O Ti, që je bilbili i mbarë epokës së trëndafilit!

O Ti, që je bilbili i mbarë epokës së trëndafilit! Ti, lajmëtari i ringjalljes në grimëçastin e vdekjes! Ti, burim i dinjitetit të kulluar prej heroizmash historikë! Ti, krijesë mitologjike që na vjen duke rrjedhur prej thelbit të popullit dhe që, për t’i dhënë atij majanë e formimit, shndërrohesh sërish, që të kthehesh sërish tek Ai, duke u shkrirë në të! Edhe njëherë duam t’i bëjmë pishtarë zemrat që na digjen e janë kapluar prej zjarrmisë së mallit për ty, të organizojmë festa pritëse për ty, duke kënduar “këngë përmallimi”, të derdhemi edhe njëherë rrugëve për të të shprehur mirëseardhjen aq shumë të dëshiruar.

Zaten, në çdo kohë që qemë kaq të pikëlluar ty të kemi kujtuar dhe të kërkuam në mijëra këngë epike, për të gjetur frymimet e tua ringjallëse. Kjo ka qenë përpjekja e vetme serioze që kemi bërë.

Ti je kontrolluesi serioz dhe i dhimbsur i të gjitha kohërave prej kur na ka izoluar depresioni! Ti, heroi i së vërtetës që e ke në buzë eliksirin e jetës për shpirtrat e vdekura! Ti, Mesihu dhe Llokmani i shqetësimeve tona të pakapërcyeshme!

Të etur jemi dhe kemi nevojë, njësoj si viktimat e “Qerbelasë”, për shikimet e tua që shkëndijojnë si shkrepëtima, në këto ditë kur ngjyra na është zvjerdhur, pulsi na është rralluar dhe fryma na është kthyer në një hungërimë; në këto ditë që kemi marrë pamjen e një kortezhi mortor dhe na merren mendtë prej erëmimeve prej kamfuri, për fjalën tënde që gjëmon si rrufeja, për forcën tënde paralajmëruese dhe për vullnetin tënd shndërrues, që derdhet me vërtik mbi barkun e kombit dhe hap edhe njëherë rrugët e rilindjes së bashku me të…

Në këtë botë të rënë e të rrënuar, të cilën Jezidët dhe Shimirët e kanë kthyer në një lumë gjaku të derdhur pa faj, ku nuk na ka mbetur asnjë copë atdhe e pambushur me klithma dhe asnjë shtet që të mos e kenë kthyer përmbys. Po, këta zëra që dëgjohen në këto rrënoja, janë ose ulërimat e zullumqarëve, ose vaji dhe klithmat e viktimave.

Çohu! Lëshoja një të rënë shpate këtij zinxhiri të tmerrshëm që i është hedhur qafës së historisë; prishe këtë magji, njësoj si të ishe duke zgjidhur një nyje dhe largoja fatkeqësinë, çliroje popullin tënd! Njësoj siç qe ngjitur me një frymë mbi Ballkane, njësoj siç pate fluturuar si një kalë fluturues mbi Trablusgarp, nga India në Jemen, që i grahje kalit dhe e bëje emrin të dëgjueshëm anembanë…

Eja tani, mos vono më, në këto ditë të zeza që atdheu është shndërruar në një shkretëtirë dhe duart e huaja ia kanë çarë kraharorin si “eskavatorë”; që “erozionet” shoqërore i kanë vënë brezat përpara dhe po i çojnë drejt së panjohurës; që disa këngë, kompozimi i të cilave vjen nga Kina në qoshen tjetër të botës, e e kanë dehur njeriun tënd..!

Eja! Thuaja këngëve të reja për këtë brez tëndin, që për vite me radhë e ka mbajtur veten duke dëgjuar legjendat e vjetra dhe që e ka humbur veten përballë njëmijë e një hileve dhe mashtrimeve të botës së re; këngë të reja që flasin për ty dhe për mua… Me kompozim madhështor dhe të kulluar, si Bedri, të sinqertë dhe të drejtuar kah atdheu i amshuar, e përzemërt dhe vetësakrifikuese, njësoj si lufta jote për çlirim, që kohës i sjell një lavdi të re dhe përfshin mbarë botën në të, si të flasë për një ngadhënjim madhështor…!

Eja! Dhe, përballë këtyre njëmijë humbjeve që e rrëmbyen dhe e zhbënë çdo gjë, jepu shpresën dhe vendosmërinë tënde gjithë zemrave të frikura e shpirtrave që s’u ka mbetur më asnjë fije fuqie, të mund të bëjnë diçka.

 

Eja! Dhe jepi sihariqin e shërimit këtij njeriu fatkeq, që hëngri njëmijë goditje të shpatës, saherë që tha ‘po mjekohem’; që për herë të tëra është shtruar “në ortopedi”, i shqetësuar si Ejjubi (alejhis’selam) dhe sytë të mbushur nga përmallimi njësoj si sytë e Jakubit (alejhis’selam). Çdo dorë e paaftë, apo dashakeqe, që deri më sot është bërë shkas për njëmijë e një ngatërresa, ka bërë diagnostikimet e gabuara dhe kurat që ka dhënë vetëm sa ia ka shtuar edhe më shumë vuajtjet dhe shqetësimet. Trajtimi i tij vetëm për problemet e saj, duke qenë e ngulitur vetëm në kohë dhe në hapësirë, çdo shkëqlim është quajtur yll i fatit, por edhe ai është shuar si një qiri gënjeshtar, duke e shtyrë drejt një humbejeje dhe mungese shprese edhe më të theksuar.

Edhe tani, ai duket sikur nuk ka ndërmend që t’i dorëzohet çdo mjeku që i qaset. Po, me sa duket ai do të shtrëngojë dhëmbët dhe do të bëjë durim derisa ta gjejë doktorin e trishtimit, që do t’ia trajtojë çdo çështje dhe problem në mënyrë rrënjësore dhe gjithëpërfshirëse.

Eja; bëhu ti ky doktor dhe shndërroje në ditë natën e këtyre njerëzve që për vite me radhë kanë dalë nëpër rrugë për të të pritur! Shpjeri ata në horizontet e dritës! Edhe lëvizja jote më e vogël i ka prurë një “ritëm” tjetër çështjeve aq të ngatërruara. Të shumta janë gabimet tashmë të kalcifikuara mirë, e që duken si të pazgjidhshme, por me të hyrë në frymimet e tua shkrirëse ato u copëtuan. Dhe të gjitha qeskat e plazmës që kishin pushtuar trupin e këtij populli si edema filluan pak e nga pak të bien. Po sikur të shihnin e të dëgjonin “aktivitetin” e vërtetë që lind prej teje dhe vullnetin tënd të mbramë…

Si popull, të gjithë ne, me sytë të mbushur nga pikëllimi nuk bëjmë asgjë veçse rrokjezojmë këtë vendim të bekuar dhe presim ditën që ai të hyjë në fuqi.

Mijëra përshëndetje atij Herakliti që mban në dorë fuqinë dhe penën e këtij vendimi historik…!

Postime të ngashme

%d bloggers like this: