Surja Asr-103

Interpretimi i sures Asr

 

                                 بسم الله الرحمن الرحيم

  1. وَالْعَصْرِ
  2. إِنَّ الإِنسَانَ لَفِي خُسْرٍ
  3. إِلاَّ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ

 

Shqipërimi

Me emrin e Allahu, Mëshiruesit, Mëshirëplotit

  1. Pasha kohën! 
  2. Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt.  
  3. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.

Surja Asr e zbritur në Meke ka tre ajete.

Kjo sure fisnike bashkë me qenien e saj të thjeshtë e të shkurtër, përmbledh në kuptimin e saj të gjitha këshillat e sureve të mëparshme. Në sure theksohet se, të gjithë njerëzit janë humbje përveç atyre që besuan e bënë vepra të mira, e porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe e këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm. Transmetohet që, Imam Shafi’u të ketë thënë: “Nëse nuk do të kishte zbritur asnjë sure tjetër përveç kësaj sureje shumë të shkurtër, kjo sure do të mjaftonte për të siguruar lumturinë e njerëzve në këtë botë e në ahiret (jetën e pasme). Kjo sure i përmbledh të gjitha mësimet e Kuranit”.

 

Interpretimi (Tefsir)

                                                                                   وَالْعَصْرِ

  1. Pasha kohën! 

Fjala “asr” ka kuptimin leksikor të kohës, kohës në të cilën jetojmë ose shekull. Interpretuesit e Kuranit më tepër kanë qëndruar mbi këto kuptime: Namazi i i ikindisë, koha e ikindisë, periudhë kohore ose shekull, shekulli i Muhamedit alejhi selam, pra, koha në të cilën u dërgua Profeti Muhamed (s.a.s), si dhe koha e fundit (ahir zaman).

Ibn Xherir pasi përmend transmetimet rreth kohës, që është një orë në kohën e drekës apo kuptimet rreth ikindisë thotë: Mendimi i drejtë në këtë çështje është ky: Allahu i Lartë betohet për “asrin” kohën. Asr është emri i kohës, i ikindisë, i ditës dhe i natës. Allahu (xh.sh) nuk e ka treguar qartë se për cilat nga kuptimet që përmban fjala “asr” është betuar. Për rrjedhojë, çdo kuptim që mund të përmbajë kjo fjalë përfshihet në betim.

Allahu i Lartë ashtu si është betuar për “duhan” paraditen, është betuar edhe për “asr” ikindinë. Duha është fillimi i ditës, ndërsa asr ndodhet në pjesën e fundit të ditës. Kjo na tregon që, jeta e njerëzimit është drejt fundit të saj. Sepse, ashtu siç shprehet në suren Kasas “Ne, me të vërtetë, ia kemi dhënë Musait Librin pasi i kemi shkatërruar popujt e lashtë” (Kasas, 43), jeta njerëzore në Kuran është e ndarë në tre faza:

  1. Periudha kohore para zbritjes së Teuratit Musait (a.s), pra periudha që mbyllet me shkatërrimin e Faraonit, “shekujt e hershëm“.
  2. Periudha kohore që fillon me zbritjen e Teuratit deri në kohën e Profetit të fundit (s.a.s), “shekujt e mesëm”.
  3. Dhe shekujt e fundit që fillojnë me ardhjen e Profetit Muhamed (alejhi selam) quhen “ahir zaman”. Kur themi “asr” kuptohet që kemi të bëjmë me shekullin e Profetit Muhamed (s.a.s) dhe umetit të Tij.

Përfundimi i diskutimeve të interpretuesve të Kuranit është si në vijim:

O Muhamed (s.a.s)! Pasha kohën (asr) me të gjitha kuptimet e saj dhe veçanërisht periudhën kohore që është përmbledhje e të gjithë kohës së kaluar me të gjitha ngjarjet e saj të mëdha, shekullin e fundit që është ikindia e gjithë historisë, pra, pasha “ahir zamanin” kohën e fundit që është periudha Jote;

 

                                                                              إِنَّ الإِنسَانَ لَفِي خُسْرٍ

  1. Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt.  

Pra të gjithë njerëzit, i gjithë njerëzimi, të gjithë popujt, në çdo shekull dhe veçanërisht në periudhën e fundit të historisë njerëzore janë në humbje, përveç atyre që do të përmenden në ajetin në vijim.[1] Sepse, kapitali i njeriut është jeta e tij, ndërsa ai në çdo frymëmarrje, në çdo orë që kalon ai shpenzon kapitali e tij dhe, afrohet më shumë drejt fundit të mirësisë dhe afrohet dhënies llogari. Nëse frymëmarrja do të ishte pronë e njeriut që mund ta shpenzojë si të dojë e kur të dojë, nëse do të ishte diçka që e ka shpikur ai vetë, jeta nuk do të kishte fund dhe njeriu nuk do të kishte asnjë dëm në shpenzimin e saj si të dëshirojë. Por, ajo është pronë e Allahut (xh.sh) që i është dhënë njeriut si amanet që ta përdori në formën më të bukur ashtu siç e kërkon Krijuesi. I gjithë përfitimi i njeriut është i lidhur me fitimin që do të ketë në fund nga shpenzimi dhe tregtia e kryer.

 

                                             إِلاَّ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ

  1. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.

Ata që posedojnë këto katër cilësi nuk janë humbje, por janë në fitim:

  1. آمَنُوا, ata që besuan. Ata që i besojnë Zotit të botëve, gjykuesit të Ditës së Gjykimit, njëshmërisë së Tij dhe i besojnë librave që ka zbritur Allahu. I kanë dhënë fjalën Atij që do ta adhurojnë dhe do t’i binden Atij me sinqeritet.
  2. وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ Dhe ata që kryen vepra të mira me besimin e tyre. Pra, besimi i tyre nuk mbeti vetëm në zemrat dhe gjuhët e tyre, por u reflektua edhe në punët e tyre. Punët i kryejnë në përshtatje me besimin e tyre, i kryejnë për kënaqësinë e Allahut (xh.sh) në përshtatje me urdhrat e zbritura nga Ai, kanë punuar vetëm për mirë, kanë kryer vetëm vepra të dobishme për familjen, të afërmit, popullin e tyre e për gjithë njerëzimin. Kanë kryer punët për të cilat janë urdhëruar dhe kanë qëndruar larg gjërave të ndaluar.

Sipas Kuranit çdo punë e mirë që nuk a ka bazën në besim, nuk quhet punë e mirë. Për këtë arsye, në Kuran kudo që është përmendur puna e mirë është përmendur edhe besimi, vepra e mirë është përmendur gjithmonë pas besimit. Në asnjë vend të Kuranit nuk është përmendur puna pa besim. Po ashtu, në asnjë vend nuk i është dhënë shpresë shpërblimit të punës së mirë pa besim. Nga ana tjetër, është thënë që besimi i dobishëm dhe me vlerë është besimi i vërtetuar me punë. Sepse, besimtari pa punë të mira, edhe se pretendon që beson, ndjek rrugë tjetër veç asaj që ka treguar Allahu (xh.sh) dhe i Dërguari i Tij (s.a.s).

Puna e mira është dy llojesh:

E para: Adhurimet që kanë të bëjnë me trupin, që kanë dobi posaçërisht për vetë mukelefin (personin përgjegjës).

E dyta: Punët prej të cilave përfitojnë edhe të tjerët si zekati dhe lëmosha. Më e rëndësishmja e këtyre është përpjekja dhe mundi i harxhuar për t’i ftuar njerëzit në rrugë të drejtë. Për këtë arsye, veç forcimit të imanit me punë të dobishme, përpjekja për të shpëtuar të tjerët, ftesa në të Vërtetin, këshillimi i njëri-tjetrit për punë të mira, veçanërisht theksohet në vazhdim të ajetit:

  1. وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ”që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës”.

Pra, e gjithë përpjekja e tyre  drejtohet nga i Vërteti; besimin, punët, fjalët, të gjitha i shpenzojnë për të Vërtetin. I këshillojnë njëri-tjetrit të Vërtetin, në çdo punë përpiqen të bëjnë më të drejtën, takohen së bashku për Allahun (xh.sh), pra, urdhërojnë për mirë (emr-i bi’l-maruf) dhe ndalojnë të keqen (nehj-i ani’l munker). Shkurtimisht, këshillojnë që çdo lëvizje të jetë e drejtë dhe për Allahun (xh.sh), besimin, punët dhe të gjitha gjërat i kryejnë vetëm për Allahun (xh.sh).

Dy cilësitë e përmendura më sipër duhet që t’i posedojë çdo person. Por, për të shpëtuar nga humbja ka edhe dy cilësi të tjera. Këto dy cilësi, pas besimit dhe kryerjes së veprave të mira, janë porositja njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe këshillimi i njëri-tjetrin që të jenë të durueshëm. Kuptimi i kësaj, së pari është që, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, kur e kryejnë këtë personalisht nuk duhet të mjaftohen me kaq, në të njëjtën kohë duhet të përpiqen të formojnë një shoqëri besimtare dhe të drejtë. E dyta, që kjo shoqëri të ruhet nga shthurja çdo person duhet ta dijë përgjegjësinë që i takon. Për këtë arsye, çdonjëri duhet t’i këshillojë njëri-tjetrit të drejtën dhe durimin.

Fjala “hak” e vërteta është e kundërta e fjalës “batil” e shtrembër. Zakonisht përdoret me këto dy kuptime: E para, fjalë e përshtatshme me drejtësinë dhe të vërtetën. E dyta, e vërteta që duhet sjellë në vend. Kuptimi i këshillimit të së vërtetës, në një popull që përbëhet nga besimtarët, të jesh aq i ndjeshëm sa të mos qëndrosh vetëm vrojtues në një situatë kur e shtrembra shtrihet më shumë se e drejta. Çdo person në shoqëri nuk duhet të mjaftohet me të vërtetën dhe të drejtën e tij, në të njëjtën kohë ai duhet t’ia këshillojë këtë edhe të tjerëve. Vetëm kështu është e mundur që një shoqëri të ruhet nga shtrembërimi e shkatërrimi. Nëse në shoqëri nuk ekziston një frymë e tillë, shoqëria nuk mund të shpëtojë nga humbja. Ata që janë të drejtë e të vërtetë për veten e tyre, nëse nuk përpiqen që shoqëria të mos shkatërrohet, nuk mund të vazhdojnë të jenë të drejtë dhe nuk mund të shpëtojnë nga humbja. Për këtë arsye, Beni Israil (pasardhësit e Jakubit a.s) u mallkuan me gjuhën e Davudit (a.s) dhe Isait (a.s), surja Maide, 78-79. Po ashtu, në suren Araf flitet për shkeljen e ndalesës së ditës së shtunë që Beni Israilët të mos gjuanin peshk, për këtë arsye zbriti dënimi prej të cilit shpëtuan vetëm ata që përpiqeshin të ftonin në rrugë të drejtë.

  1. وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm”. Pra, e kanë këshilluar njëri- tjetrin që të jenë të durueshëm e të qëndrueshëm në rrugën e drejtë.

Bashkë me këshillimin në rrugë të drejtë, duhet edhe këshillimi për të qenë i durueshëm në këtë rrugë që të shpëtojnë besimtarët dhe të gjithë anëtarët e shoqërisë. Pra, duhet t’i këshillojnë durimin njëri-tjetrit përballë çdo vështirësie që mund të përballën në këtë rrugë, përballë fatkeqësive dhe dëmeve të ndryshme.

Pa e mohuar ndikimin e karakterit të lindur në gradën e durimit, së bashku me të, një rol të rëndësishëm luajnë edhe edukimi, praktika dhe besimi. Kështu që, durimi bën pjesë mes punëve që janë urdhëruar personat përgjegjës “ef’ali mukel’lefin“: “O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgatitur dhe, që të shpëtoni, ruajuni dënimit të Allahut.”(Surja Ali Imran, 200) Sepse, “me vërtet Allahu është me durimtarët.”(Surja Bekare, 153) dhe “të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!”(Surja Zumer, 10) Në një hadith thuhet: “Durimi është çelësi i shpëtimit”[2].

Ajo çka shprehet në ajete dhe hadithe, durimi i cili lavdërohet dhe këshillohet është durimi që tregohet në rrugën e drejtë me besim dhe punë të mira, i cili është simbol i trimërisë, drejtësisë dhe heroizmit. Përndryshe, durim nuk do të thotë që të durosh përballë çdo ligësie, të zhytesh në baltovinën e mjerimit e të mos përpiqesh të dalësh prej saj, nuk ka kuptim të zhytesh në të keqe dhe ty jesh i kënaqur me të keqen, e as ty jesh i pandjeshëm ndaj çdo lloj poshtërsie dhe mjerimi. Sepse, të tregosh një grimcë kënaqësi ndaj të keqes, është kënaqësi ndaj mohimit.

Pra, këto katër grupe, ata që besojnë e bëjnë vepra të mira, që i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e durimin nuk do jenë në humbje, do jenë të fituar. Të katërta këto janë tregues të besimit të plotë tek Allahu (xh.sh). Është e qartë se ata që nuk besojnë nuk do të shpëtojnë. Ndërsa, ky ajet na tregon se bashkë me besimin ata që kryejnë vepra të mira dhe i këshillojnë njëri-tjetrit të drejtën dhe durimin, do të veçohen prej disa humbjesh. Kjo tregon që, mendimi i ekolit Merxhie, i cili pretendon se besimi pa vepra është i mjaftueshëm, nuk është i saktë. Mendimi i saktë është ai i Ehl-i Sunetit, i cili thotë se besimi pa vepra të mira sjell me vete humbje të mëdha. Sepse, edhe besimtarët gjynahqar do të shkojnë në xhehenem për një kohë të caktuar. Besimi, edhe se do t’i shpëtojë ata në fund, besimtarët që do t’i kenë gjynahet më të shumta se sevapet (të mirat) do të shkojnë në xhehenem derisa të pastrohen prej gjynaheve. Allahu na ruajt prej dënimit të zjarrit.

[1] خُسْر Husr, husrran; është si kufr dhe kufran, pra, në vend ku mund të fitonte humbet, humbet kapitalin, rënia në pesimizëm nga falimentimi. “Tenvini” në fund të fjalës husr është për të treguar madhështinë e humbje, se sa humbje e madhe është.

[2] Dejlemi, Firdeus, III, 415; Keshful Hafa, I, 27 (1590).

Postime të ngashme