Si vërtetohet fillimi i muajit të Ramazamit?

Paraqitja e Hënës së re është shenjë e fillimit të muajit hënor (hixhri). Prandaj, meqë Hëna e re është përcaktuese e fillimit të Ramazanit – përkatësisht e agjërimit të tij, Pejgamberi a.s ka thënë: “Agjëroni me pamjen e Hënës së re, dhe përfundojeni agjërimin (bëni bajram), me pamjen e saj, e në qoftë se ka ndonjë mjegullinë sa nuk mund ta shihni atë, atëherë plotësojeni muajin Shaban që t’i ketë 30 ditë.” (Transmetojnë Buhariu dhe të tjerët).

Hënën e re mjafton ta kenë parë dy dëshmitarë, të cilët e njoftojnë përfaqësuesin fetar ose myftiun e vendit, e ky i fton njerëzit për të agjëruar ose për të bërë bajram. Mirëpo, në qoftë se koha është e vrenjtur, me mjegull ose me pluhur, atëherë e mjaftueshme është edhe dëshmia e vetëm një personi. Ja se si e përshkruan Ibn Abasi një rast: “Një fshatar erdhi te Profeti a.s. dhe i tha se e kishte parë Hënën e re të Ramazanit. Pejgamberi a.s. e pyeti: – A dëshmon se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut? – Po, dëshmoj! – u përgjigj fshatari. Profeti a.s. përsëri e pyeti: – A dëshmon se unë jam rob dhe i dërguar i Allahut? Ai përsëri i tha: – Po, dëshmoj. Atëherë, Profeti e urdhëroi Bilalin: – Njoftoji njerëzit të agjërojnë.” (Transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibni Maxheh).

Ndërkaq, lajmërimi i një personi për mbarimin e Ramazanit, është i pamjaftueshëm, sepse me këtë rast detyrimisht kërkohet që të jenë dy persona meshkuj që e kanë parë Hënën e re të muajit sheval, ose një mashkull e dy femra. Kështu, sepse ky është rregulli i përgjithshëm i dëshmisë kur lypset për të dëshmuar diçka.

Me këtë rast le të konstatojmë se zhvillimet tekniko-teknologjike kanë arritur aq larg sa që, nëpërmjet mjeteve moderne, është shumë e mundur që të dihet deri në hollësi se kur ka për t’u bërë Hëna e re, kështu që kjo i largon shumë hamendësime dhe për rrjedhojë edhe përgatitjet për pritjen e Ramazanit dhe të Bajramit si dhe të festave të tjera fetare. Ato mund të bëhen me kohë, e, mbi të gjitha në mes të besimtarëve myslimanë të mbizotërojë një bashkim më se i nevojshëm, i cili jo rrallë herë edhe mungon. Me këtë qasje, në asnjë mënyrë nuk pretendojmë ta minimizojmë rëndësinë e pamjes së Hënës me syrin tonë, gjë që ka peshën dhe rëndësinë e vet dhe, fundja, kjo edhe kërkohet me Sheriat.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: