Lutja e nënës!

Allahu ka krijuar nënën që t’i shërojë plagët botës, t’i japë shpresë ҫdo ekzistence e të zbukurojë ndjesitë. Por Allahu Mëshirëplotë i dha nënës lutjen që njeriu të kuptojë vlerën e faljes, fuqisë dhe dashurisë. Lutja e nënës është ndryshe nga të tjerat. Aty kupton dhimbjen, forcën e mbështetjes, zjarrminë e lotit, trimërinë për t’ia dalë mbanë… “Xhenneti është nën këmbët e nënës”, ky lajm që udhëton nëpër shekuj i vë vulën të gjitha vlerësimeve dhe i turpëron harresat, zemërimet, braktisjet, mosmirënjohjet…

“Zoti yt ka vendosur, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë pranë teje, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i qorto, por drejtoju atyre me butësi dhe respekt. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” (El-Isrraa 17:24-25).

Kurani gjithashtu vë në dukje mundimet dhe vuajtjet e jashtëzakonshme që përjeton nëna gjatë shtatzënisë. Ai thotë: “Ne e kemi urdhëruar njeriun në mënyrë të veçantë në lidhje me prindërit e tij. Nëna e ka bartur atë, duke duruar mundim pas mundimi…” (Lukman 31:15). Vendin e veçantë që zë nëna në shoqërinë islame e ka bërë të qartë edhe i dërguari i Allahut, Muhammedi (s.a.s.):

Një person e pyeti të Dërguarin e Allahut (s.a.s) : “Kë duhet të respektoj më shumë? I Dërguari i Allahut (s.a.s) i’u përgjigj: “Nënën tënde.” “Kush radhitet më pas?” pyeti ai. I Dërguari i Allahut (s.a.s) iu përgjigj: “Nëna jote”. Po pastaj kush? Dhe përsëri Profeti i shenjtë (s.a.s) i tha “Nëna jote”. Po pastaj kush vjen? E pyeti personi. Profeti (s.a.s.) I’u përgjigj “Babai yt”. (Buhariu & Muslimi).

Lutja e nënës është jehona më e bukur e shtëpisë, asaj kështjelle ku fëmijët edukohen, ushqehen dhe  mësojnë besimin, parimet e vlerat njerëzore. Aty rrënjosen vlerat morale, shpirtërore dhe kulturore, ku marrëdhëniet e ndërsjella bazohen mbi sinqeritetin, dashurinë dhe respektin dhe jo mbi interesa vetjake. Ku dashuria e Zotit lëshon rrënjë dhe pastaj kjo dashuri shndërrohet në burimin e çdo lloj dashurie. Profeti (s.a.s.) urdhëron e thotë: “Allahu ju ka ndaluar të jeni mospërfillës ndaj nënave tuaja”. (Buhariu). Andaj, lum ata që fitojnë lutjen e nënës, krenarinë dhe qetësinë e saj.

© URTËSI.AL

 

Postime të ngashme