Njeriu, mëkëmbës i Zotit në Tokë
Historia e krijimit njerëzor fillloi kur Allahu i tregoi engjëjve se do të vendoste në Tokë një mëkëmbës. Ia mësoi Ademit të gjitha emrat e gjërave dhe i urdhëroi engjëjt t’i binin atij në sexhde. Të gjithë i ranë në sexhde, vetëm Iblisi refuzoi dhe kështu u nxorr prej Xhennetit. Ai u zotua se do ta devijonte Ademin dhe të gjithë pasardhësit e tij, përveç robërve të sinqertë të Allahut. Ademi u vendos në Tokë, në vendin e sprovës, përfundimi i të cilës është Xhenneti ose Zjarri. Por cili është qëllimi i të qenët mëkëmbës? Çfarë ishte kjo botë për Ademin, i cilësuar si Halifja i Zotit në Tokë? Çfarë roli ka ai në të?
Kuptimi i mëkëmbësit mbi tokë nuk mund të kufizohet vetëm në kuptimin e pushtetit politik, por ai është shumë më i gjerë sesa kaq. Ai është një koncept i përgjithshëm, që përfshin të gjithë jetën në çdo detaj të sajin. Ai është metodë e të menduarit, sistemi i angazhimit, që na bën ta shohim me një mënyrë ndryshe çdo gjë që na rrethon. Duke filluar që nga gjërat me të thjeshta, siç është lidhja jonë me rrugën publike, hedhja e një mbeturine mbi të dhe deri te çështjet më të vështira, siç është roli ynë si ummet për të gjetur zgjidhjet e krizave të ndryshme.
Ky koncept është sistemi ynë i veprimit, që na bën të shohim fytyrën e vërtetë të krijimit të gjërave, ashtu siç i ka krijuar Zoti i gjithësisë. Ai zgjon te ne edhe konceptin e amanetit. Amaneti, që iu prezantua Tokës, qiellit dhe maleve e ato refuzuan ta bartin atë. Atëherë çdo gjë do ta shohim si amanet. Trupin do ta konsiderojmë amanet dhe do ta ruajmë atë në formën më të mirë. Mbrojtja e trupit nga çdo rrezik e dëm dhe marrja e ushqimeve të nevojshme do të bëhet pjesë e të qenët mëkëmbës në Tokë. Konsumi i duhanit, alkoolit dhe drogërave do të quhet krim dhe kundërshtim ndaj këtij amaneti.
Besimtari kështu do të kuptojë përgjegjësinë që ka mbi çdo organ dhe do të përpiqet ta ruajë atë në formën më të mirë. Do të shohë, a e kreva detyrën me sytë, që më janë besuar? A pashë me to të bukurën, i ula përballë haramit apo e lëshova shikimin pa kufizim? A i përdora ato për vëzhgim, kërkim dhe soditje? Apo i lashë vetëm në kënaqësi të përkohshme dhe argëtim?
Po përsa i përket gjuhës? A e kreva detyrën time mbi të? A e përdora për çdo fjalë të drejtë apo e lëshova në gënjeshtër dhe çdo fjalë të kotë? Kjo është gjendja edhe për veshët. Po me këmbët e mia, drejt cilave gjëra eca? Drejt të vërtetës apo të kotës? Po me duart e mia çfarë bëra?
Brenda këtij koncepti futet edhe përdorimi ynë i kohës, duke shtuar edhe më shumë ndjeshmërinë që kemi për të. Sa më shumë ta kuptojmë përgjegjësinë e të qenët mëkëmbës mbi Tokë, aq më shumë do të kujdesemi për përdorimin e kohës sonë. Kështu, koha nuk do të na ikë nga duart në çështje të padobishme. Njeriu me vrasjen e kohës do të ndiejë vrasjen e vetes, sepse ai nuk është gjë tjetër veçse sekonda dhe minuta.
Pasuria brenda këtij koncepti do të quhet vërtet pasuri e Allahut, ndërsa ne jemi vendosur përgjegjës mbi të dhe jo më shumë sesa kaq. Askush nuk është pronar i vërtetë i pasurisë së tij, por ajo është veçse amanet që i është lënë gjithësecilit. Pjesë e testit tonë është që t’i japim çdo gjëje të drejtën që i takon. Pasuria është një amanet, i cili një ditë do t’i kthehet Atij që i takon. Kur njeriu e sheh veten si pronar të vërtetë të pasurisë, pasuria bëhet zotëria i tij dhe ai skllav i saj.
Por, nëse për shembull pasurinë publike, që të gjithë kanë të drejtë në të do ta shohim me konceptin e amanetit, atëherë përgjegjësia ndaj saj do të dyfishohet. Prandaj ka dënim për çdokush që abuzon me pasurinë publike. Në këtë kuptim hedhja e një mbeturine në rrugë do të konsiderohet tradhëti ndaj amanetit dhe krim ndaj njerëzimit.
Gjendja është po njësoj me diturinë, ajo është furnizim dhe dhuratë prej Allahut. Zekati i diturisë është shpjegimi i saj njerëzve të tjerë. Këtu kuptohet edhe fjala e Profetit (a.s): “Kush fsheh një dituri të cilën e di, do t’i vendoset në gojë zjarr prej zjarrit të Xhehennemit!”
Me këtë koncept ne do të veprojmë edhe me çdo njeri që na rrethon. Me prindërit, fëmijët, shokët, punën dhe çdo aspekt tjetër të jetës. Të qenët mëkëmbës i Zotit në Tokë është një paketë e plotë, që përfshin çdo gjë. Nëse e kuptojmë atë si duhet dhe e besojmë nga thellësia e zemrës atëherë jeta jonë do të ndryshojë tërësisht. Çdo gjë do të jetë në harmoni me krijimin dhe nuk do të ketë asnjë lloj përplasjeje, sepse ai që e ka vendosur atë është Krijuesi i Gjithëditur.