Shkencëtarët myslimanë përgjatë historisë

Al-Hassan dhe Hill, Sarton, Nasri, dhe të tjerë, kanë paraqitur lista të gjata, por aspak shteruese të shkencëtarëve myslimanë bashkë me arritjet e tyre. Disa prej këtyre shkencëtarëve kanë qenë tepër imponues për t’u injoruar, qoftë edhe vetëm për shkak se ata kanë diktuar drejtimet në shkencën moderne. Midis tyre shquhet el-Khuarizmi, studimet origjinale të të cilit në algjebër ishin një gur themeli për matematikën moderne. Ebu el-Fat’h Umar ibn Ibrahim al-Khayyami (Omar Khajam, 1038/48-1123/24), nderohet pothuajse në të njëjtën shkallë. Thabit ibni Kura (836-901), një Sebian nga Harrani, mbahet mend për punën e tij autoritative në matematikë, fizikë, mjekësi dhe astronomi. Maslama al-Majrifi (v. 1007), një autoritet i shquar i alkimisë dhe autor i Hapi i Sagës dhe Qëllimi i të mençurit, ishte gjithashtu një matematikan dhe astronom i shquar. Nasir al-Din al-Tusi (1201-1274), i renditur nga disa si shkencëtari më i madh mysliman pas Ibn Sinas (Avicena, 980-1037), ishte një historian, astronom dhe matematikan i madh. Mahmud ibni Mas `ud Kutb el-Din el-Shirazi (vdiq më 1311), i cili shkëlqeu në matematikë dhe astronomi. Jo më pak të rëndësishëm janë al-Jazari (shek. 12), autor i Përmbledhja e teorisë dhe praktikës së arteve mekanike, si dhe vëllezërit Banu Musa të shekullit të nëntë në Bagdad, të cilët kishin akses në Bejt el-Hikmah. Libri i tyre, Libri i pajisjeve gjeniale, pati një ndikim të madh mbi studimet e mëvonshme në matematikë dhe inxhinieri.26

Në mjekësi, Ibn Sina është legjendar edhe në Perëndim. Kanoni i tij i Mjekësisë dhe Libri i shërimit ishin prodhime afatgjata për akademikët e universitetit, sidomos në Francë. Muhamed ibn el-Zakarija el Razzi (Rhaziu, 865-925) mbahet mend për veprën e tij Sekreti i sekreteve dhe për të punimin e tij të shquar mjekësor Traktat mbi linë dhe fruthin. Ebu ‘Ali al-Hassan Ibn al-Hajtham (Alhaz, 965-1039) ishte një fizikant i madh, libri i të cilit mbi optikën i dha atij një vend të veçantë në historinë e shkencës botërore. Ibn Rushd (Averroes, vd. 1198), ka studiuar si shkencë, ashtu edhe filozofi, duke bërë interpretime të paçmueshme mbi veprat e Aristotelit. Al-Biruni (973-1050), i përshkruar nga de Santillana si shkencëtari më i madh mysliman, është i respektuar si në Lindje dhe në Perëndim për angazhimin dhe këmbënguljen e tij në kërkimin e dijes. Ai është autor i Kronologjia e kombeve të lashta dhe i shumë veprave të tjera.

Shkencëtarë të tjerë të mëdhenj me famë ishin filozofi – shkencëtar i krishterë Hunejn ibn Is’hak (vd. 809-73), i cili shkroi Aforizmat e filozofëve; Yakub Ebu Jusuf ibn Is’hak (801-873), një filozof-shkencëtar; Xhabir ibn Haj’jan (lulëzoi rreth 776), një dijetar i madh me botime të shumta që mbajnë emrin e tij, sidomos në kimi; filozofi Abu Nasr al-Farabi (Alfarabius, vd. 950); Ebu al-Hasan al-Masudi (vd. 957), një gjeograf dhe gjeolog, dhe Bahá-al-Din (vd. 1621), një filozof, teolog, matematikan dhe arkitekt mjaft i njohur.

Këtu mund të shtohen lehtësisht edhe shumë emra të tjerë. Emrat e disa shkencëtarëve të paraqitur këtu janë vetëm sa për t’i kujtuar lexuesit se dijetarët/shkencëtarët klasikë myslimanë dhe jomyslimanë të botës islame nuk kishin asnjë interes dogmatik mbi shkencën, përkundrazi, ata kërkonin vazhdimisht dije shkencore, dhe gjetjet e tyre ndihmuan për të hedhur themelet për atë që sot cilësohet si shkenca moderne. Një aspekt i jetës së tyre prej të cilit do të mund të përfitojnë shkencëtarët bashkëkohorë myslimanë, është se këta dijetarë ishin njëkohësisht edhe shkencëtarë dhe dijetarë të devotshëm fetarë, të cilët i ndoqën të dyja rrugët, pa parë ndonjë kontradiktë dhe mospërputhje mes tyre.

Postime të ngashme