Një vështrim i përgjithshëm mbi agjërimin

Agjërim do të thotë të largohesh nga ngrënia, pirja, kryerja e marrëdhënieve seksuale me qëllimin e adhurimit që nga agimi deri në perëndimin e diellit.Agjërimi është shprehje e shmangies nga dëshirat seksuale, të ngrënit, të pirit, largimi nga lidhjet e kësaj bote dhe afrimi me Allahun (xh.sh).

Agjëruesi duhet të jetë mysliman, në moshë madhore, i shëndoshë mendërisht dhe fizikisht, nuk duhet të jetë i sëmurë apo udhëtar. Ata që nuk mund të agjërojnë nga mungesa e fuqisë, ata që janë udhëtarë apo të sëmurë nuk e kanë detyrim agjërimin. Por nëse munden, agjërimi i mbajtur i vlerësohet.

FARZET E AGJËRIMIT

1. Qëllimi (të bësh nijetin).

2. Largimi nga gjërat të cilat e prishin agjërimin nga agimi deri në perëndimin e diellit. Fillimi i kohës së agjërimit quhet ‘imsak’ dhe mbarimi i saj ‘iftar’.

LLOJET E AGJËRIMIT

Agjërimi ndahet në:

1.Farz

2.Vaxhib

3. Sunet

4. Mendub

5. Nafile

6. Mekruh

Agjërimi ndahet në dy lloje nga natyra e nijetit:

* Agjërimet për të cilat nijeti bëhet natën. Në agjërimet kaza të Ramazanit, të nafileve, në agjërimin e kefaretit dhe të betimit nijeti duhet të bëhet që natën.

* Agjërimet të cilat nuk e kanë të domosdoshëm nijetin natën: agjërimi i mbajtur në Ramazan si dhe agjërimet nafile. Tek këto agjërime nuk është kusht bërja e nijetit që natën. Nijeti mund të bëhet duke filluar natën e deri në drekën e ditës së nesërme. Në muajin e Ramazanit le të bëhet nijet për nafile apo për vaxhibe, agjërimi mbetet agjërimi i muajit Ramazan.

RASTET QË PRISHIN AGJËRIMIN

Rastet që prishin agjërimin i ndajmë në dy grupe: në rastet të cilat kërkojnë vetëm kazanë dhe në rastet të cilat kërkojnë kefaretin.

RASTET TË CILAT PRISHIN AGJËRIMIN DHE KËRKOJNË VETËM KAZANË

  1. Ngrënia e diçkaje pa dashur duke e ditur se është agjërueshëm.
  2. Kalimi në fyt i ujit të marrë nga goja apo hunda.
  3. Bërja e nijetit pas dreke dhe jo në kohën e duhur.
  4. Ngrënia e diçkaje me qëllim pasi më parë ka  ngrënë diçka pa e ditur se ka qenë agjërueshëm, gjë e cila nuk  prish agjërimin.
  5. Të kalosh ujin e shiut apo të borës që hyn nga goja.
  6. Bërja e gjilpërës.
  7. Marrja e ilaçit nga hunda.
  8. Marrja e ilaçit nga vesh.
  9. Ngrënia e syfyrit duke menduar se ende nuk ka dalë koha.
  10. Të bësh iftar duke menduar se ka perënduar dielli.
  11. Kalimi poshtë i të vjellës që vjen deri në gojë.
  12. Nxjerrja e pështymës pastaj kalimi i saj poshtë.
  13. Nëse nga dhëmbi na rrjedh gjak më shumë se masa e pështymës dhe kalimi i tij poshtë.
  14. Të ndezësh temjan dhe të kalosh në fyt tymin.

RASTET TË CILAT PRISHIN AGJËRIMIN DHE KËRKOJNË KAZA DHE KEFFARET

  1. Ngrënia dhe pirja me qëllim.
  2. Kryerja e marrëdhënieve seksuale me qëllim.
  3. Pirja me qëllim e cigares.

Nëse ndonjëri bën një nga rastet e mësipërme duhet të bëjë kaza agjërimin si dhe të zbatojë kefaretin, të agjërojë dy muaj pa ndërprerje.

GJËRAT MEKRUH PËR AGJËRUESIN

  1. Të shijosh diçka pa pasur nevojë.
  2. Të përtypësh diçka kot.
  3. Të përtypësh një çamçakëz të cilit nuk i ka mbetur shije.
  4. Të puthurit.
  5. Përqafimi me bashkëshortin/en.
  6. Të mbledhësh pështymën në gojë dhe ta kalosh poshtë.
  7. Të dhurosh gjak.

RASTET TË CILAT NUK PRISHIN AGJËRIMIN

  1. Të ngrënit, të pirit, kryerja e marrëdhënieve seksuale në harresë.
  2. Ejakulimi i spermës thjesht nga shikimi apo fantazia.
  3. Ejakulimi i spermës gjatë gjumit.
  4. Të puthurit pa ardhjen e ejakulimit.
  5. Të zgjohesh nga gjumi me probleme mendore.
  6. Të kalosh këlbazën që të vjen deri në gojë.
  7. Të thithurit e sekrecioneve që vijnë nga hunda.
  8. Kalimi i ujit në vesh.
  9. Të kalosh poshtë thërrime të mbetura mes dhëmbëve që janë më të vogla se një kokërr misër.
  10. Të vjellësh pa dëshirë me gojë të plotë.
  11. Të bësh makijazh.
  12. Të bësh thashetheme.
  13. Të hedhësh ilaç në sy.

KEFARETET

Kefaretet i ndajmë në katër grupe: kefareti i agjërimit të muajit të Ramazanit, kefareti dhihar, kefareti i betimit dhe kefareti i mbytjes së një personi.

1.   KEFARETI DHIHAR

Dhihar do të thotë përngjasimi i trupit të gruas apo të ndonjë pjese të trupit që tregon gjithë trupin, me një pjesë trupi të personave të cilët i ka të ndaluar (e ka të ndaluar martesën) si nëna apo motra, apo me një organ shikimin e të cilit e ka të ndaluar. P.sh., nëse një njeri i thotë gruas së tij: “Ti je si nëna ime, qafa jote është si të mbrapmet e nënës sime”. Nëse një person flet në këtë mënyrë atëherë kërkohet kefaret. Nuk e ka të lejuar kryerjen e marrëdhënieve seksuale me gruan e tij derisa të plotësojë kefaretin. Sepse duke folur në atë mënyrë ka gënjyer dhe ka treguar si të ndaluar diçka të lejuar. Kefareti në këtë rast është agjërimi i dy muajve rresht. Nëse nuk ka mundësi të agjërojë dy muaj, atëherë duhet të ushqejë 60 të varfër.

2.   KEFARETI I BETIMIT

Kefareti i betimit kërkohet në rastin kur një person nuk i përmbahet betimit apo premtimit të dhënë dhe e prish atë. Një person i tillë nëse ka mundësi duhet të ushqejë dhjetë të varfër, për mëngjes dhe darkë si dhe t’i veshë ata. Nuk mjafton vetëm një palë pantollona. Nëse nuk ka mundësi ta bëjë këtë, atëherë duhet të agjërojë tri ditë rresht. Nëse agjërimi prishet nga ardhja e menstruacioneve apo diçkaje tjetër, duhet të mbahet përsëri.

3.   KEFARETI I TË QETHURIT

Kefareti i të qethurit kërkohet atëherë nëse personi i qeth flokët e tij para se të hyjë në ihram për shkak të ndonjë arsyeje. Ky kefaret është agjërimi i tri ditëve. Ky agjërim nuk është i detyrueshëm të mbahet tri ditë rresht; mund të mbahet edhe në ditë të veçuara.

4.   KEFARETI I VRASJES SË NJË PERSONI

Ky është një lloj kefareti që i kërkohet atij personi i cili vret pa qëllim, gabimisht një mysliman apo një jomysliman që jeton nën mbrojtjen e shtetit islam. Nëse ky person ka mundësi financiare, duhet të lirojë një rob. Nëse nuk mundet, atëherë duhet të agjërojë dy muaj pa ndërprerje.

ITIKAFI

Qëndrimi në xhami apo në një pjesë brenda xhamisë për arsye adhurimi për një kohë të caktuar quhet itikaf.

Itikafi ndahet në tre pjesë: vaxhib, sunet dhe mustehab. Nëse premton me gojë bërjen e itikafit atëherë realizimi i tij është vaxhib. Ndërsa itikafi i mbajtur dhjetë ditët e fundit të Ramazanit është sunet. Përveç dy rasteve të mësipërme, itikafi i bërë në xhami për arsye adhurimi është mustehab.

KUSHTET E ITIKAFIT

Itikafi ka katër kushte:

* Personi i cili do të bëjë itikafin duhet të jetë mysliman, mendërisht i shëndoshë dhe i pastër. Itikafi i personit jomysliman, të çmendurit, të papastrit, gruas me menstruacione nuk është i pranueshëm. Për bërjen e itikafit nuk është kusht mosha e pjekurisë, gjinia apo liria.

* Duhet të bëhet nijeti për itikaf. Nuk është i pranueshëm një itikaf i cili realizohet pa nijet.

* Itikafi duhet të bëhet në xhami apo në një pjesë tjetër të njohur si mesxhid. Më e virtytshme është të realizohet në xhami të mëdha. Ndërsa për gratë është më e përshtatshme ta realizojnë në shtëpi.

* Personi i cili bën itikafin vaxhib duhet të jetë agjërueshëm. Personi i cili hyn në itikaf nuk del jashtë nga xhamia vetëm në rast të nevojave personale dhe të domosdoshme. Gjatë itikafit përpiqet të flasë vetëm rreth temave morale. Nuk bën asnjë gjë e cila të jetë e ndaluar.

Itikafi më i mirë është itikafi i dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit. Sepse edhe vetë Profeti (s.a.s) ka bërë itikaf çdo ramazan që nga ardhja në Medine e deri në fund të jetës së tij.

Itikafi është edukimi i nefsit dhe i shpirtit për një periudhë kohore të ndarë vetëm për adhurim brenda një xhamie. Në këtë mënyrë zemrat qoftë edhe për pak kohë qëndrojnë larg punëve të kësaj bote, i drejtohen Allahut dhe strehohen në derën e mëshirës dhe të ndihmës, besimtari i cili lutet brenda xhamisë, shtëpisë së Allahut është i mbrojtur nga të gjitha të këqijat porsi të ishte brenda një kalaje të fortë. Njeriu i cili hyn në itikaf i përkushtohet adhurimit dhe fjalëve të mira. Mbron gjuhën nga gënjeshtra, shpifjet dhe thashethemet dhe nuk dëmton askënd. Qëllimi dhe mendimi i tij janë të drejtuar drejt së mirës. Duke qenë gjatë gjithë kohës brenda xhamisë, edhe pritja jashtë kohëve të namazit i llogaritet njësoj si një namaz. Gjatë itikafit qëndron larg punëve të botës dhe i drejtohet vetëm Allahut (xh.sh). Kjo gjendje ia ndriçon zemrën, ia pastron mendimet dhe e lartëson nga ana shpirtërore.

GJËRAT QË E PRISHIN DHE NUK E PRISHIN ITIKAFIN

Dalja nga xhamia e personit i cili është në itikaf për arsye personale (për të falur namazin e xhumasë, për kryerjen e nevojave personale, për të marrë abdes, gusul) nuk e prish itikafin.

Itikafi prishet nëse personi del nga itikafi pa asnjë arsye.

Itikafi gjithashtu prishet nëse dilet për një orë për të vizituar një të sëmurë, për të larë një xhenaze, për të falur namazin e xhenazes, për të dëshmuar apo për arsye shëndetësore. Në rastin e itikafit vaxhib, nëse personi ka vënë kusht vizitimin e të sëmurëve, faljen e namazit të xhenazes gjatë itikafit, atëherë nuk prishet.

Edhe dalja jashtë për shkak të një shqetësimi të rrallë e prish itikafin. Dalja jashtë për të shpëtuar njerëzit kur bie zjarr apo është duke u mbytur dikush, apo edhe dalja jashtë me xhematin e prish itikafin.

Nëse personi i cili është në itikaf qëndron disa ditë pa ndjenja, atëherë itikafi prishet. Ai mund ta fillojë përsëri atë kur të shërohet.

Në rastin kur prishet itikafi vaxhib atëherë duhet kryer kazaja e tij.

Ndërsa në rastin kur lëmë një itikaf nafile nuk është e nevojshme të bëhet kaza më vonë.

Për personin i cili hyn në itikaf është e ndaluar kryerja e marrëdhënieve seksuale ose ndonjë veprim i cili bëhet shkak për të gjatë natës apo ditës.

Personi i cili gjendet në itikaf mund të blejë në xhami gjërat të cilat i duhen. Gjithashtu ai mund të sjellë në xhami gjërat e nevojshme pa dëmtuar xhaminë. Ai ha dhe pi në xhami. Nëse ka një vend të përshtatshëm brenda xhamisë aty mund të marrë abdes apo gusul. Nëse nuk ka, atëherë del jashtë dhe merr abdes në vendin më të afërt dhe pa humbur kohë kthehet menjëherë në xhami.

Personi i cili bën itikaf mund të dalë në minare për të kënduar ezanin. Nuk ka problem edhe nëse dera e minares është jashtë xhamisë.

Postime të ngashme