Përkujdesja dentare dhe higjiena orale
Si të kemi dhëmbë të bukur dhe të shëndetshëm?
Për t’u kujdesur në mënyrën më të mirë për dhëmbët dhe për t’i kushtuar shëndetit të tyre rëndësinë e duhur, më parë duhet të jemi të mirinformuar për funksionet e rëndësishme që ata kanë. Funksioni kryesor i dhëmbëve është prerja, copëtimi dhe bluarja e ushqimit. Por krahas kësaj, vlen të përmendet që dhëmbët luajnë rol edhe në shqiptimin e duhur të fjalëve, sidomos të bashkëtingëlloreve: s, t, th etj. Gjithashtu vlen të theksohet se dhëmbët kanë një rëndësi të madhe estetike, një arsye tjetër kjo që mjafton për të na bindur mbi kujdesin që duhet të tregojmë ndaj tyre.
Padyshim që të gjithë dëshirojmë të kemi dhëmbë të bukur e të shëndetshëm, por çfarë duhet të bëjmë që kjo të mos mbetet thjesht një dëshirë? Më poshtë do të paraqesim disa këshilla të thjeshta për t’u realizuar dhe të vlefshme për gjithsecilin prej nesh:
– Çdo gjashtë muaj shkoni te dentisti juaj
– Përdorni, në qoftë se është e mundur, furçë dhëmbësh pas çdo vakti, ose ndryshe bëni larje të rregullt në mëngjes e në mbrëmje.
– Shmangni përdorimin e furçave me fije të ashpra, pasi jo vetëm mund t’ju dëmtojnë mishrat e dhëmbëve, por, si rezultat i kësaj, do të keni ndjeshmëri të paimagjinueshme kur të bini në kontakt me ushqimet e ngrohta apo edhe të ftohta.
– Ndryshoni furçën çdo gjashtë muaj.
– Lajini dhëmbët në çdo sipërfaqe të tyre, dhe në pikën e kontaktit me mishrat, por edhe gjuhën, pasi në këtë mënyrë largoni bakteret e grumbulluara aty dhe shmangni aromën e keqe të gojës.
– Kujdesi në ushqyerje: Ndaloni duhanpirjen, reduktoni konsumin e ëmbëlsirave. Shtoni në menunë tuaj vitaminat esenciale A + D, proteinat, hekurin, acidin folik dhe zinkun. Dentisti është ai që ju përcakton përdorimin e drejtë të të lartpërmendurave.
– Zgjidhni pastë të përshtatshme dhëmbësh në varësi të përdorimit të saj. Për shembull, ka disa pasta specifike për ndjeshmëri ndaj pijeve të ngrohta, apo të ftohta, po ashtu ka edhe të tjera që ndihmojnë në parandalimin e prishjes së dhëmbëve.
– Shmangni përdorimin e dhëmbëve si mjete prerëse.
Pa dyshim që të gjithë jemi të interesuar të dimë si të kujdesemi për të pasur dhëmbë të shëndetshëm dhe të bukur edhe kur jemi jashtë klinikave dentare. Lind pyetja se a ekziston një përbërës natyral që të zëvendësojë pastën dhe furçën e dhëmbëve ?
Është e domosdoshme që dhëmbët të lahen dy herë në ditë, por të ndodhur nën efektin e rutinës së përditshme mund të mos arrijmë ta zbatojmë këtë parim primar, sepse në mëngjes mund të jemi vonë për të shkuar në punë apo në shkollë, ndërsa në darkë mund të ndihemi të lodhur nga aktiviteti i ditës që lamë pas. Kjo mënyrë të vepruari do të çonte në dëmtim të parikuperueshëm të dhëmbëve dhe përkeqësim të shëndetit të tyre, gjë që do të shfaqte efektin e tij në të gjithë organizmin. Për të shmangur këtë pasojë të rrezikshme ne ofrojmë një këshillë të thjeshtë për t’u zbatuar me anë të së cilës ju do të keni efektet e dëshiruara. Përdorni misvak, është e thjeshtë dhe e shëndetshme në të njëjtën kohë. Nuk ka efekte anësore apo përbërës të rrezikshëm kimikë. Zë pak hapësirë dhe mund ta vendosni në xhepin e çantës apo të pantallonave. Përdorimi i tij nuk ju merr shumë kohë.
Pasi mësuam se përdorimi i tij ka vlerë në aspektin praktik, le të shohim sa vlen ai në atë mjekësor dhe fetar. Nga historia islame dimë që Profeti a.s. e përdorte misvakun dhe ia këshillonte këtë edhe shokëve të tij. Transmetohet nga Aishja r.a. se ai ka thënë: “Namazi para të cilit është përdorur misvaku është 70 herë më i vlefshëm sesa ai në të cilin nuk është përdorur ai”.
Për sa i përket aspekteve dobiprurëse të misvakut në terminologjinë mjekësore mund të flasim me fakte shkencore, sepse ka një sërë studimesh shkencore që i vërtetojnë ato. Më poshtë do të paraqesim saktësisht 4 studime shkencore të kryera mbi misvakun dhe çfarë u mësua prej tyre:
- Kompania e famshme Wrigley (e njohur për prodhimin e çamçakëzëve dhe produkteve të mentes) bëri një studim mbi misvakun. Studimi nxori në pah që bashkimi i mentes me ekstraktin e misvakut ishte 20 herë më efektiv në vrasjen e baktereve se sa menteja e zakonshme. Një tjetër fakt që e dëshmon këtë është se pas gjysmë ore bashkimi i mentes me ekstraktin e misvakut kishte vrarë 60% të baktereve, ndërsa me përdorimin e mentes së zakonshme vetëm 3.6% e tyre.
- Në gusht revista e periodontologjisë (2008) realizoi një studim drejtuar nga kërkuesit suedez mbi misvakun. Studimi nxori në pah që copëzat e misvakut ishin në gjendje të vrisnin bakteret dhe të kuronin sëmundjet periodontale. Për këtë arsye shkencëtarët e sugjeruan përdorimin e tij.
- Një studim i kryer nga Pubmed që krahasoi misvakun me furçën e dhëmbëve konstatoi që misvaku ishte më efektiv se furça e dhëmbëve në reduktimin e pllakave dentare dhe infeksioneve të dhëmbëve.
- Në një studim tjetër është provuar fakti se në përbërjen e misvakut përveç përbërësve shumë të dobishëm gjendet edhe një element që nuk gjendet në natyrë në një formë tjetër. Ai është platiniumi.
Po cilat janë dobitë e drejtpërdrejta që vijnë si pasojë e përdorimit të misvakut? Më poshtë do të rendisim disa prej tyre që mendojmë se janë më të rëndësishmet:
- Përmirëson memorien.
- Eliminon papastërtitë që gjenden në dhëmbë.
- Ndihmon në qetësimin e dhimbjes së dhëmbëve.
- Eliminon njollat e verdha në dhëmbë.
- Ndihmon në shëndetin e të gjithë trupit.
- Trajton një sëmundje të gojës që quhet Qilaa.
- Qartëson zërin.
- Përmirëson të folurën.
- Rrit inteligjencën.