Qëndrimi larg të këqijave gjatë Ramazanit
Agjërimi duhet të mbahet pikërisht ashtu siç e ka shpallur Allahu i Lartësuar dhe pikërisht ashtu si ajo çfarë quan “agjërim” Allahu. Në mënyrë që të marrë rezultatin e synuar nga agjërimi i tij, ashtu siç e kufizon veten nga të ngrënët dhe të pirët, besimtari duhet të kufizojë edhe gjuhën nga thënia e gjërave pa lidhje, pa kuptim e për më tepër të pahijshme. Madje duhet ta hapë gojën vetëm për të folur bukur e për gjëra të mbara, duke mos folur për asgjë të panevojshme, e ta zbulurojë gjuhën me bashkëbisedime të përshpirtshme. Po ashtu ai duhet të vërë nën kontroll edhe sytë. Ai duhet t’i mbyllë sytë e të mos e shohë të ndaluarën, t’i shohë mirë gjërat që sheh, t’i interpretojë siç duhet dhe të nxjerrë nga çdo gjë kuptime e domethënie sa më të mira. Krahas këtyre, një besimtar duhet t’i mbajë veshët larg gjërave të kota e të ulëta, e t’i hapë ata vetëm për të Kuranin, hadithet e bekuara dhe fjalët e bukura të më të mëdhenjve ndër njerëz. Dhe, kësisoj, ashtu siç do të vërë në agjërim trupin e vet, duke e mbajtur të kufizuar nga uji dhe ushqimi, do të qëndrojë i mbyllur ndaj çdo gjëje të padobishme – që siç e kanë thënë të vjetërit – t’i bëjë që ta shijojnë të gjitha agjërimin, me gjymtyrë, me organe e me gjithë shqisa e aftësi ndijuese të jashtme e të brendshme. Thënë me këto fjalë, njeriu që agjëron duhet t’i mbyllë të gjitha portat karshi të këqijave e të mos u lejojë atyre asnjë shteg nga të mund të kalojnë dot, dhe për këtë duhet treguar mjaft kujdes me aspektet e mëposhtme:
a. Ruajtja e syve
Një nga mirësitë më të mëdha që i ka falur njeriut Allahu është syri. Syri është mjeti më i madh me të cilin njeriu krijon lidhje me botën e jashtme. Edhe në mënyrë që të meditojë e të kuptojë madhështinë e Allahut, njeriu ka nevojë që t’i shohë njëherë krijimet e Tij. Në saje të syve njeriu arrin që ta dëshmojë gjithësinë dhe mrekullitë që ka krijuar Allahu mbi gjithësinë. Gjithçka që hyn në zemër dhe në shpirt depërton brenda kryesisht nëpërmjet syve. Veçanërisht kur është duke agjëruar, njeriu duhet t’i ruajë sytë nga gjërat e ndaluara dhe veten nga çdo gjë që mund të hedhë helm në zemrën e tij. Sepse i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë kështu në një hadith kudsi: “(Allahu thotë:) Mos e shiko të ndaluarën, sepse ajo është një shigjetë e helmatisur e hedhur nga djalli. Kushdo që e braktis atë, sepse ka frikë nga Mua, Unë i fal atij robit Tim një besim që do t’ia ndiejë gjer zemër ëmbëlsinë.” Në Kuranin Fisnik Allahu ua ndalon besimtarëve që të shohin nga e ndaluara në një mënyrë fare të qartë e të hapur, duke urdhëruar: “(I Dërguari Im!) Thuaju burrave besimtarë, t’i ruajnë sytë nga shikimi i mëkatit dhe ta ruajnë nderin e tyre. Kjo është më e përshtatshmja dhe më e pastra për ta. Allahu ka dijeni për çdo gjë që bëjnë ata. Thuaju gjithashtu edhe grabe besimtare, t’i ruajnë sytë e të mos e shohin të ndaluarin dhe ta ruajnë nderin e tyre…”
b. Ruajtja e gjuhës
Organi ndoshta më i rëndësishëm që duhet ta ruajë çdokush që agjëron është gjuha e tij. Sepse Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë kështu në lidhje me çështjen e ruajtjes së gjuhës: “Kushdo që më jep mua garanci për atë që ka brenda nofullës së tij dhe atë që ka midis dy këmbëve, edhe unë i garantoj se ai do të shkojë në Xhenet.” Patjetër që gjuha, për të cilën ka pasur nxitje edhe shumë herë të tjera, duhet të ruhet edhe më mirë kur bëhet fjala për agjërimin. Sidomos kur është duke agjëruar, njeriu duhet ta ruajë gjuhën nga gënjeshtra, përgojimi, ngacmimi i të tjerëve, të folurit e çështjeve të ndaluara, zënkat dhe shkaktimi i zhurmës. Nëse do të kemi parasysh f jalët e bekuara të Profetit tonë të Nderuar (paqja qoftë mbi Të), ai nuk duhet të flasë asgjë vetëmse për mirë: “Kush i ka besuar Allahut dhe ditës së gjykimit, ose të flasë për mirë, ose të heshtë.” Ai besimtar që e bën kriter të vetes këtë hadith të bekuar të të Dërguarit tonë Fisnik, përherë duhet të jetë i zënë me Kuran dhe duke përmendur Allahun e Madhërishëm, duke folur vetëm për ato gjëra që të kujtojnë jetën e përtejme e që do të bëheshin shkas për meditim. Veçanërisht duhet t’u shmanget zhurmës dhe zënkave, pra të jetë i padorë ndaj kujtdo që e qëllon dhe i pagjuhë ndaj atij që do ta shajë, për të mos iu përgjigjur kurrsesi. Nëse ka ndonjë përplasje që i ofrohet, ai mund të thotë se është me agjërim dhe se e ka të pamundur që të përgjigjet. Profeti ynë (pqmT) ka këshilluar kështu në lidhje me këtë çështje: “Agjërimi është një mburojë për besimtarin. Mos veproni me injorancë dhe të flisni gjëra të këqija, kur jeni me agjërim. Nëse vjen ndokush t’i thotë ndonjë gjë të keqe, apo të sillet keq me të, t’i thotë, ‘unë jam me agjërim’ dhe të mos përgjigjet (po njësoj).’” Njeriu që nuk e kontrollon dot gjuhën e vet, megjithëse është me agjërim dhe i mban agjërim vetëm stomaku, nuk mund ta arrijë dot shpërblimin e mirëfilltë të agjërimit. Ajo çfarë fiton ai mbetet vetëm etja dhe uria. Sepse i Dërguari i Allahut (pqmT) thotë: “Allahu nuk ka nevojë, as për etjen, as për urinë e askujt, nëse ai nuk heq dorë nga gënjeshtra dhe fjalët e sjelljet e këqija.” Ndërsa, në një vend tjetër thotë kështu: “Ka sa e sa që agjërojnë, që ajo çfarë fitojnë nuk është veçse uria dhe etja. Ka sa e sa që e kalojnë natën duke kryer adhurime, që ajo çfarë f itojnë nuk është veçse pagjumësia.”
c. Ruajtja e veshëve
Si të gjitha organet, edhe veshët janë një organ që Allahu na i ka lënë neve amanet dhe ne duhet t’i dalim zot edhe këtij amaneti. Ruajtja e veshëve bëhet duke i mbajtur ata të mbyllur ndaj të gjitha gjërave të shëmtuara, si gënjeshtra, përgojimi, thashethemet. Sidomos kur është duke agjëruar besimtari duhet të largohet menjëherë nga çdo ambient ku fliten kësi gjërash. Sepse edhe dëgjimi i diçkaje është po aq i shëmtuar sa ç’është edhe që ajo të flitet. Kurani Fisnik e shpreh mjaft qartë se sa veprim i shëmtuar është që t’u vësh veshin fjalëve të shëmtuara pikërisht në këtë ajet të bekuar: “Ata, vazhdimisht u vënë veshin gënjeshtrës dhe hanë nga e ndaluara.”
d. Ruajtja e të gjitha shqisave të jashtme dhe të brendshme
Më sipër ne përmendëm tri nga organet që i janë lënë njeriut amanet. Sepse njeriu hyn në mëkat kryesisht ngaqë nuk i ruan dot siç duhet këto organe. Dhe kur arrin që t’i ruajë ato, ai bëhet i denjë për të hyrë në Xhenet. Njeriu hapet ndaj botës së jashtme nëpërmjet këtyre organeve. Për rrjedhojë, për të mos rënë pre e gjërave që do ta ndotin shpirtin dhe ndërgjegjen nga jashtë, duhet treguar një kujdes tejet i veçantë për ruajtjen e tyre. Ndërgjegjja është e përbërë nga katër elemente kryesore, ndërsa shpirti nga katër gjendje të rëndësishme. Këto janë, vullneti, mendja, ndjenjat dhe aftësitë ndijuese hyjnore. Besimtari është i detyruar të tregojë kujdes që t’i ruajë ato të pastra, duke u shmangur nga çdo gjë që mund t’i ndotë ato dhe të dijë se si t’i ruajë shqisat e tij të jashtme dhe të brendshme. Ai duhet të jetë i kapluar nga vullneti për përpjekje që t’i vërë të agjërojnë, njësoj si stomakun, edhe syrin, veshin, gjuhën, zemrën, imagjinatën dhe mendimet, e së bashku me to të gjithë përbërësit njerëzorë, që e bëjnë atë të veçantë si njeri. Miqtë e të Drejtit e kanë ndarë agjërimin në tri lloje: Agjërimi i masës: Ky është agjërimi i njerëzve të zakonshëm, që u mban agjërim vetëm stomaku dhe u qëndrojnë larg vetëm atyre gjërave që do ta prishnin së jashtmi agjërimin. Në këtë lloj agjërimi shihen si të mjaftueshme edhe vetëm qëndrimi larg nga të ngrënët, të pirët dhe marrëdhëniet seksuale. Agjërimi i elitës: Ky është agjërimi i robërve të zgjedhur, që përpiqen ta shijojnë çdo grimë të begatisë dhe dritës së agjërimit, të cilët ndërkohë që u mban agjërim stomaku, ata i ruajnë nga çdo gjë e shëmtuar edhe duart, gjuhën, sytë dhe veshët, madje tërë organet dhe gjymtyrët e tyre. Të këtillët janë të padorë ndaj kujtdo që i godet, të pagojë ndaj kujtdo që i shan. Edhe kur flasin, ata flasin vetëm në qerthullin e kënaqësisë hyjnore. Veshët i kanë të mbyllur ndaj dëgjimit të gjërave të shëmtuara. As sytë, kurrë nuk u shohin kurrë nga e ndaluara. Agjërimi i elitës së elitës: Përtej agjërimit të elitës, ky është agjërimi i atyre njerëzve të devotshëm ndaj Allahut, që i mbajnë larg vetes edhe ato gjëra që mund të mos ngjajnë të bukura për zemrën, imagjinatën dhe mendimet e tyre, të cilat për ta janë njëfarësoj si banesa të Allahut. Në këtë lloj agjërimi, thelbësore është që të nxirret nga zemra çdo gjë tjetër, përveç Allahut (xhel’le xhelaluhu). Çdo mendim i kësibotshëm, që nuk është në boshtin e kënaqësisë së Zotit, shpirtërisht e prish këtë lloj agjërimi.