Rëndësia e namazit të natës për të Dërguarin e Allahut s.a.s dhe sahabët e tij
Abdullah bin Kajsi r.a tregon: “Aishja r.a ka thënë: “Mos e braktis kurrë namazin e natës, sepse i Dërguari i Allahut nuk rrinte asnjë natë pa falur namaz. Edhe kur ishte i sëmurë, apo ishte shumë i lodhur, ai do të falte namaz gjatë natës, qoftë edhe i ulur.”[1]
Xhabiri r.a tregon: “Në kohën kur u zbritën ajetet: “O ti i mbuluar (o Muhamed)! Çohu (të falesh) gjithë natën, përveç një pjese të saj, që është gjysma ose diçka më pak a diçka më shumë se ajo dhe lexoje Kur’anin ngadalë dhe qartë…”[2], falja e namazit të natës qe bërë detyrim edhe për ne sahabët. Erdhi kjo urdhëresë nga ana e Zotit dhe ne nisëm të faleshim derisa këmbët zinin të na ënjteshin. Por, më vonë, u zbrit edhe ajeti:
“Natyrisht, Zoti yt e di se ti (o Muhamed) falesh më pak se dy të tretat e natës, ndonjëherë gjysmën ose një të tretën e saj, si edhe disa prej atyre që janë me ty. Allahu e përcakton gjatësinë e ditës dhe të natës dhe e di se ju nuk mund ta llogarisni atë saktësisht, prandaj kthehet tek ju me mëshirë. Kështu që lexoni Kur’an aq sa mundeni! Ai e di se disa prej jush do të jenë të sëmurë, disa do të udhëtojnë nëpër botë, duke kërkuar mirësitë e Tij (për jetesë) dhe disa të tjerë do të jenë duke luftuar në rrugën e Tij, prandaj lexoni sa keni mundësi nga Kur’ani! Faleni namazin, jepeni zekatin dhe jepini Allahut një hua të mirë (që Ai t’jua kthejë shumëfish). Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer. Kërkoni faljen e Allahut, sepse Allahu është vërtet Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” (Muzzemil, 73/20)[3]
[1] Ebu Daud, Sunen, 1/417 (1307)
[2] Muzzemmil, 73/1-4
[3] Hejthemi, Mexhmeu’z-Zenaid, 2/519 (3517)