Njeriu më dorështrënguar
Tregon Ebu Dherri r.a: “Një ditë, dola nga shtëpia dhe shkova pranë grupit të besimtarëve që ishin me të Dërguarin e Allahut s.a.s. Ai na pyeti neve:
– “A doni që t’ju tregoj se kush është njeriu më dorështrënguar?”
– “Na e thoni, o i Dërguari i Allahut!”, – thanë besimtarët njëzëri.
“Njeriu më koprrac është ai njeri që përmendet emri im dhe ai nuk më dërgon mua salavat.”, – tha i Dërguari i Allahut s.a.s.[1]
Ka’b bin Uxhreja r.a tregon: “Një ditë, Resulullahu s.a.s tha:
– “Ejani, afrohuni pranë minberit.” Dhe ne u afruam. U ngjit një shkallë dhe tha “Amin”. Edhe kur ngjiti shkallën e dytë, tha “Amin”. Të njëjtën bëri edhe kur u ngjit në shkallën e tretë, tha “Amin”. Kur zbriti nga minberi, ne i thamë:
– “O Resulullah! Sot ne dëgjuam nga goja jote diçka që nuk e kemi dëgjuar kurrë më parë!” Resulullahu s.a.s u përgjigj:
– “Erdhi Xhibrili i Besueshëm dhe më tha: ‘Larg Xhenetit kushdo që e arrin muajin e Ramazanit dhe kalon pa iu falur mëkatet! – dhe unë i thashë Amin’, kur u ngjita në shkallën e dytë Xhibrili më tha: “Larg prej Xhenetit kushdo, që përmendet emri yt dhe ai nuk të dërgon ty salavate!’ Dhe unë thashë prapë Amin! Në shkallën e tretë Xhibrili më tha: “Larg Xhenetit kushdo që nëna dhe babai, të dy, ose njëri syresh, plaken dhe nuk arrin të fitojë kënaqësinë e tij/ tyre!’ Andaj unë përsëri thashë Amin!“[2]
[1] Mundhiri, et-Tergib, 2/332 (2601)
[2] El-Hakim, Mustedrek, 4/170 (7256)