Prindërit janë pasqyrë për fëmijët e tyre
Çdo prind mysliman, në mënyrë mjaft të natyrshme, mendojnë t’i edukojnë fëmijët në formën e një pjese të shëndoshë e të përkryer të asaj shoqërie ideale të cilën përpiqemi ta përfytyrojmë dhe përvijojmë sipas Kuranit. Por nëse këto ndjenja të tyre nuk reflektohen në jetën praktike dhe nuk thellohen me adhurime të tilla si namazi, agjërimi, haxhi, zekati, ose, më e drejta, fjalët e bukura që u thonë me gojë, nuk i përforcojnë me veprime dhe sjellje të bukura, po qe se këto veprime dhe sjellje nuk duken më të bukura se fjalët, rezultati do të jetë i dobët ose i paqenë; pa le kur prindërit bëjnë të kundërtën e atyre që thonë apo këshillojnë! Prindërit që dëshirojnë që fjalët e tyre t’u shkojnë tek fëmijët, më së pari duhet t’i jetojnë vetë thellësisht.
Po përcjell këtu një rrëfim që i atribuohet imam Adhamit: Në atë kohë, na ishte një djalë që i bënte dëm mjalti dhe, me gjithë këshillat për të mos ngrënë, djali vazhdonte të hante. Ndërkaq, një ditë, e marrin djalin për dore, e çojnë te Imami dhe i thonë: “Këtij djali i bën dëm mjalti, por ai, megjithëse e këshillojmë, vazhdon të haje!” Imam Adhami u thotë: “Merreni djalin e shkoni dhe sillmani pas 40 ditësh!” Pas dyzet ditësh e çojnë përsëri djalin te imami, i cili e merr djalin para vetes dhe e këshillon të mos hajë mjaltë. Djali ngrihet nga vendi, ia puth dorën të atit dhe i thotë: “Baba, nuk kam për të ngrënë më mjaltë!” Atëherë, të pranishmit e pyesin imamin: “O imam, pse nuk e këshillove djalin kur e sollëm për herë të parë por na bëre të prisnim dyzet ditë?” Dhe ja ç’përgjigje u jep imam Adhami:
“Atë ditë që ma prutë djalin, unë kisha ngrënë mjaltë. Po qe se do të përpiqesha ta bëjë djalin të hiqte dorë nga një gjë që e kisha bërë vetë, ka shumë mundësi që të mos dukesha i besueshëm para tij dhe fjala ime të mos zinte vend. Gjatë këtyre dyzet ditëve, unë jo vetëm që s’hëngra më mjaltë, por e hodha atë krejtësisht nga trupi. Në këtë gjendje desha ta këshilloj djalin!”
Krahas fjalës së drejtë, ka shumë rëndësi veprimi i drejtë. Në sy të fëmijës, kundërshtia mes fjalëve dhe veprimeve tuaja e trondit besimin e tij tek ju. Në jetë, sikur edhe një herë të vetme t’ju kapë fëmija në gënjeshtër ose në kundërshti mes fjalëve e veprimeve apo sjelljeve tuaja, për sa kohë do ta bartë këtë në mendje, në sytë e tij ju do të vazhdoni të mbeteni një njeri që s’i besohet. Po qe se pastaj, më vonë, nga sjelljet tuaja rrjedh ndonjë pakënaqësi e vogël, ajo del në mbivetëdijë dhe, në vështrimin e fëmijës, ju shiheni si dikush për të cilin ndihet neveri. Për pasojë, fjalët tuaja s’gjejnë aspak pasqyrim tek ai. Ata duhet të shohin tek ne seriozitet, rëndësi, ndjeshmëri dhe duhet të na besojnë gjer në fund. Ja, pra, prindërit që arrijnë me sukses t’i përcjellin mendimet dhe ndjenjat me një rrugë të tillë, quhen mësuesit më të suksesshëm.