PROFETI UZEJR (A.S.)

Fshati i profetit Uzejr po jetonte një ditë pa gjallëri e plot vapë, nën pikun e diellit. Profeti Uzejr (a.s.) mendoi se kopshti do ishte përzhitur nga thatësira e nuk do kishte mbetur më asnjë shenjë gjallërie në të. Kopshti i tij ishte në një vend jashtë fshatit, disi larg prej tij; atje të çonte një rrugë si shteg, që kalonte pranë mbetjeve të një qyteti, dikur të stërmadh e plot jetë, kurse tani, i shkatërruar nga një fatkeqësi e madhe dhe i katandisur në një varrezë të banorëve të tij të dikurshëm.

Uzejri mendoi se pemët po digjeshin nga thatësira dhe vendosi t’i vadiste ato me çdo kusht. Ai ishte një profet (a.s.) që i ishte dërguar Izraelitëve. Ishte një njeri shumë i ditur.

Në mesditë, ndërsa dielli ishte ngjitur në zenit, ai mori gomarin e vet dhe doli për rrugë. Kur arriti atje, pa se pemët kishin nisur të zverdheshin nga mungesa e ujit. I ujiti me bollëk, pastaj mblodhi ca fiq e ca rrush, i vuri në kanistër dhe mori rrugën e kthimit. Rrugës nisi të planifikonte punët që e prisnin. Së pari duhet të nxirrte Teuratin nga vendi ku e kishte fshehur për ta vendosur sërish në faltore. Para pak kohësh armiqtë kishin sulmuar fshatin e tyre dhe kishin dashur t’ia rrëmbenin Teuratin nga duart për ta djegur. Banorët e tij kishin bërë një sakrificë të jashtëzakonshme për ta mbrojtur atë. Iu kujtua fëmija i tij dhe një buzëqeshje i kaploi fytyrën. Dëshira për ta puthur e përqafuar atë e bëri të shpejtonte rrugën për në shtëpi. Duke ecur, arriti pranë varrezës së vjetër.

Vapa kishte arritur në atë gradë që të vlonte koka. Edhe kafsha ishte lodhur e ishte bërë qull në djersë. Aty pranë varrezës, Uzejri vendosi të pushonte pak. Ishte e pamundur të vazhdonte nën atë diell. Me këtë rast hante drekën. Uzejri u afrua te një gërmadhë, që dikur kishte qenë shtëpi e tani ishte varrezë dhe zbriti nga gomari. Gjithë ai vend ishte gërmadhë. Nxori pak ushqim e pak fruta nga çanta dhe u ul të hante. U mbështet dhe ndërsa po çlodhej nga pak, hodhi vështrimin përreth.

Gjithçka ishte e shkretë dhe e shkatërruar. Nuk të zinte syri kurrfarë shenje gjallërie asgjëkundi. Dikur ata që kishin qenë mure shtëpish, tani ishin pirgje me gurë. Ca kolona të bëra copë ishin dëshmia e fundit që njëherë aty kishte pasur një qytetërim madhështor. Duke hedhur sytë andej-këndej mbi gjurmët konkrete të vdekjes, Uzejrit i zunë sytë edhe disa kocka të thara, të kushedi cilit të vdekur, që si duket, kishte mbetur mbi dhé, a kishin dalë sipër gjatë fatkeqësisë. Ndjeu mbi shpinë drithërimën frikësuese të vdekjes dhe u rrënqeth. “O Zot, mendoi me vete, cila forcë është ajo që do i ringjallë sërish këta?” Duke parë ato kocka të thara e të pluhurosura, nuk arrinte ta imagjinonte se si Zoti sërish do i vishte jetë. Nuk kishte asnjë pikë dyshimi në atë pikë, që Zoti do i ringjallte sërish, po mahnitej nga ajo forcë e pakapshme dot për mendjen e njeriut, që do i ringjallte prapë. Ishte më tepër një çudi e përzier me admirim e mahnitje, kjo e tija. Dhe pa e mbaruar mirë mendimin e tij, Uzejri, pikërisht në atë vend që ishte, ra e vdiq. Zoti (xh.sh.) dërgoi menjëherë engjëllin e vdekjes dhe ia mori shpirtin. Duke parë të zotin aty pranë pa frymë e të palëvizur, gomari u shtri dhe ngeli ashtu. Kur u zbardh sërish, gomari u ngrit në këmbë dhe deshi të ecte, por nuk mundi dot. Sado që u përpoq, një forcë e padukshme e mbante të lidhur në vend dhe ai mbeti aty derisa ngordhi.

Njerëzit e fshatit kur e panë se Uzejri po vonohej, vendosën të dilnin e ta kërkonin. Menduan se do të ishte në kopshtin e vet, por nuk ishte. Pastaj shikuan në çdo vend ku ai kishte mundësi të shkonte, por nuk gjetën asnjë gjurmë të tijën asgjëkund. Grupe-grupe kërkuan fushat e malet përreth, po as ai, as kafsha e tij nuk dukeshin.

Në fakt, njerëzit kaluan disa herë pranë varrezës ku gjendej Uzejri, por aty ishte një heshtje varri. Nuk kishte as edhe një gjurmë jete, as edhe një shenjë të vetme, prandaj nuk i zgjatën shumë kërkimet aty. Aq me tepër që ato gërmadha i ngjallnin kujtdo tmerrin. Thirrën nja dy-tri herë dhe si nuk morën përgjigje, e lanë me kaq.

Me kalimin e ditëve, njerëzit i prenë shpresat nga Uzejri (a.s.). Fëmijët qanë e u pikëlluan shumë, se kishin mbetur pa baba, e shoqja derdhi lotë për një kohë të gjatë, gjithashtu. Por jeta është e çuditshme, koha edhe pushon të qarat e than lotët, edhe lehtëson dhembjet e mallin. Kështu edhe Uzejri, edhe dhimbja për të me kalimin e kohës u harruan. Njerëzit vazhduan jetën e tyre të përditshme.

Pas kësaj ngjarjeje kaluan shumë vite.Një ditë Zoti vendosi që Uzejri të zgjohet. Dërgoi engjëllin Xhebrail që t’i jepte sërish dritën e jetës, zemrës së tij. Donte që t’i tregonte Uzejrit konkretisht se si ngjalleshin të vdekurit. Që nga dita që kishte vdekur Uzejri, kishin kaluar plot njëqind vjet. Kockat i ishin shpërndarë nëpër dhé. Megjithatë, kockave të bëra pluhur, iu dha forma e dikurshme, iu vesh mish e lëkurë. Pastaj, me forcën e Zotit, atij trupi iu dha shpirt. Kështu Uzejri u ngrit nga vendi që kishte rënë, gjallë e i shëndoshë.

U ul ndenjur dhe fërkoi sytë. Sapo ishte zgjuar nga një gjumë njëqind vjeçar i vdekjes. Pa përreth, ishte te varreza. U kujtua se ishte ndalur bashkë me gomarin për të pushuar pak gjatë rrugës së kthimit. Siç duket e kishte zënë gjumi. Dielli i fortë i drekës duhet t’i kishte rënë në kokë e ai kishte fjetur pa e marrë vesh aspak. Tani dielli ishte në të perënduar.

–     Paskam fjetur shumë! – tha me vete. Gati po erret.

Xhebraili (a.s.), që e kishte zgjuar prej gjumit, iu afrua dhe e pyeti:

–     Sa kohë ke që po fle?

Ai e pa i çuditur. Siç duket po e pyeste sa orë kishte fjetur.

–     Që në drekë, apo jo? Apo kam që dje në gjumë?

–     Ke njëqind vjet që po fle, – i tha Xhebraili. Ke njëqind vjet që je i vdekur. Atëherë t’i mendoje i mahnitur forcën që ringjall të vdekurin dhe Zoti deshi të ta tregonte ty këtë më së miri. Tani u ringjalle sërish.

Uzejri ngeli i mahnitur. Vendin e çudisë në zemër, e zuri një besim tepër i thellë.

–     Pa shikoji ushqimet tuaja! – i tha engjëlli, nuk kanë ndryshuar aspak.

Vërtet që ushqimet ishin sikur i kishte lënë. Pa fiqtë, pjatën me ushqim që i kishte përgatitur vetes. Ishin njëlloj. Si ishte e mundur? Uzejri u shokua sërish. Ato fiq e rrush duhet të prisheshin brenda pak orëve, si mund të kishin kaluar njëqind vjet e të rrinin siç ishin?

Xhebraili (a.s.) i kuptoi mendimet që kalonin nëpër kokën e Uzejrit dhe menjëherë i tregoi diçka:

–     E sheh këtë? Është gomari yt.

U kthye nga vendi që i tregoi engjëlli, po pa vetëm pluhurin e kockave të bërë si miell.

–     A doje të shihje me sytë tuaj mrekullinë e ringjalljes? Atëherë shih në tokë, shikoje dheun. Më parë kjo ishte kafsha jote, – i tregoi Xhebraili.

Me urdhrin e Zotit, engjëlli mblodhi kockat. Të gjithë kockat erdhën e u bashkuan duke marrë formën e një skeleti. Pastaj engjëlli komandoi nervat, muskujt e gjithçka tjetër të merrnin gjendjen e tyre të mëparshme. Më në fund u duk edhe lëkura e kafshës. Po ajo ishte ende e shtrirë aty, pa shpirt. Pastaj engjëlli urdhëroi shpirtin të vishte trupin. Sapo i erdhi shpirti, gomari u hodh nga vendi, tundi bishtin dhe nisi të ulërinte, se ishte shumë i uritur.

Uzejri kishte parë me sytë e vet mrekullinë e ringjalljes. Kthimin e të vdekurve, të bërë tashmë pluhur, në trupa të gjallë e plot jetë… Ende ishte nën shokun e ngjarjes, kur tha:

“Çdo qelizë e imja e di, se forca e Zotit bën gjithçka.”

Pastaj Uzejri hipi në gomar dhe mori rrugën e fshatit. Njëkohësisht, Zoti (xh.sh.) donte që mrekullinë e tij ta dëshmonin edhe njerëzit e tjerë, sepse njerëzit që do shihnin sërish Uzejrin e vdekur do ta kishin shumë më të lehtë ta konceptonin ringjalljen dhe jetën pas vdekjes.

Kishte nisur të errësohej. Megjithatë rruga e fshatit iu duk aq e huaj, aq e panjohur, sa nuk po dinte nga t’ia mbante. Rrugët, shtëpitë, njerëzit, gjithçka, gjithçka kishte ndryshuar. As edhe një gjë që të kujtonte vendin e tij. As edhe një fytyrë e njohur nëpër rrugë. Atë ditë që kishte ikur nga fshati, kishte qenë dyzet vjeç. Kurse tani ishte njëqind e dyzet. Po nga pamja e jashtme nuk kishte pësuar as më të voglin ndryshim. Po kthehej ashtu siç kishte shkuar. Krejtësisht i njëjti. Kurse fshati kishte ndryshuar shumë. E çfarë nuk kishte ndodhur për njëqind vjet! Shtëpitë e vjetra ishin shembur, në vend të tyre ishin ndërtuar të reja; rrugët kishin ndryshuar.

“Duhet të gjej ndonjë njeri të moçëm, që më mban mend”, mendoi Uzejri. Kërkoi e kërkoi nëpër fshat, më në fund gjeti shërbyesen e tyre. Kur kishte vdekur, ajo sapo kishte mbushur të njëzetat.. tani ishte njëqind e njëzet vjeçe. Beli i ishte kërrusur, dhëmbët i kishin rënë, ngjante më fort me një grusht kockash mbështjellë me lëkurë. Iu afrua dhe e pyeti:

–     O grua zemërmirë! Nga ç’anë është shtëpia e Uzejrit?

Sapo dëgjoi emrin e Uzejrit, gruaja nisi të qante:

–     Oh, oh. Të gjithë e kanë harruar atë. Para njëqind vjetësh doli prej shtëpie e nuk u kthye më! Zoti e mëshiroftë!

–     Zonjë, Uzejri jam unë, – i tha profeti plakës. A nuk më njohe? Zoti më mbajti për njëqind vjet të vdekur, pastaj sot më ringjalli prapë.

Kur tha kështu, plaka e pa e hutuar. Në fillim nuk e besoi aspak, e si mund t’i besonte? Diçka e tillë as ishte parë dhe as ishte dëgjuar. Megjithatë Uzejri kishte qenë njeri i Zotit, ku i dihej:

–     Ti thua se je Uzejri. Ai ka qenë njeri i lumturuar, çdo lutje i pranohej. Lutu atëherë për mua që të më hapen sytë e të më kthehet fuqia e dikurshme në trup, pastaj të shohim.

Uzejri ngriti duart dhe nisi të lutej për gruan. Gruas iu kthye shikimi dhe në trup i vërshoi forcë jete e gjallërie sapo Uzejri mbaroi lutjen.

Atëherë gruaja ia nguli sytë dhe e pa gjatë. Vërtet që ishte pikërisht ai, Uzejri. Menjëherë gruaja e moçme nisi të rendte nëpër rrugë si flutur e të thërriste me sa fuqi që kishte:

–     Uzejri u kthye! Uzejri u kthye!

Kur dëgjuan fjalët e gruas, njerëzit menduan se ajo do ishte çmendur pa diskutim. Po fuqia dhe shikimi që i ishte kthyer gruas, i bënë të dyshonin. Menjëherë u mblodh paria e fshatit. Mes tyre ishte edhe nipi i Uzejrit. I ati i kishte vdekur, kurse ai i kishte kaluar të tetëdhjetat. Kurse gjyshi i tij ishte dyzet vjeç! Kur dëgjuan ngjarjen nga goja e Uzejrit, të gjithë ngelën pa mend. Nuk dinin si të vepronin. A ta besonin, apo jo? Njëri prej të urtëve iu drejtua Uzejrit dhe e pyeti:

–     Nga baballarët e gjyshërit tanë kemi dëgjuar se Uzejri ka qenë një profet. Një ditë ai kishte fshehur Teuratin, që ta mbronte nga armiqtë, që donin ta digjnin. Nëse vërtet ti e di se ku është Teurati, domethënë thua të vërtetën, nëse nuk e di, ti nuk ke se si të jesh Uzejri.

Uzejri u gëzua.

–     Këtë unë e gjej menjëherë, – tha dhe rendi për te vendi ku para njëqind vitesh kishte fshehur Teuratin.

Me të vërtetë që libri ishte aty. Atëherë njerëzit besuan se me të vërtetë ai ishte Uzejri, i cili pasi kishte ndenjur njëqind vjet i vdekur, ishte ngjallur sërish. Ngjarja e Uzejrit (a.s.) ishte një mrekulli e vërtetë për njerëzit dhe shumë prej tyre gjetën shkas për të besuar Zotin.

Teurati ishte vjetruar dhe fletët i ishin zverdhur. Atëherë Uzejri u ul dhe e shkroi sërish, që njerëzit të kishin në dorë një libër më të qëndrueshëm, por krejt të njëllojtë me të parin në përmbajtje.

Pas vdekjes së Uzejrit (a.s.), legjenda u ngatërrua me paditurinë e Izraelitëve dhe ata thanë për Uzejrin që ishte bir i Zotit.

Vërtet që Zoti ynë është shumë larg prej diçkaje të tillë. Sepse në Kuran, Zoti (xh.sh.) thotë:

Thuaj, Ai, Zoti është Një. Çdo gjë ka nevojë për të. Ai nuk ia ka nevojën askujt dhe asgjëje. As ka lindur kënd dhe as nuk është i lindur. Dhe asgjë nuk është e barabartë me Të”.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: