Njeriu dhe lidhja e tij me pasurinë e kësaj bote

Në natyrën e njeriut është e mbjellur dashuria e tij për gjërat materiale të kësaj bote, apo për pasurinë. Profeti i Nderuar (a.s) na njofton: “Nëse njeriut do t’i jepej një luginë me ar, ai do të kërkonte edhe një të dytë. Gojën e tij nuk e mbush asgjë tjetër, përveç dheut.” Njeriu është vazhdimisht në kërkimi të të mirave materiale dhe nëse kjo dëshirë e tij lihet e lirë, e pakontrolluar, atëherë mund të rezultojë fatale për të. Allahu thotë: “Ju shkatërroi juve dëshira për të pasur shumë, deri në momentin që vizituat varret.” Kjo lidhje e fortë e njeriut pas pasurisë mund ta shkatërrojë atë, duke mos e kontrolluar dëshirën për të pasur sa më shumë dhe duke garuar me të pasurit e tjerë.

Thuhet se kur u shpikën për herë të parë monedhat e arit dhe të argjendit, shejtani i mori ato, i puthi, i vendosi në ballin e tij dhe tha: “Kush dashurohet pas jush, ai është robi im i vërtetë.” Ai e di mirë dobësinë që gjendet te njeriu, prandaj e sulmon atë gjithnjë atje ku gjen hapësirë.

Nga të gjitha këto që u thanë më sipër, nuk duhet të kuptojmë që Islami është kundra pasurisë dhe mirëqenies së besimtarëve në jetën e kësaj bote. Përkundrazi, pasuria mund të bëhet shkak kryesor për afrimin më shumë te Zoti. Ajo që ndalon Islami është lidhja e zemrës pas pasurisë së jetës së kësaj bote dhe fshehja e saj aty ku është nevoja për të dhënë, si shkak i frikës ndaj varfërisë. Feja na mëson që pasurinë ta kemi në duart tona dhe jo në zemrat tona, në mënyrë që të kontribuojmë në rrugët e mirësisë sa herë të jetë nevoja.

Njeriu që jep prej pasurisë së tij, sadopak qoftë ajo, tregon se është mirënjohës ndaj Zotit të tij. Falënderimin e Zotit e bëjmë me zemër, me gjuhë dhe me veprat tona. Përveçse duhet ta bëjmë këtë falënderim me zemër dhe me gjuhë, ne duhet ta demonstrojmë atë edhe me veprat tona, duke dhënë lëmoshë në rrugën e Allahut. Lëmoshës në gjuhën arabe i thonë “sadaka”, e cila vjen nga e njëjta rrënjë me fjalën “sidk”. “Sidk” do të thotë vërtetësi dhe sinqeritet. Besimi dhe siguria që kemi për Zotin e tonë tregohet shumë mirë në atë që japim dhe ndajmë me të tjerët.

Allahu na thotë: “Ju nuk jepni diçka në rrugën e Tij, përveçse Ai jua kompenson atë.” Premtimi i Zotit është që do të na e zëvendësojë dhe shtojë pasurinë tonë, sa herë që të japim diçka nga ajo. Në një hadith thuhet se sadakaja nuk pakëson asgjë prej pasurisë. Ajo e bën më të pasur dhënësin e saj, e cili nuk i frikësohet varfërisë kur jep. Falënderimi që ne bëjmë për pasurinë tonë kur e japim në rrugën e Zotit, do të bëhet shkak për shtimin e asaj pasurie.

Sidoqoftë, besimtari nuk jep në rrugën e Zotit, sepse fillimisht kërkon të përfitojë prej këtyre mirësive që gjenden brenda sadakasë, por ai synon me të vetëm kënaqësinë e Zotit. Të japësh do të thotë të bindesh për fjalën “Në të vërtetë pasuria është e gjitha e Zotit”, Ai vetëm sa na ka bërë posedues të saj për një kohë të kufizuar dhe kërkon që të japim sa herë që është nevoja. Njeriu atë që jep e bën investim të tijin për një jetë të pasosur. Pasurinë tonë do ta kthejmë në të përjetshme vetëm kur ta bëjmë si investim për botën tjetër.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: