Shkaqet e mossuksesit shkollor

Shkollimi i fëmijës në ditët e sotme është një nga sfidat më serioze me të cilën duhet të përballet familja. Kjo, jo thjesht për koston financiare, për të cilën prindërit nuk lënë sakrificë pa bërë që fëmija i tyre, të përfitojë një shkollim të caktuar. Qëllimi përfundimtar i shkollimit është mundësi më të mira punësimi dhe rrjedhimisht jetesë më e mirë. Por që të mbërrijmë te ky qëllim, duhet kaluar nëpër të gjitha hallkat e sistemit arsimor. Më pas, nëse do të ketë apo jo jetesë më të mirë si shkak i shkollimit është çështje tjetër, natyrisht jo e parëndësishme. Sfida më serioze e shkollimit lidhet me suksesin e fëmijës në shkollë.

Suksesi i fëmijës në shkollë është dëshira e çdo prindi. Vështirë se gjen prindër që të mos dëshirojnë që fëmija i tyre të mos jetë i suksesshëm përgjatë viteve të shkollimit, edhe pse çdo rregull ka përjashtimet e veta, pasi konsiderata ndaj shkollimit lidhet edhe me perceptimin që kanë prindërit ndaj vetë shkollimit. Sidoqoftë, dëshira për sukses shkollor mbetet e fortë dhe vazhdimisht prindërit janë këmbëngulës, të paktën teorikisht, që rezultatet mësimore të fëmijës së tyre të jenë gjithmonë në rritje. Por, përtej pritshmërive prindërore jo gjithmonë ndodh që fëmija të përjetojë sukses shkollor, madje në ditët e sotme, për hir të së vërtetës, suksesi shkollor i fëmijës është në tkurrje të vazhdueshme, aq sa në raport me të tërën, të suksesshmit zënë një përqindje të ulët.

Rrjedhimisht, përballë këtij shqetësimi, shqetësim që nuk lidhet thjesht dhe vetëm me të tashmen, por për më tepër me kostot që do të mbajmë në të ardhmen, natyrshëm, kërkohet të dihen shkaqet e këtij mossuksesi, pasi askush dhe askujt nuk i pëlqen që të endet në sferën e dështimit apo të cilësohet si një i dështuar.

Por cilat janë shkaqet e kësaj pasoje kaq të padëshirueshme dhe kaq prezente në realitetin e sotëm?

Për studiuesin kroat, Prof. dr. Stanisha Nikoliq, në librin e tij “Bota e psikës fëmijërore”, faqe 249 -252, shkaqet e mossuksesit shkollor klasifikohen në disa grupe:

1) Nevoja për shkollim special. 2) Çrregullimet instrumentale. 3) Mungesat nga shkolla. 4) Gabimet në orientimin shkollor. 5) Shkaktarët shoqërorë dhe familjarë. 6) Shkaktarët pedagogjik.

Le t’i vështrojmë këto shkaqe, duke i ndërlidhur dhe me realitetin e prekshëm, atë që shohim çdo ditë të angazhimit tonë me shkollimin e brezave të rinj.

Nevoja për shkollim special

Këtu përfshihen ata fëmijë, të cilët për arsye fizike apo mendore nuk arrijnë të përshtaten me mjedisin e zakonshëm shkollor dhe shoqëror. Në pamundësi për të ecur me të njëjtat hapa si bashkëmoshatarët e tyre, kësaj kategorie i duhen krijuar kushtet për shkollim në shkolla speciale që i përshtaten nivelit të zhvillimit të tyre psiko-fizik. Kjo nuk do të thotë që kjo kategori po diskriminohet, por që kësaj kategorie po i jepet ajo çka është më e mira për gjendjen e tyre. Do të jetë dështim i plotë për këta fëmijë, nëse do të shkolloheshin në një shkollë të zakonshme, qoftë edhe sikur të kryhet punë e diferencuar nga mësuesit, sepse edhe në këtë rast nuk do të përfitojnë vëmendjen dhe kujdesin e plotë. Në rast se aplikohet arsimi gjithëpërfshirës, kategoria që preket drejtpërsëdrejti nga mossuksesi shkollor janë pikërisht fëmijët me nevoja speciale, të cilët kanë nevojë për përkushtim dhe vëmendje me kohë të plotë, si dhe kanë nevojë të mos ndihen të paaftë në raport me fëmijët normalë, teksa shohin ecurinë shkollore të këtyre të fundit.

Çrregullimet instrumentale

Ndodh që fëmijë të caktuar, qoftë që nga lindja apo nga ndonjë dëmtim i mëvonshëm, edhe pse janë fëmijë inteligjentë të manifestojnë probleme me të folurin, shqiptimin e saktë të tingujve, fjalëve, shprehje jo me gjuhë të rregullt të mendimeve. Në të tilla raste, nëse nuk merren masat e nevojshme për korrigjim të këtyre defekteve me ndihmë të specializuar për këto raste, edhe kjo kategori mund të përballet me mossukses shkollor. Duke pasur të tilla vështirësi, krijohen kushtet për mosasimilimin e duhur të njohurive në shkollë dhe me kohë rritet hendeku mes asaj çfarë do të kishte mësuar në kushte normale dhe asaj çfarë mëson sipas kushteve në të cilat gjendet. Kësisoj, edhe pse inteligjent, nuk do të kishte një ecuri të mirë dhe mund të krijohen kushtet e braktisjes së të mësuarit, për shkak të një paaftësie të korrigjueshme. Prandaj, edhe kjo kategori duhet të trajtohet në përputhje me nevojat që ka, që aftësitë e tyre të mos shkojnë dëm.

Mungesat nga shkolla

Për arsye të caktuara nxënës të caktuar mund të mos prezantojnë për një kohë të caktuar në mjedisin shkollor. Nxënësi mund të qëndrojë një kohë të gjatë në spital, mund të jetë i ngujuar për shkak të gjakmarrjes, mund të jetë larg për shkak të angazhimit të tij me ndonjë punë të caktuar në ndihmë të familjes, mund të banojë larg shkollës dhe në kohë të caktuara të mos e frekuentojë, apo i lënë në harresë nga angazhimet e prindërve me punë. Kjo është një kategori nxënësish inteligjentë, por që mungesat e gjata në shkollë për arsyet që përmendëm apo dhe për arsye të tjera, sjellin zgjerimin e masës së njohurive të pamësuara, duke krijuar mësim të fragmentarizuar të njohurive, fragmentarizim që nuk i jep mundësinë kësaj kategorie të shfaqet me aftësitë dhe potencialet që zotëron.

Nuredin Nazarko

Postime të ngashme

%d bloggers like this: