Si të veprojmë kur pezullohet falja e namazit të xhumasë?
Shmangia e tubimeve të mëdha, ku njerëzit grumbullohen së bashku në vende të mbyllura është një prej masave kryesore, që është dhënë nga çdo organizatë e mjekësisë në botë. Kjo është një masë parandaluese për përhapjen më tej të virusit, i cili mund të jetë në gjendje të fjetur te shumë njerëz.
Nëse mendohet grumbullimi i madh i njerëzve për faljen e namazit të xhumasë, përzierja e etnive të ndryshme dhe njerëz që vijnë nga çdo sferë e shoqërisë, atëherë pezullimi i namazit të xhumasë është një vendim i mençur dhe i lejuar, madje diçka e sugjeruar nga feja jonë. Njerëzit duhet të tregohen mirëkuptues në këtë drejtim dhe të mos i shtojnë tensionit dhe frikës, edhe ngritjen e çështjeve të tjera, tanimë të mirësqaruara.
A duhet të falim namazin e xhumasë në shtëpitë tona apo në grupe të vogla?
Jo, përderisa namazi i xhumasë është pezulluar në vendin ku jetojmë, atëherë nuk e kemi më detyrim të falim namazin e xhumasë në shtëpitë tona, sepse kuptimi i xhumasë është grumbullimi dhe përzierja me njëri-tjetrin. Diçka e tillë nuk është e pranueshme në fenë tonë dhe besimtari në këto raste fal namazin e drekës në shtëpinë e tij. Edhe dëgjimi virtual i hutbeve nuk e zëvendëson hutben e xhumasë, kështu njeriu pas dëgjimit të saj nuk mund t’i falë dy rekate namaz xhumaje, por sërish namazin e drekës. Është e pakuptimtë të grumbullohen grupe të vogla besimtarësh dhe të falin xhumanë, për sa kohë nëpër xhamia janë pezulluar edhe faljet ditore me xhemat, si një masë për mbrojtjen e shëndetit të gjithësecilit.
Kjo kohë duhet të jetë një mundësi reflektimi dhe kthimi tek Allahu për të gjithë. Ilaçi i saj më i mirë është besimi, durimi dhe mbështetja tek Allahu. Në këto momente dallohen edhe njerëzit e devotshmërisë, të cilët përhapin paqe, mëshirë dhe solidaritet te të gjithë njerëzit e tjerë. Allahu (xh.sh) thotë në Kur’an: “Thuaj: Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu; Ai është mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!” (Teube, 9/51)