Nevoja për botën tjetër

A mund të mendohet që një gjithësi e mbushur plot mësime e urtësi, të asgjësohet pa patur ndonjë qëllim apo synim?! Ҫdokush që i shqyrton me vëmendje materien dhe dukuritë, do të shohë mbi ҫdo gjë vulën dhe gjurmët e urtësive të Krijuesit të Lartë dhe do të kuptojë me lehtësi se kjo botë nuk ekziston kot së koti por me një qëllim dhe synim të caktuar. Është jeta e pasme, ahireti, që i përfton kuptim botës. Sepse është synimi ose kahja ajo që i jep kuptim lëvizjes. Po të mos ishte ahireti, bota nuk do të kishte një synim final që mund ta quajmë synim të vërtetë dhe ҫdo gjë do të vërtitej pa qëllim.  “Sigurisht, Ne nuk i krijuam qiellin, tokën dhe ҫdo gjë tjetër mes tyre sa për lojë e dëfrim. Po të dëshironim dëfrim, gjenim pranë shumë gjëra për t’u dëfryer…!” (Enbija 21/16, 17).

Kur’an-i i cili na fton të arsyetojmë duke na e tërhequr vështrimin në rregullin e pashoq që sundon në gjithësi dhe përsosmërinë që shfaqet në të , na e bën të ditur se ҫdo pjesë e ekzistencës është e krijuar mbi një të vërtetë, gjithashtu se krijimi dhe ngritja mbi të vërtetën të bën të mendosh e të besosh mbi ekzistencën e një jete të re pas vdekjes. “Është Allahu që i ngre qiejt pa ndonjë shtyllë që mund ta shihni ju dhe që, pastaj, sundon mbi arshin. Ai që i ka bërë diellin dhe hënën t’i nënshtrohen vullnetit të Tij. Secili prej tyre lëviz gjer në një kohë të caktuar. Ja, kështu i tregon Ai provat e Tij!” (Rad, 13/2).

Ne shohim se kjo botë nuk është e përsosur. Ajo është e paqëndrueshme, e ndryshueshme dhe kalimtare. Hyjniteti i shkëlqyer dhe i përjetshëm i Allahut të Lartë , Zotit të botëve, sundimi madhështor dhe gjithëpërfshirës i Tij nuk mund të ngrihet e të qëndrojë mbi një botë të tillë. Domethënë, duhet një botë tjetër e përherëshme, e qëndrueshme, e pashkatërrueshme, e përsosur dhe e shkëlqyer, që të jetë e denjë për Të!

© URTËSI.AL

 

Postime të ngashme