PËRULËSIA, THJESHTËSIA, MODESTIA

Falënderimet e panumërta i qofshin Allahut të Madhëruar, Krijuesit të botëve, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dërguarin e fundit, profetin Muhamed, mbi familjen dhe shokët tij, si dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e Profetit të fundit deri në ditën e fundit të kësaj bote.

Thjeshtësia është e kundërta e kryelartësisë. Thjeshtësi do të thotë të pranosh veten si një njeri mes njerëzve apo si një pjesë e zakonshme e krijimit, të mos shohësh asnjë vlerë personale te vetvetja, ta shohësh veten si më të parëndësishmin e krijesave. Një fjalë e urtë thotë: Ji mes njerëzve, njëri prej njerëzve.

Një sahabi sheh Omerin r.a. me një enë në shpatulla, duke mbartur ujë, dhe e pyet me habi: “Ç’është kështu, o kalifi i të Dërguarit të Allahut!” Ai i përgjigjet: “Kishte ardhur një delegacion nga vende të huaja dhe unë ndjeva brenda meje diçka; atë ndjesi desha ta thyej.” Sikurse mbajtja prej tij e miellit në kurriz, të folurit kundër vetvetes në minber, apo heshtja kundrejt kritikuesve, që e kritikonin hapur, përbëjnë një prej mënyrave të vënies nën kontroll të nefsit.

Allahu në Kur’anin Fisnik, si dhe i Dërguari i Allahut a.s. në Sunetin e tij, dëshmojnë aq shumë për thjeshtësinë, saqë atij që dëgjon e mëson për këta shembuj, nuk i mbetet asnjë dyshim se të robëruarit e vërtetë ndaj Zotit s’është veçse thjeshtësi e përulësi. Kur’ani shprehet kështu për modestinë: “Robërit e vërtetë të Mëshiruesit janë ata që ecin në tokë me thjeshtësi e me kryet të ulur. Kur ata ngacmohen prej injorantëve, thonë: ‘Paqe!’ dhe vazhdojnë rrugën” (Furkan, 63). “Ata me njëri tjetrin janë shembuj të dhembshurisë e të mëshirës.. kurdoherë i gjen të përkulur në ruku e të përulur në sexhde duke kërkuar kënaqësinë e Allahut xh.xh!” (Fet’h, 29)

Profeti ynë (paqja e Zotit qoftë mbi të), gjithashtu thotë: “Allahu më ka urdhëruar që ju të jeni të thjeshtë e të përulur… dhe që askush të mos lëvdojë veten përballë askujt.”[1]“A t’ju rrëfej për atë njeri që nuk do ta cenojë zjarri? Zjarri nuk i prek ata njerëz që janë pranë Allahut dhe pranë njerëzve, me natyrë të butë, që shkojnë mirë e bukur me gjithkënd.”[2]“Atë që për hir të Allahut ul sytë përdhé, Allahu e ngre dhe e lartëson; në të vërtetë, ai e nënvlerëson vetveten, por në sytë e krijesave i madh është pikërisht ai.”[3]“O Allahu im, bëmë të më duket vetja i vogël në sytë e mi!”[4]

E në fakt, Profeti i Zotit gjithë jetën e kaloi duke qëndruar kurdoherë në këtë linjë:

Shkonte pranë fëmijëve dhe i përshëndeste.

Nëse dikush, kushdo qoftë, e zinte përdore dhe dëshironte ta merrte me vete diku, ai ngrihej pa ngurruar.

U ndihmonte grave në punët e shtëpisë.

Kur të gjithë merreshin me një punë, edhe Ai merrte pjesë dhe mundohej të punonte me të tjerët.

Rregullonte këpucët, arnonte rrobat, milte dhinë, ushqente kafshët.

Ulej në sofër bashkë me shërbëtorin.

E mbante kuvendin gjithmonë të hapur edhe për të varfrit.

Tregonte vëmendje e kujdes për vejushat dhe jetimët.

Vizitonte të sëmurët, ishte i gatshëm për të qenë i pranishëm në raste vdekjesh dhe i përgjigjej ftesës së skllevërve.[5]

Sepse Allahut i shkon madhështia, kurse njeriut thjeshtësia.

Thjeshtësia, krahas të qenit porta kryesore e moralit hyjnor, është edhe mjeti parësor për të qenë pranë Krijuesit dhe pranë krijesave. Njeriu nuk u krijua në qiej, por në tokë.

Jo më kot besimtari, kur bashkon në sexhde këmbët dhe kryet në të njëjtën pikë, gjendet më pranë Allahut.

Tregohet se në një rast Profeti a.s. kishte vetëm tri monedha. Kishte nevojë të blinte një veshje:

E blen atë dhe, duke u kthyer, takon në rrugë një prej sahabeve të tij, i cili sheh rrobën e re dhe i thotë që është shumë e bukur. – A të pëlqen? – e pyet Profeti (a.s). – Po, – përgjigjet sahabiu. – Atëherë merre, ta kam dhuruar, – thotë Krenaria e njerëzimit (paqja e Zotit qoftë mbi të).

Kështu, i Dërguari i Allahut blen përsëri një rrobë me monedhën e dytë.

Kur kthehet rrugës sheh një vajzë të vogël që po qante. E pyet dhe ajo i tregon se zonja e saj i kishte dhënë një monedhë për të blerë miell, por e kishte humbur. Urdhëro, – i thotë Profeti, duke i dhuruar monedhën e fundit që kishte. Kur vajza thotë, që kishte frikë se zotëria do ta qortonte, sepse ishte vonuar, atëherë Profeti (paqja e Zotit qoftë mbi të) e shoqëron. Kur shkojnë në shtëpinë e zotërisë, ky i fundit nga gëzimi që Profeti a.s. e nderoi me ardhjen e tij, e liron vajzën e vogël.

Kjo ishte madhështia e tij. Ai, teksa hynte pas vitesh të tëra si fitimtar në Mekën, që ishte detyruar ta braktiste dikur, prej thjeshtësisë e përulësisë, e mbante kryet e bekuar të ulur aq sa balli i tij i bekuar të prekte kafshën mbi të cilën qëndronte. Madje mund të thuhet se ai, për 23 vite, në jetën e tij plot e përplot me ngjarje që e shtyjnë njeriun në krenari, kryelartësi e delir madhështie, jo vetëm që nuk shfaqi asnjëherë ndonjë sjellje të kundërt me thjeshtësinë, por të tilla ngjarje u bënë shkak që ai vetëm t’i shtonte thjeshtësinë e përulësinë te vetja.

Elton Karaj

[1] Muslim, Xhennet, 64; Ebu Davud, Edeb, 40; Ibn Maxhe, Zuhd, 23.

[2] Tirmidhi, Sifatu’l-Kijame, 45.

[3] Ebu Nu’ajm, Hiljetu’l-eulija, 7/129.

[4] Shih: Muslim, Zuhd, 14.

[5] Buhari, Istizan, 15; Muslim, Selam, 15; Tirmidhi, Shemail, 78; Musned, VI, 256; Kadi Ijad, Shifa, I, 131.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: