Sekretet e agjërimit sipas Imam Gazaliut

Allahu i Lartësuar e ka bërë agjërimin mburojë për robërit e Tij, kështu e ka thyer shpresën e shejtanit për devijimin e njeriut dhe e ka nxjerrë të rremë pandehmën e tij për të. I Lartësuari ka njoftuar se shejtani i afrohet njeriut nëpërmjet epsheve të tij të fshehta dhe me agjërimin i ka hapur dyert e xhenetit për miqtë e Tij. Vetja e njeriut me thyerjen e dëshirave të saj dhe me dëmtimin e armikut, është kthyer në një trim të pamposhtur dhe emri i tij është agjërimi.

Duke u nisur nga hadithet se “agjërimi është gjysma e durimit” dhe “durimi është gjysma e besimit”, shohim që agjërimi përbën ¼ e fesë. Agjërimi dallohet nga të gjitha adhurimet e tjera me atribuimin e tij të drejtpërdrejt me Zotin.  Këtë element e tregon hadithi kudsi:

“Çdo vepër e mirë shpërblehet 10-fish deri në 700-fish, ndërsa agjërimi është për Mua dhe Unë e jap shpërblimin për të.”

Edhe hadithi tjetër tregon pozitën e lartë që ka agjërimi.

“Pasha Atë në dorën e të cilit është shpirti im! Era e gojës së agjëruesit është më e pëlqyeshme tek Allahu sesa aroma e miskut. Ai braktis ushqimin, pijen, epshet vetëm për Mua. Agjërimi është për Mua dhe unë do ta jap shpërblimin për të.”

Nëpër hadithe të tjera përmendet edhe dera e posaçme e xhenetit e quajtur “Rejjan”, nga e cila do të futen vetëm agjëruesit. Gjithashtu, përmenden edhe dy gëzimet e mëdha të agjëruesit, njëri kur hap iftarin dhe tjetri kur të takohet me Zotin e tij.

Kuptohet qartë që shpërblimi i agjërimit nuk përcaktohet me shifra, por është mbajtur i fshehtë. Kjo është e tillë, sepse agjërimi mbahet vetëm për Allahun dhe ai është nderuar duke iu atribuuar vetëm Atij. Edhe pse të gjitha adhurimet bëhen vetëm për Allahun, agjërimi ka një vend të veçantë. Mund të themi që Allahu e ka nderuar Qaben duke e atribuuar atë me Veten e Tij, edhe pse e gjithë gjithësia është e Allahut.

Kjo specifikë e agjërimit është për dy arsye kryesore:

a. Agjërimi është i përbërë nga privimi i vetes nga ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet intime. Këto gjëra, në thelb janë të fshehta. Thënë ndryshe, agjërimi dihet vetëm nga ana e Allahut. Agjërimi është një adhurim i brendshëm që arrihet nëpërmjet durimit.

b. Agjërimi është mjet për të shkatërruar armikun e Allahut. Siç dihet qartë, vendi ku përqendrohet më shumë shejtani për ta devijuar njeriun janë dëshirat e tij epshore. Agjërimi ia mbyll të gjitha rrugët shejtanit për të mbërritur te ne dhe na kufizon të ecim brenda rrugës së drejtë.

Postime të ngashme