Surja Humeze-104

Surja Humeze

بسم الله الرحمن الرحيم

  1. وَيْلٌ لِّكُلِّ هُمَزَةٍ لُّمَزَةٍ
  2. الَّذِي جَمَعَ مَالا وَعَدَّدَهُ
  3. يَحْسَبُ أَنَّ مَالَهُ أَخْلَدَهُ
  4. كَلاَّ لَيُنبَذَنَّ فِي الْحُطَمَةِ
  5. وَمَا أَدْرَاكَ مَا الْحُطَمَةُ
  6. نَارُ اللَّهِ الْمُوقَدَةُ
  7. الَّتِي تَطَّلِعُ عَلَى الأَفْئِدَةِ
  8. إِنَّهَا عَلَيْهِم مُّؤْصَدَةٌ
  9. فِي عَمَدٍ مُّمَدَّدَةٍ

Shqipërimi

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit

  1. Mjerë për secilin që ofendon e përqesh (njerëzit), 
  2. Që ka grumbulluar pasuri dhe që e ruan të mos i pakësohet. 
  3. E mendon se pasuria e tij do ta bëjë të përjetshëm. 
  4. Jo, të mos mendojë ashtu! Se ai patjetër do të hidhet në Hutame. 
  5. E çka din ti se ç’është Hutame? 
  6. Është zjarri i Allahut i ndezur fort. 
  7. Që depërton deri në zemër. 
  8. Ai ua mbyll atyre të gjitha dyert. 
  9. Ata janë të lidhur në shtylla të gjata flakëruese.

 

Surja Humeze e zbritur në Meke, ka 9 ajete. Emrin e ka marrë nga ajeti i parë. Në këtë sure përshkruhet sjellja e neveritshme e atyre që përgojojnë njerëzit, tallen me ta dhe i fyejnë duke bërë shenja me sy e vetull. Po ashtu, përshkruhet xhehenemi (ferri) i tmerrshëm që i pret këta njerëz në botën tjetër.

 

Interpretimi (Tefsir)

                                                                  وَيْلٌ لِّكُلِّ هُمَزَةٍ لُّمَزَةٍ

  1. Mjerë për secilin që ofendon e përqesh (njerëzit), 

Mjerë ata, përgojuesit të cilët e kanë bërë ves që të tallen e ofendojnë të tjerët, qoftë me duar apo me gojë, janë të dënuar të vuajnë në humnerën e xhehenemit, në luginën e mjerimit dhe të shkatërrohen nga dëshpërimi.

Edhe “Lumezeh” është e njëjtë si “Humezeh”. Vjen nga fjala “Lemz”, që ka kuptimin e fyerjes pas shpine sikur ngul ndonjë shtizë, apo të turpërosh dhe duke bërë me shenja apo me sy, t’ia tregosh një person tjetrit në mënyrë tallëse e nënçmuese. Po ashtu, edhe “Humeze” ka kuptimin e atij që e ka bërë ves të argëtohet duke i mveshur të tjerëve mangësi dhe që i turpëron vazhdimisht të gjithë. Përdoret me të njëjtin kuptim me “lumeze” dhe me kuptim të ndryshëm.

Sipas Ebu Ebejdes, humeze dhe lumeze kanë të njëjtin kuptim, përgojues.

Shkaku i zbritjes

Sipas transmetimit të Ibn Abbasit: Shkaku i zbritjes së kësaj sureje është një person që adhuronte statujat, dhe që tallej dhe i injoronte njerëzit.[1]

Por siç thonë edhe komentuesit e tjerë të Kuranit, kuptimi i këtij ajeti nuk është vetëm për këtë person por për të gjitha ata që sillen në këtë formë. Kështu, ajeti ka vendosur principin e mos nënvlerësimit dhe mos turpërimit të të tjerëve, që është baza e respektimit të të  drejtave të njeriut.

Fenomeni që i shtyn njerëzit të prishin marrëdhëniet mes tyre dhe të turpërojnë të tjerët është ky;

 

                                               الَّذِي جَمَعَ مَالا وَعَدَّدَهُ

  1. Që ka grumbulluar pasuri dhe që e ruan të mos i pakësohet. 

Ka mbledhur pasuri dhe merret vazhdimisht me numërim e saj. Gjithë preokupimi i tij është numërimi e shtimi i pasurisë, dhe beson vetëm në të. Numërimi i pasurisë tregon sa dorështrënguar është ai si dhe, që është person që adhuron materialen. Ose njerëzit përreth duhet të shohin vetëm atë e të ndihen krenar me të, dhe kështu bën që grupi i humeze lumese që i kanë sytë vetëm nga pasuria e që merren vetëm me ngatërrim e njerëzve, të mblidhen rreth tij, dhe kështu, ai të bëhet i njohur mes tyre dhe të jetë udhëheqësi i tyre. Këta përse sillen kështu? Sepse:

 

يَحْسَبُ أَنَّ مَالَهُ أَخْلَدَهُ   

  1. E mendon se pasuria e tij do ta bëjë të përjetshëm. 

Të gjitha shpresat e tij janë të lidhura me idenë se, pasuria e tij do ta bëje atë të përjetshëm.

Si përmbledhje, në këto ajete qortohen rëndë atë njerëz që ofendojnë e tallen me të tjerët, përzihen në punët e çdokujt, çdo pune i gjejnë një bisht, grumbullojnë pasuri e vazhdimisht merren me numërimin e saj, pra përpiqen mos ta pakësojnë por vetëm ta shtojnë, e sa më tepër ta shtojnë akoma më shumë iu shtohet oreksi për më tepër, dhe që nuk shpenzojnë asnjë qindarkë në rrugë të drejtë.

Ajeti në vijim, na informon se pasuria nuk do ta bëjë atë njeri të përjetshëm, por herët a vonë ai do të vdesë e do të hidhet në Hutame:

 

                                         كَلاَّ لَيُنبَذَنَّ فِي الْحُطَمَةِ

  1. Jo, të mos mendojë ashtu! Se ai patjetër do të hidhet në Hutame. 

Jo, situata nuk është ashtu si mendon ai. Ajo që do ta shpëtojë njeriun dhe do ta dërgojë në përjetësi nuk është pasuria, por ashtu si u fol në suren paraardhëse është besimi në Allah, dija dhe veprat e mira.

Pra, pasha Allahun se, ata që i besojnë pasurisë e merren me numërimin e saj, i ofendojnë njerëzit duke u tallur me ta, luajnë me të drejtat dhe nderin e të gjithëve, ata përgojuesit (humeze dhe lumeze) mburravec do të flaken në mënyre poshtëruese dhe të mjerë (në gropën e xhehenemit). Sepse fjala “nebedh” në arabisht ka kuptimin e flakjes, hedhjes së diçkaje duke e nënvlerësuar dhe poshtëruar.[2] Ai që e shikon veten si të madh në këtë botë për shkak të pasurisë së tij, ditën e gjykimit do të hidhet në xhehenem i poshtëruar. “Patjetër do të hidhet në Hutame”, pra në xhehenem.

الْحُطَمَة “Hutame”,

e ka prejardhjen nga fjala “hatm” që do të thotë ta thyesh dhe ta kalosh. Pra, Hutame ka një veti thyese, pra me kuptimin thyes e kalues. Natyra e zjarrit të ndezur fort është që t’i thyej e t’i shkatërrojë çka i del përpara e t’i kaloj, me një shprehje tjetër t’i përpijë e t’i gllabërojë. Me këtë kuptim i është thënë xhehenemit hutame, zjarr që i përpin çka t’i dalë përpara ose i thyen e i kalon.

Këtu ka dhe një nuancë tjetër që, xhehenemit t’i thuhet hutame. Diatiza (uezn) e fjalës Hutame është e përshtatshme me diatizën e fjalëve humeze dhe lumeze. Humeze, lumeze, njeri që me fjalët e veprat e tij i thyen personalitet e të tjerëve, i lëndojnë ndjenjat e nderet e tyre, njeri shkatërrues. Pra, dënim i përshtatshëm për sjelljet e tyre është hedhja në hutamen shkatërruese, që i thyen copa-copa ata që bien në të e i shkatërron.

Por, për të treguar tmerrin e këtij zjarri që nuk ngjason me asnjë zjarr tjetër thotë:

 

 وَمَا أَدْرَاكَ مَا الْحُطَمَةُ       

  1. E çka din ti se ç’është Hutame? 

Ose “Sa e frikshme që është Hutame!”

 

                               نَارُ اللَّهِ الْمُوقَدَةُ          

  1. Është zjarri i Allahut i ndezur fort. 

نَارُ “Nerr” (zjarr), shprehja zjarri i Allahut (xh.sh), është për të treguar madhështinë dhe frikën siç themi edhe në gjuhën e përditshme “dënimi i Allahut”, tregimi veçanërisht i zemërimit  dhe madhështisë së Allahut të Lartë, shpreh frikën dhe tmerrin e këtij zjarri të ndezur fort. Pra, është aq i madh e fuqishëm sa që nuk mund të krahasohet me zjarrin që e njohim të gjithë.

 الْمُوقَدَةُ  el-Mukadeh, i ndezur me urdhrin e Allahut (xh.sh). Që do të jetë i ndezur deri në pafundësi, nuk do të fiket asnjëherë. Por, për të treguar që ky zjarr nuk është i ngjashëm me zjarrin normal dhe nuk është zjarr që djeg vetëm pjesën materiale por edhe atë shpirtërore, prej trupit në shpirt e deri në zemër, është përshkruar kështu:

 

                           الَّتِي تَطَّلِعُ عَلَى الأَفْئِدَةِ

  1. Që depërton deri në zemër. 

Një zjarr i ndezur aq fort sa që depërton deri në brendësi të zemrës, e cila quhet fued, pra arrin deri në zemër që është vendi i perceptimit. Depërton prej lëkurës në brendësi, në thellësinë e shpirtit dhe e djeg shpirtin.

Në Kuranin Fisnik nuk thuhet në asnjë vend tjetër veç kësaj sureje “zjarri i Allahut”. Vetëm këtu zjarri është përshkruar si diçka që i përket Allahut. Arsyeja e kësaj nuk është vetëm për të treguar tmerrin e zjarrit, por në të njëjtën kohë për të treguar se sa të urryer janë të Allahu ata që mburren në këtë botë me pasurinë e tyre. Për këtë arsye Allahu (xh.sh) specifikisht këtë zjarr e ka treguar si diçka të Tij. Njerëzit për të cilët bëhet fjalë do të hidhen në këtë zjarr.

Emërtimit të Hutame’s si zjarr që do të djegë “zemrat” ka edhe një nuancë të dytë: Zemra është pjesa më delikate e trupit, njeriu e ndjen dhimbjen më të madhe aty. Në zemër ndjehet edhe dhimbja më e vogël. Po ashtu, zemra është edhe vendi i mendimeve. Zemra që mbart qëllime të liga, mendime të liga, besime boshe dhe pa vlerë, do të digjet nga zjarri i formuar prej këtyre mendimeve që mbart.

 

                                 إِنَّهَا عَلَيْهِم مُّؤْصَدَةٌ

  1. Ai ua mbyll atyre të gjitha dyert. 

Padyshim që, dyert e atij burgu zjarri që dhimbja e tij djeg zemrat do të mbyllen sipër tyre (grupit të humeze lumeze).[3] Që dyert të mos hapen më, do të vendosen shtylla të mëdha mbrapa tyre dhe me to do të mbyllen përgjithmonë.

                                      فِي عَمَدٍ مُّمَدَّدَةٍ

  1. Ata janë të lidhur në shtylla të gjata flakëruese.

Në shtylla të larta, të zgjatura ose mbajtëse (dajak druri) të larta. Kur të mbyllen dyert e zjarrit, që të mos hapen nga presioni do t’i vendosen nga mbrapa shtylla e dajak të lartë, dhe më pas do të mbyllen në atë formë. Këtu kemi një përfytyrim si të një furre që e mbush mirë me dru dhe më pas e mbyll derën duke i vendosur diçka mbrapa që të nxehet sa më shumë. Përshkruhen dhe sqarohen vuajtjet e atyre që do jenë brenda në burg pa pasur mundësi të lëvizin, pasi dera të jetë siguruar me shtylla të gjata që s’mund të lëvizen.

Sipas disa dijetarëve, pasi të mbyllen dyert e Xhehenemit do t’i lidhen duart dhe këmbët me zinxhir. Pasi të mbyllen dyert, nuk do tu mbesë më shpresë për të dalë prej aty. Shprehja “shtylla të gjata” tregon faktin se do jenë përjetësisht aty.

Sipas Meududi’t ky ajet ka disa kuptime:

E para, dyert e xhehenemit do të mbyllen dhe sipër tyre do të vendosen shtylla të larta. E dyta, këta kriminelë do të lidhen në shtylla të gjata flakëruese. E treta, është kuptimi që ka shpjeguar Ibn Abbas’i që, zjarri do të lartësohet në formë shtyllash të larta.

Në fakt, këtu të formohet ideja e një burgu të tmerrshëm që janë mësuar njerëzit në këtë botë. Por, ky burg do të jetë i mbushur me zjarr brenda tij. Ashtu si u mbyllet burgu të burgosurve, po ashtu do të mbyllet burgu Hutame dhe mbrapa dyerve do të vendosen shtylla të larta. Qëllimi i këtij përshkrimi është që njerëzit të frikëson e të largohen nga veprat që i çojnë në këtë situatë. Allahu e di më së miri.


[1] Taberi, XV, 293.
[2] لَيُنبَذَنَّ Lejunbedhenne, betohen se do të hidhen. Lam në fillim është për betim. Ndërsa, nun në fund të fjalës është për përforcim.
[3] مُّؤْصَدَةٌ Mu’sadeh, ka kuptimin e mbyllur, e kyçur.

Postime të ngashme