Pse çdo gjë mbështetet në vdekjen? Për shembull, jeta e kafshëve është e lidhur drejtpërsëdrejti me vdekjen e bimëve; ajo e njerëzve, me vdekjen e kafshëve…
Si pasojë e faktit që Krijuesi, i cili e administron materien, nxjerr në shesh, nga gjërat më të ulëta e më të pavlera, madje nga qeniet më të rralla, krijesat më të veçanta, i Cili çdo gjëje i dhuron ripërtëritje të vazhdueshme, duke i shtyrë dhe nxitur të gjitha qeniet drejt përsosjes, si pasojë e kësaj, në botën e gjallesave, nga kreu në fund, secilin grup e ndjek një lindje ashtu siç edhe në çdo zonë të tokës dita përzë natën, drita ia lë vendin errësirës, dhe në saje të këtij rregulli marramendës, merren, në mënyrë të pandërprerë, fryte të reja, të freskëta, që s’të velin e s’të bëhen të mërzitshme, ashtu siç jeta ndjek vdekjen nga pas edhe brenda marrëdhënieve diell-tokë…
Tani le të qëndrojmë shkurt mbi këto specifika, vetëm se, para së gjithash, na duhet ta njohim vdekjen më së miri.
Vdekja, natyrisht, s’është një fund, një konsumim vetjak apo një asgjësim një herë e përgjithmonë. Ajo është një ndërrim vendi, gjendjeje, dimensioni dhe arritja e qetësisë a mëshirës duke u çliruar prej lodhjes dhe mundimeve të detyrës që bart mbi supe. Mandej, ajo është kalimi i çdo gjëje tek zanafilla dhe e vërteta e vet.
Nisur nga kjo konsideratë, vdekja është tërheqëse sa edhe jeta, gëzimndjellëse sa edhe bashkimi me miqtë dhe një e mirë a begati sa edhe arritja e pavdekësisë.
Materialistët që s’mund ta shohin këtë të vërtetë të vdekjes, e kanë përshkruar atë gjithmonë si diçka rrëqethëse, duke i thurur asaj elegji zemërpërvëluese. Gjendja e fatkeqëve të djeshëm e të sotëm, që s’kanë mundur ta njohin të vërtetën e vdekjes, ka vazhduar thuajse në të njëjtën vijë.
Me të vërtetë, vdekja, meqë është ndarje, është një ndodhi me ndikim mjaft të madh në mendjen dhe tërë qenien komplekse të njeriut. Ashtu siç nuk mund të mohohet tërësisht ky ndikim, edhe gjuha e zemrës nuk mund të lidhet. Sidomos furtunat që vdekja mund të shkaktojë , qoftë edhe përkohësisht, në ndjesitë delikate dhe në shpirtrat e ndjeshëm, janë jashtëzakonisht tejet tronditëse. Për të tillët, besimi mbi ringjalljen pas vdekjes, e bën këtë të fundit një ndodhi harresëndjellëse ndaj të gjitha hidhërimeve, madje që të jep një gëzim të jashtëzakonshëm ashtu siç do t’i ndodhte lypësit nëse do t’i dhuronin një mbretëri apo dekretin e jetës së pafundme, personit që do të ekzekutohet.
Prandaj edhe vdekja, në sy të atyre që e kanë njohur të vërtetën e saj është një lirim prej detyre, një ndërrim mjedisi dhe udhëtim në një botë ku ndodhen nëntëdhjetë e nëntë përqind e miqve dhe e të dashurve tanë; kurse për ca të pafatë që s’kanë mundur kurrsesi ta njohin të vërtetën, por vetëm pamjen e jashtme tronditëse të saj, ajo është vetëm një xhelat, një gijotinë në pritje, një pus i pafund, një korridor i errët…
Ata që e konsiderojnë vdekjen si pikënisjen e një ekzistence të dytë e të përjetshme, me të ndjerë në zemër flladet e ëmbla të saj, para syve fillojnë t’u çelen pranverat. Kurse mohuesit, të privuar prej kësaj kënaqësie dhe hareje që të jep ky besim, çdo çast që u vjen ndërmend vdekja, hyjnë e dalin në skëterrën që e mbajnë gjallë në ndërgjegje përmes vuajtjeve e anktheve pambarim që i shkakton kujtimi i saj. Megjithatë, po të ishte fjala vetëm për vete, kjo nuk do të ishte kushedi se çka, por puna është se ata heqin e vuajnë edhe për të gjitha qeniet dhe gjërat me të cilat kanë pasur lidhje në këtë botë, që ua kanë shijuar dashurinë e kënaqësinë, përjetojnë në zemër edhe vuajtjen e tyre duke u kërrusur më dysh prej peshës së dhimbjeve.
Vdekja, në syrin e njeriut që beson, është një ndërprerje, një pushim nga vështirësitë e jetës dhe problemet e kësaj bote, si dhe identiteti simbolik i tyre; është një përsosje në trajtën e vazhdimit të ekzistencës në botë të tjera me cilësitë esenciale të tyre, është një progres dhe përftim i një cilësie më të lartë.
Po, nisur nga çelja e gonxhes së ekzistencës së përjetshme për njeriun dhe e shpëtimit të tij nga hallet e jetës, vdekja është një e mirë e madhe dhe dhurata hyjnore më e vyer për njeriun. Por ç’e do se, ashtu si çdo progres dhe përsosje, për rrjedhojë, çdo favor dhe meritim janë të kushtëzuara nga kalimi në ca distilatorë dhe shkrirja e trajtësimi nëpër disa kallëpe, ashtu edhe të gjitha qeniet ngjiten drejt nivelesh më të larta nëpërmjet një rruge të tillë tretjeje, pastrimi nga skorjet dhe përqendrimi. Për shembull, mineralet e arit e të hekurit vetëm pas vdekjes, domethënë pas tretjes, pastrimit nga lëndët e huaja dhe arritjes së përqëndrimit të tyre, mundësisht qindpërqind, arrijnë të paraqiten me pamjen e tyre të vërtetë. Përndryshe, janë të dënuar të vazhdojnë të qëndrojnë ashtu, si dhé e gurë, me një trajtë antagoniste me të vërtetën e tyre.
Kur të përdorim edhe te gjërat e tjera analogjinë e arit e të hekurit, kuptojmë se perëndimi i çdo gjëje në një pikë të caktuar, shkrirja dhe konsumimi, edhe sikur të duken në pamje si asgjësim, në të vërtetë s’janë gjë tjetër veçse kalim në një gjendje tjetër, më të lartë.
Ndërsa çdo gjë, që nga atomet dhe molekulat e ajrit, e deri te qelizat e gjallesave shkojnë drejt vdekjes me një dëshirë të jashtëzakonshme dhe me kënaqësinë më të madhe, në vetvete vrapojnë drejt përsosmërisë së paracaktuar. Kur hidrogjeni dhe oksigjeni hyjnë në sintezë me njëri-tjetrin, nisur nga cilësitë e tyre specifike, vdesin, ndërkaq që rilindin në një trajtë tjetër si elementi më jetësor për të gjitha qeniet!
Prandaj ne, humbjes me anë të vdekjes i themi ndërrim mjedisi, ndërrim gjendjeje dhe kurrsesi konsumim ose asgjësim. E si mund të themi, kur duke filluar nga substancat më të imta e gjer te kombinimet trupore më të ndërlikuara, të gjitha ndryshimet që ndodhin pandërprerë në gji të gjithësisë, kalimet nga një gjendje në një tjetër, kompozimet e dekompozimet japin një rezultat të ri, më të mirin, më të bukurin, më të freskëtin? Kësaj mund t’i thuhet ç’mund t’i thuhet, udhëtim dhe xhiro e qenieve mund t’i thuhet, por kurrsesi ecje e tyre drejt zhdukjes!
Nga një këndvështrim tjetër, vdekja, në sy të të zotit të gjithçkaje (domethënë Zotit) është, për një subjekt të caktuar, qarkullimi në detyrë, dorëzimi i një detyre dhe marrja në dorëzim e një detyre të re. Çdo qenie është e ngarkuar me detyrën për të bërë parakalimin zyrtar, në vijën e shënuar posaçërisht për të, para Individualitetit që i ka dhënë asaj ekzistencë. Me të mbaruar ceremonia, pasi të jenë shqyrtuar fotot e kërkuara, largimi i saj përbën domosdoshmërinë e ardhjes së të tjerave qenie në vend të saj, e shpëtimit të skenës nga monotonia dhe e përftimit të vazhdueshëm të gjallërisë për të me anë të gjërave ndër më të freskëtat e më të rejat. E kështu, qeniet dalin në skenë si figura skenike, luajnë rolin që u përket, thonë fjalët që kanë për të thënë dhe kthehen atje, në prapaskenë, në mënyrë që edhe të tjerët të gjejnë mundësinë të luajnë e të tregojnë veten e tyre, ndërkaq, duke dalë në shesh, në këto vajtje-ardhje, gjëra të reja, gjallesa të reja tejet tërheqëse.
Duke e vështruar çështjen nga një pamje tjetër, në këshillën e heshtur të vdekjes thuhet se as edhe një qenie nuk qëndron vetë në këmbë dhe me mundësitë e veta; çdo gjë që lind e vdes si të ishte një dritë që ndizet e shuhet duke i shërbyer si argument ekzistencës së një drite, një dielli të përjetshëm, u bën të njohur zemrave të thyera që rënkojnë nën kthetrat vrasëse të vdekjes dhe humbjes, rrugën e vlerësimit e të arritjes së prehjes e të kënaqësisë. Me fjalë të tjera, fakti që gjërat pas të cilave patëm lidhur zemrën, ikin e shkojnë pa kthyer kokën pas, na zgjon neve ndjenjën për të kërkuar një të dashur që nuk vdes, një të dashur të amshuar. Kurse zgjimi i një ndjenje të tillë është, në botën tonë ndjesore, etapa e parë në rrugën drejt arritjes sonë në përjetësi. Ja pra, vdekja është në funksionin e një ashensori enigmatik që e merr dhe e ngjit njeriun në këtë etapë të parë.
Për rrjedhojë, më shumë se ta shohësh vdekjen dhe humbjen si një shpatë që kosit e pret gjithandej, është më afër mendjes që ta shohësh si një dorë që shërben e rregullon, që sharton, si një bisturi që kryen një ndërhyrje kirurgjikale me synim përmirësimin. Pra, ta shohësh vdekjen dhe humbjen si një individualitet më vete, është një botëkuptim i çalë e i gabuar, sepse kurrsesi nuk bëhet fjalë për mosqenie absolute. Përkundrazi, çdo gjë, e cila, sipas dimensioneve të ngushta të vëzhgimit tonë, humbet, me tiparet e saj konvencionale dhe esenciale e vazhdon ekzistencën e saj nga kujtesa jonë në Visarin e Ruajtur (Leuhi Mahfudh) dhe gjer në kuadrin e gjerë dituror që rrethon tërë materien, në dimensione të ndryshme dhe, në cilësi të ndryshme, në botët metadimensionale. Pothuajse çdo gjë kalbet siç kalbet fara dhe vyshket siç vyshket lulja, por shpirti dhe thelbi i tij arrijnë vazhdueshmërinë te mijëra kallinj dhe gonxhe!
Dhe tani t’i kthehemi pyetjes nga një tjetër këndvështrim.
Ç’do të bëhej sikur çdo gjë të mbështetej jo në vdekjen, por në jetën, domethënë të mos prishej, të mos vdiste e të mos humbej, qenia të vërtitej vazhdimisht në procesin e krijimit, kurse materia dhe dukuritë, të funksiononin në mënyrë të njëanshme?
Së pari, le të themi se, sikur vdekja të mos ishte një vepër urtësie dhe mëshire, pavdekshmëria e përgjithshme do të ishte një kotësi dhe fatkeqësi e atillë e tmerrshme, saqë po të kishim mundësinë ta përfytyronim, njerëzit nuk do të qanin për vdekjen, por do të vinin kujën për pavdekësinë!
Pa mendoni një herë, në kushtet kur asgjë nuk do të vdiste, duke liruar vendin, prej nga shekujt e parë jetesa do të bëhej e pamundur jo më për njeriun, por edhe miza s’do të gjente mjete e mundësi për të jetuar! Sikur nga gjallesat të jetonin vetëm milingonat dhe nga bimët vetëm lianat. Mandej, asnjë milingonë të mos vdiste e asnjë lianë të mos thahej, brenda një shekulli trashësia e shtresës së lianave e të milingonave do të afrohej në qindra metra. Kur mendon një tabllo të tillë të neveritshme e të frikshme, a është e vështirë të kuptosh se vdekja është mëshirë dhe dekompozimi është urtësi?
Sidomos, sa përqind prej dukurive marramendëse që i vërejmë sot në tokë, do të mund të shihnim në pamjen monotone të atij lëmshi prej lianash e milingonash? Vallë këto do të ishin veprat artistike mahnindjellëse në themele të së cilës qëndron urtësia e krijimit të botës për të cilat ajo është hapur? Cilën bukuri të Artistit të shkëlqyer do të mund të shihnim në atë pamje të errët? Nga ajo fytyrë antipatike do të merrnin vrapin edhe qeniet më të ulta, sikur të ekzistonin!
Nga ana tjetër, në administrimin e kësaj gjithësie gjigante ka një urtësi të tillë të jashtëzakonshme, saqë s’bie në sy as grimca më e vogël e shpenzimit dhe e kotësisë. I Zoti i Urtësisë Absolute, i cili nga gjërat më të ulëta e më të pavlefshme nxjerr në dritë gjërat më të vyera, sigurisht që asgjë s’do të shpenzojë. Gërmadhat dhe mbeturinat do t’i përdorë në vende të tjera dhe do të krijojë botë gjithnjë të reja. Sidomos molekulat që u shërbejnë shpirtit dhe esencës së gjallesave, veçanërisht të njerëzve të zgjedhur, që Ai i merr pranë vetes, pa dyshim që do t’i përdorë në mënyrën më të mirë dhe do të krijojë me to krijesa të reja e simpatike. Përndryshe, nëse këto krijesa të përkëdhelura, të cilave u pat dhënë në fillim vlerë, duke i quajtur të denja për ekzistencë, po t’i braktiste si gërmadha, do të kryente një veprim që do të ishte në kundërshti me urtësinë e Tij universale, gjë që s’mund të ndodhë me Individualitetin e Lartë Hyjnor.
Si përfundim, mund të themi se e gjithë materia, nisur nga sistematika dhe rregulli që karakterizohet dhe mënyra se si administrohet, është, për mendjet e kthjellta dhe zemrat që kuptojnë nga kënaqësia, e rregulluar saktë dhe në një trajtë aq të mrekullueshme, saqë të bëhet burim për frymëzime poetike. Ajo çka vëzhgohet në natyrë në lëvizjen dhe zbërthimin atomik, në kalimin e bimësisë nga një trajtë në tjetrën, në vrapimin vetasgjësues të lumenjve për t’u derdhur në det, në avullimin, gjithashtu vetëmohues, të detrave drejt qiellit dhe, më pas, rënien në trajtë shiu dhe humbjen në tokë, është se çdo gjë është rend nga një trajtë më e ulët drejt një trajte më të lartë, mes një kënaqësie të pangopur dhe një padurimi të pafund.
Ç’është kjo botë që e lëkund mendimin prore?
Para syve na kalojnë mrekullitë e Fuqisë Hyjnore:
Janë buzëqeshjet qiellore që shpërndau Hyu që atje,
Valëzime ngjyrash nga qielli lart, e gjer mbi dhe;
Janë mëngjesi pranveror i barit, i maleve e deteve,
E si të mos jesh poet i këtyre buzëqeshjeve?
Abdulhak Hamid.