Mos e shqetëso komshiun tënd
I Dërguari i Allahut (s.a.s) e ka ndaluar shqetësimin dhe lëndimin e komshiut. Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk do të futet në Xhennet, ai që fqinji i tij nuk është i sigurt nga e keqja e tij.”
Kjo porosi ia bën detyrim çdo myslimani që të mos e lëndojë komshiun e tij. Me fjalën komshi përfshihet myslimani dhe jo-myslimani, i pasuri dhe i varfëri, i afërmi dhe i huaji dhe të gjithë individët e shoqërisë padallim. Ky term përfshin komshiun e banimit, atë me të cilin shoqërohemi, atë në rrugë, punë dhe atë që është në xhami.
Fjala ‘të keqes së tij’, përfshin çdo lëndim, cënim të së drejtës dhe çdo gjë që ngjall papëlqyeshmëri në natyrën njerëzore.
Nga hadithi shohim se Profeti (a.s) nuk ndaloi vetëm keqbërjen ndaj komshiut, por urdhëroi sigurimin e tij të plotë prej të keqes sonë, që ai të ndihet plotësisht i qetë prej myslimanit që ka afër.
Komshiu i tij asnjëherë nuk pret ndonjë të keqe nga myslimani, për shkak të mirësisë dhe paqes së vazhdueshme, që ai i ka ofruar.