ISLAMI I DREJTOHET GJITHË NJERËZIMIT
Feja islame është e fundit e feve hyjnore dhe feja e vetme që vazhdon ta ruajë origjinalitetin e saj. Edhe Profeti Muhamed (s.a.s.) i cili e ka kumtuar dhe përfaqësuar Islamin, është hallka e fundit e Profetësisë. Profeti Muhamed ka thënë fjalën e fundit në emër të fesë. Profetësia e tij nuk është për një shoqëri dhe komb të caktuar, por për gjithë njerëzimin. Profetët e mëparshëm, duke iu drejtuar vetëm shoqërisë për të cilën qenë dërguar, kanë thënë, “o fisi im”, “o njerëzit e mi”. Kurse Profeti Muhamed (s.a.s.), siç përmbahet në shumë vende të Kuranit, i është drejtuar gjithë njerëzimit, duke thënë, “o njerëz”.
Ka shumë ajete dhe hadithe që bëjnë të ditur universalitetin e Profetit dhe të mesazhit të tij. Për shembull, në këto ajete shprehet qartë se Profeti ynë është dërguar për të gjitha kohërat dhe vendet: “Ne të dërguam ty mëshirë për të gjitha botët!” (Enbija, 21/107); “Thuaj: “O njerëz! Unë jam një lajmëtar i dërguar nga Allahu për të gjithë ju!” (A’raf, 7/158)
Këtë veçori të tij të njoftuar në Kuran, Profeti (s.a.s.) e ka shprehur në hadithe të ndryshme: “Çdo Profet iu dërgua popullit të vet, kurse unë iu dërgova gjithë njerëzimit!” Konkluzionet e fesë islame të kumtuar prej tij janë të përgjithshme dhe kanë gjerësinë dhe pasurinë e duhur për të përballuar nevojat e të gjithë popujve dhe shoqërive njerëzore që do të jetojnë në çdo kohë e në çdo vend. Feja islame i pranon të gjithë Profetët e dërguar para saj si dhe të gjithë librat e shenjtë të komunikuar atyre. Kurani është mesazhi më i fundit e më i përkryer që mund t’u japë përgjigje nevojave të të gjithë njerëzimit gjer në kiamet. Ai është i vetmi libër hyjnor që ruan origjinalitetin dhe freskinë e kohës dhe formës kur u zbrit. Mjafton që ata që i besojnë Kuranit, duke i mbajtur parasysh veçoritë e tij universale, ta kumtojnë dhe përfaqësojnë atë në dimensione universale!