SI E SHEH ISLAMI JETËN
Njeriu dërgohet në këtë botë për t’u marrë në provë. Jeta e njeriut është një provë. Kjo specifikë shumë e rëndësishme është shprehur në Kuran në mënyrë shumë të qartë: “Është Ai që e ka krijuar vdekjen dhe jetën me qëllim për të provuar se kush nga ju do të bëjë punë më të mirë!” (Mulk, 67/2) Bota nuk është vend ku mund të rrihet përgjithmonë, por një shtëpi pritjeje. Njeriu qëndron këtu për një kohë, pastaj shkon në vendin e përjetësisë. Bota është vendi ku fitohet përjetësia. Këtu njeriu provohet me vlerat materiale-shpirtërore që ia ka favorizuar Allahu. Kështu, jeta e njeriut është një kapital. Trupi, mendja, mundësitë që zotëron, që të gjitha veç e veç janë kapital për njeriun. Allahu i propozon njeriut t’ia kthejë sërish këto të mira që ia ka favorizuar duke ia shitur në shkëmbim të xhenetit. “Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre në shkëmbim të xhenetit!” (Tevbe, 9/11) Le ta mendojmë për një çast mëshirën dhe dhembshurinë e gjerë të Allahut. Jetën, pasurinë, jetëgjatësinë që ia dha vetë njeriut si favor, Allahu kërkon t’ia blejë në shkëmbim të xhenetit. Fundja, a s’është Allahu që jep? Po qe se njeriu e vlerëson jetën në një mënyrë të pëlqyeshme për Allahun, mund ta fitojë lumturinë edhe këtu, edhe përtej. Besimi është mirësia më e madhe e Allahut për njeriun. Besimi është si bërthama e xhenetit. Një jetë me besim dhe në lidhje të vazhdueshme me Allahun, është burim qetësie dhe lumturie të vërtetë.
Duke bërë adhurim në atë mënyrë siç ka urdhëruar Allahu dhe duke u ruajtur nga haramet, njeriu e përdor kapitalin trup në një tregti me fitim. Ai e bën këtë tregti me fitim duke dhënë zekatin dhe sadakanë e mallit dhe të të ardhurave. Shkurt, po qe se njeriu e vlerëson dhe e shfrytëzon çdo të mirë që ia ka falur Allahu me synimin për të fituar pëlqimin e Tij, fiton. Islami është ai që e çon njeriun drejt pëlqimit të Allahut!