Si ta kuptojmë parimin e dhënies përparësi të lehtësimit dhe shmangies nga të vështirësuarit e njerëzve?

“Lehtësoni dhe mos vështirësoni! Përgëzoni dhe mos i irritoni njerëzit!”

Profeti (a.s) i urdhëroi sahabët e tij në raste të ndryshme për t’i bërë gjërat më të lehta dhe për të mos shkaktuar vështirësi. Gjithashtu, i këshilloi ata që t’u japin lajme të gëzueshme njerëzve dhe të mos i frikësojnë ata. Për shembull, ai u dha të njëjtën këshillë Ebu Musa el-Eshariut dhe Muadh Ibn Xheblit kur i dërgoi ata në Jemen si mbledhës të zekatit. Ai i këshilloi ata që të mos i shkaktonin askujt ndonjë vështirësi gjatë mbledhjes së zekatit, t’u tregonin mirëkuptim njerëzve dhe të mos merrnin më shumë sesa duhej, ose më mirë sesa ato që u ishin dhënë si zekat. Për më tepër, ai i urdhëroi ata që t’i përmendnin myslimanëve shpërblimet që do të fitonin për adhurimet e tyre dhe të mos i frikësonin ata në një mënyrë që do t’i bënte të dëshpëroheshin nga mëshira e Allahut për shkak të mëkateve që kishin bërë.

Ky urdhër i të Dërguarit të Allahut (a.s.) u drejtohet të gjithëve që janë nderuar me Islamin. Të gjithë myslimanëve, të cilëve u ishte drejtuar si “Ju u dërguat për t’i bërë gjërat më të lehta, për të mos shkaktuar vështirësi” në hadithin e mëparshëm, duhet të tregojnë mirëkuptim atyre që nuk i dinë bukuritë e Islamit, përshtatshmërinë e tij për karakterin njerëzor, që ai u jep njerëzve një paqe të thellë dhe se paqja në shoqëri mund të arrihet vetëm me të. Sepse, njeriu është armiku i asaj që nuk e di. Është mjaft e natyrshme që ata që nuk e njohin Islamin ta shohin atë me dyshim dhe të veprojnë të rezervuar dhe të ndrojtur ndaj tij. Kjo fe e bukur është keqinterpretuar qëllimisht për një kohë të gjatë si për ata që jetojnë në tokën Islame ashtu edhe për ata që nuk e njohin Islamin. Është thënë që Islami është feja e barbarisë, se nuk i kushton rëndësi shpirtit njerëzor, madje është përhapur që nuk ka dekrete përveç prerjes së duarve.

Të sillesh ashpër dhe keq ndaj një personi që është rritur duke dëgjuar ato shpifje që nga fëmijëria, i cili nuk ka takuar askënd që e njeh dhe praktikon Islamin, duke i thënë se ai flet kundër fesë sonë, do të thotë të ndihmosh armiqtë e Islamit dhe t’i justifikosh ata në propagandën e tyre.

Në një rast të tillë, çdo mysliman duhet ta konsiderojë veten si një ambasador, i cili u emërua nga Profeti për t’ua përcjellë njerëzve të vërtetat e Islamit. Nëse i adresuari ynë nuk është një armik i vetëdijshëm i Islamit, ne duhet t’i bëjmë gjërat të lehta dhe të mos shkaktojmë vështirësi. Ne duhet t’i japim atij lajme të gëzuara; nuk duhet ta frikësojmë. Ne nuk duhet të harrojmë parimin vijues të udhëzimit, të cilin Allahu i Madhërishëm i tha Profetit:

“Po të ishe i vrazhdë ose me zemër të ashpër, ata do të ishin ndarë nga rreth teje.” (Ali Imran, 3:159)

Çfarë mësojmë nga ky hadith?

  1. Ata që i ftojnë njerëzit në rrugën e Allahut duhet të kenë etikën më të lartë.
  2. Është e nevojshme të silleni butë ndaj atyre që nuk e njohin Islamin, të flisni ëmbël dhe të mos i trembni ata.
  3. Islami është feja e lehtësisë. Prandaj, është e nevojshme të bëhen gjërat më të lehta për njerëzit dhe të mos shkaktohen vështirësi.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: