Si duhet të mbrohen besimtarët përballë veprimit shkatërrues të frontit të mohimit?

Qysh prej Ademit a.s e gjer në ditët tona, mohimi ka mbajtur vazhdimisht pozicionin e shkatërrimtarit, kurse besimtarët kanë marrë përsipër vazhdimisht detyrën për të meremetuar dhe rregulluar. Po kështu vazhdon edhe sot. Prandaj edhe i Madhi i Kohës, i cili e ndjente këtë dhimbje gjithmonë e më thellë në ndërgjegje, ka thënë: “Po qe se do të kishte një ekuilibër midis këtyre dy forcave dhe që të dyja do të kishin në dorë të njëjtat mundësi, në frontin tonë do të shihej një fitore e madhe.”

Gjithçka që ka fronti përballë, është një veprimtari destruktive. Duke fshikulluar botën ndjesore të njeriut, e ka rrokullisur atë në gropën e epshit; duke nxitur dëshirat dhe kërkesat e njeriut, e ka bërë atë rob të gjërave materiale, të botës materiale. Duke u dhënë lustër postit dhe pozitës, i ka treguar ato para njeriut si shumë tërheqëse, ia ka turbulluar atij shikimin, ka bërë shumë shkatërrime me mjete të thjeshta dhe ia ka prishur ekuilibrin mendor një rinie të tërë. Po qe se të gjitha gjërat do të kryheshin po kaq lehtë edhe në anën tonë, si përgjigje të kaq shumë përpjekjeve, do të arriheshin suksese të mëdha. Mirëpo ne kemi shekuj që s’bëjmë tjetër veçse merremi me meremetimin e një kalaje, një kalaje mjaft të madhe me mure të rrëzuar në të katër anët!

Mendoni se në këtë vend, madje në tërë botën islame, janë tronditur themelet e besimit, e besimit monoteist në një Zot të vetëm. Allahu është mohuar, profeti është nënvleftësuar, feja është lënë me të tëra, Kurani, ky tufan drite që ka ndriçuar gjithë njerëzimin e që i ka detyruar edhe kundërshtarët ta pranojnë mrekullinë e tij, është marrë nëpër këmbë, fesë s’i ka mbetur pothuaj asnjë rëndësi as edhe pranë njerëzve që kanë besuar dhe çdo gjë është katandisur në atë gjendje që duket se s’mund të rregullohet më. Ja pra, në një periudhë të tillë, edhe punët që duhen bërë janë shumë të mëdha, edhe vlera e tyre është shumë e madhe. Ana përballë heq një gur nga poshtë dhe tërë muri shembet, kurse ne jemi të detyruar që ta ngremë rishmi në këmbë murin gur pas guri dhe, sidomos, ta mbrojmë atë. Megjithatë, krahas këtyre, mund të themi se bie në sy edhe dora e ndihmës dhe e favorit hyjnor. Kjo gjë po më kujton diçka në lidhje me Paskalin. Paskali ka qenë njeri i ndjeshëm, por i pafat. Siç thotë një mendimtar i yni, ai “e ka humbur vaporin në çastin e fundit”! Është afruar gjer në limanin e Hz. Muhamedit (a.s.), por nuk ka mundur ta lëshojë veten në atë prehër drite. Por kjo është temë më vete. Kurse unë kërkoj të përdor për ilustrim një ngjarje që i ka ndodhur atij e që ka lidhje me çështjen për të cilën po flasim.

Paskali tregon vetë se si, ulur në një pajton, po shkonte drejt lumit Ren. Një çast dhe kuajt kishin këputur frerët, kishin dalë nga kontrolli dhe kishin filluar të vraponin me shpejtësi. Shpëtimi i ishte i pamundur. Pajtoni do të rrokullisej detyrimisht në lumë. Por papritur ndodh diçka. Kuajt shkëputen nga pajtoni dhe fluturojnë në lumë. Në saj të një dore hyjnore, ai dhe pajtoni qëndrojnë mu në buzë të lumit!

Paskali që pati bërë gjer atë ditë një jetë boshe, pas asaj ngjarjeje mbyllet në një manastir ku e kalon tërë jetën e mbetur duke parë e menduar si një murg.

Sa për ne, ne kemi përjetuar me qindra ndodhi ku kemi parë favorin e asaj dore hyjnore që pati parë vetëm një herë në jetën e tij Paskali. Falenderime të pafund i drejtojmë për këtë Zotit tonë!

Ndërsa ata përpiqen ta shkatërrojnë rininë me baret, me diskot, etj., ne u themi të rinjve që të falen, të agjërojnë, të sakrifikojnë disa dëshira të egos; ne u propozojmë atyre disa gjëra që në pamje duken të vështira, si: të jetojnë jo për vete, por, së pari, për mjedisin e tyre dhe të mendojnë, gjithashtu, jo për vete, por për brezat që do të vijnë. Megjithë veprimtarinë antimorale të frontit të mohimit, shohim me miratim dhe kënaqësi se si mijëra të rinj po u dalin për zot me gjithë zemër çështjeve islame, nderit, moralit, figurës së pastër të njeriut. Ashtu siç nuk na besonin dje kur flisnim për ata faktorë negativë që karakterizonin jetën ideologjike e moralo-shoqërore në Rusi e Kinë, faktorë që çuan në shkatërrimin e atij sistemi, ashtu edhe sot po bëhemi dëshmitarë për faktorë që shërbejnë si shkaqe për ndryshime të mëdha. Fronti i mohimit, megjithë institucionet, mjetet dhe mundësitë që ka në dorë për të shkatërruar vlerat më të mira kombëtare të çdo vendi, të trashëguara brez pas brezi, po pëson rënie të shpejtë, kurse ne po ngjitemi me shpejtësi lart. Në një të ardhme të afërt, morali islam do të zërë vendin e merituar.

Në fakt, ne duhet të bëjmë atë që na bie për barrë. Mbrojtja e brezit është diçka që i përket Zotit. Duke shpresuar në mëshirën e Tij të pasosur, lutemi që të na e mbrojë brezin e ri të rritur me një mijë e një mundime dhe të mos i lërë kafshët grabitqare të na hanë zogjtë e porsalindur. Fundja, po qe se s’do të na ishte zgjatur dora e favorit të Tij, punët që janë kryer, s’janë të tilla që do të na i rrokte mendja jonë. Po, Ai na ndihmoi e na favorizoi dhe ne e pamë veten në drejtime që nuk i kishim njohur më parë. Vetëm më vonë e patëm kuptuar se pikërisht në ato drejtime ishte dashur të punohej. Lutemi e falemi që ajo ndihmë e ai favor që na u gjendën në fillim, të na shoqërojnë gjatë gjithë punës sonë!

Postime të ngashme

%d bloggers like this: