për këtë arsye besimtarët e kanë kthyer tashmë në një traditë mbledhjen përgjatë Ramazanit nëpër xhami ose shtëpi, për ta lexuar Kuranin me mukabele, por edhe për të bërë hatme të tij, edhe në shenjë respekti ndaj atij kujtimi të shenjtë, edhe meqë Kurani është zbritur pikërisht në muajin e Ramazanit dhe veçanërisht, meqë ekziston sihariqi se leximi pikërisht gjatë këtij muaji do të shpërblehet shumëfish herë.

Të parët tanë të mirë, leximin e Kuranit të plotë, të paktën njëherë në muaj, e kanë konsideruar si kufirin më të ulët të respektit dhe besnikërisë ndaj tij, duke theksuar se kush nuk e lexon atë të plotë, të paktën njëherë në muaj, do të konsiderohet jo si besnik ndaj tij dhe se e ka braktisur atë. Në këtë këndvështrim ne duhet t’i vlerësojmë më së miri ditët e Ramazanit dhe ta mësojmë veten që ta lexojmë Kuranin të paktën njëherë në muaj, dhe të jetë ky një fillim i ri për ne, që të jemi edhe në vazhdim besnikë ndaj fjalës hyjnore.

Në fakt, edhe ata që nuk e dinë duhet të jenë përherë në kërkim të mësimit dhe kuptimit të tij, ndërsa ata që dinë ta përqendrojnë të gjithë forcën te përthithja dhe mësimi i thellë i tij, na mënyrë që të dinë ta shprehin atë më mirë dhe ta bëjnë më të përhapur, si leximin, ashtu edhe kuptimet e tij. Sepse ai është dhurata më e madhe që mëshira hyjnore u ka bërë mendjes dhe aftësisë njohëse të njeriut, që ai të kuptohet dhe t’u mësohet edhe të tjerëve. Të mësosh ta lexosh atë, por edhe ta kuptosh pasi të kesh mësuar ta lexosh, janë, edhe detyrë, edhe njohje e vlerave të tij; kurse t’ua shpjegosh atë edhe të tjerëve është një tregues i respektit dhe mirënjohjes edhe ndaj zemrave që kanë nevojë për dritën e tij.

Për rrjedhojë, nëse nuk dimë të lexojmë Kuran, ta bëjmë Ramazanin e bekuar arsye dhe të vihemi në kërkim të rrugëve për mësimin e tij. Nëse arrijmë që ta lexojmë fjalën hyjnore, por nuk e kuptojmë dot atë, atëherë t’u drejtohemi kuptimit të ajeteve në gjuhën tonë dhe interpretimeve të tyre, ose diçka që është edhe më e bukur, të lexojmë një libër të mirë tefsiri. Vetëm kështu do të mund ta trajtojmë këtë muaj si muaj i Kuranit. Për shembull, pas leximit të një faqeje Kuran, mund të ndalemi te kuptimi i ajeteve në atë faqe. Këtë është e mundur që ta bësh lehtësisht edhe duke e ndarë nëpër orë të ndryshme të ditës. Bie fjala, një xhuz i Kuranit mund të lexohet i ndarë në tri pjesë, një në drekë, një në ikindi dhe një gjatë teravive. Po, të paktën të përpiqemi t’i japim sadopak nga vlera e merituar në këtë formë. Çfarë kërkon Allahu prej nesh në Kuranin Fisnik? Cilat janë synimet e Tij të patëmeta? Ne duhet t’i drejtohemi Kuranit me gjithë zemër, për t’i parë ato, t’i hapim gjer në fund portat e zemrës ndaj fjalës së Allahut dhe të bëjmë një përpjekje të denjë për bekimin e Ramazanit, për të kuptuar “se cilat janë ato që e bëjnë Allahun të jetë i kënaqur me ne, në fjalën e Tij”.

Postime të ngashme