Në një fatkeqësi natyrore, a mos vallë të gjithë të vdekurit kanë pasur të njëjtin çast të fundmë?

Çast i fundmë, për një qenie, do të thotë fundi i periudhës që ka për të përshkruar ai brenda kushteve dhe dimensioneve të veta të posaçme, si dhe mbarimi i aventurës jetësore të asaj qenieje. Çdo gjë e krijuar pas, vjen në këtë botë bashkë me një fund dhe mbarim të tillë të parashkruar.

Është e pamundur që brenda procesit në të cilin ecën qenia, të ndahen nga njëri-tjetri fillimi me mbarimin. Çdo gjë, ashtu si pika e ujit, herët a vonë do të bjerë në tokë e do të tretet. Ose si një lumë, herët a vonë do të derdhet në det e do të përhumbet në të!

Dhe kjo është e shkruara në ballë e përbashkët e të gjitha qenieve! Çdo qenie me këtë të shkruar del në dritë të ditës e prapë me këtë të shkruar ndahet nga kjo botë e shkon.

Fillimi është simptomë dhe argument i mjaftueshëm për gjallimin e mbarimit; shfaqjet e realizuara pas, janë baza, parimi i përfundimit. E kundërta, ajo që s’ka fillim, s’ka as fund. Është i pafillimtë vetëm ai që është i pafundmë, që është Zoti.

Është një Qenie e Lartë që konkludon mbi qenien e çdo gjëje që shfaqet më pas, që e sjell në botë atë gjë me një program të caktuar dhe që ka nën vëzhgimin e vet çdo gjë, e Cila ndodhet jashtë gjithë këtyre vajtje-ardhjeve dhe lindje-perëndimeve si dhe të gjitha etapat dhe periudhat e kaluara e të ardhshme janë nën administrimin e Tij!

Dhe tani, nisur nga kjo konsideratë, mund të themi se, ashtu siç nuk do të ishte e drejtë t’i quanim “të natyrshme” as ardhjet, as edhe vajtjet, ashtu edhe kategorikisht nuk do të ishte me vend të quheshin “të natyrshme” fatkeqësitë dhe dukuritë shoqëruese të tyre. Dhënia ekzistencë materies, ekzistenca e saj marrin udhë dhe, në të njëjtën kohë, ecin në saje të një urdhri dhe vullneti të jashtëm.

Njeriu, kafshët, bimët dhe të gjitha qeniet e tjera dalin në dritë të ditës në saje të një fuqie që arrin në përfundime mbi ta, çojnë në vend detyrën e tyre të faktimit dhe pasqyrimit dhe, pastaj, hiqen nga skena e fshihen duke ua lënë vendin të tjerëve.

Në këtë botë, edhe lindjet, edhe vdekjet kryhen si nga një ekspozim, faktim dhe provë më vete. Ashtu siç çdo gjë kur fiton ekzistencë si qenie, bëhet argument krejt i hapur i një Ekzistence të fshehtë dhe interpret i Saj, ashtu edhe largimi i saj në mbarim të periudhës përkatëse, argumenton eternitetin e asaj Qenieje të fshehtë, të pafillimtë, dhe njëkohësisht pavdekshmërinë e Saj.

Po, ne dhe çdo gjë tjetër që kemi fituar ekzistencë nga hiçi, nga e paqena, me qenien tonë tregojmë për qenien e dikujt tjetër dhe, me të parët, të dëgjuarit dhe aftësinë njohëse tonën si dhe me ikjen tonë duke braktisur çdo gjë që bartëm mbi shpinë si amanet përgjatë një jete të tërë, tregojmë për NJËSHIN e fshehtë, të kundërt me gjërat e përkohshme që vijnë e shkojnë e që shkojnë për të mos u kthyer më! Ai është “Ai që ka krijuar jetën dhe vdekjen, që ju të jepni provën se cili prej jush do të bëjë punën më të bukur![1]

Të arrish të konceptosh të fshehtën e ardhjes tënde këtu, të japësh provën dhe të bëhesh gati për të ikur, ja pra se ç’është e rëndësishme për njeriun!

Dhe tani, pas kësaj hyrjeje të shkurtër përgatitore, le të merremi me çështjen tonë, çastin e fundmë të përbashkët të të vdekurve në një fatkeqësi.

Ashtu është, të gjithëve u ka ardhur çasti i fundit menjëherë së bashku! E, për të ndodhur kështu, nuk ka asnjë pengesë serioze e që t’ia vlejë për t’u shënuar. Individualiteti i Lartë që mban në dorë tërë ekzistencën, ashtu siç i ka krijuar çdo njeri dhe çdo gjë, nga grimcat e deri te sistemet, secilin brenda paracaktimit të vet të posaçëm, së bashku dhe menjëherë, po ashtu edhe mund t’ia marrë jetën menjëherë të gjithëve së bashku! As fakti që gjërat apo qeniet mund të ndodhen veç e veç në vende të ndryshme, as edhe ndryshimet karakteristike e cilësore, në lidhje me këtë, nuk mund të përbëjnë kurrfarë pengese.

Megjithëse për ta treguar efektivitetin e Qenies me fuqi të pafundme, nuk mund të gjendet ndonjë shembull që ta reflektojë plotësisht atë fuqi, prapëseprapë mund të bëhet fjalë edhe për shumë gjëra që mund t’i bëhen pasqyrë Asaj, që mund të japin një ide.

Përgjithësisht, qeniet me karakteristika dhe cilësi të ndryshme që orientohen kah dielli, e vazhdojnë jetën e tyre duke parë kah ai, pa shkaktuar asnjë pështjellim, marrin ngjyra të ndryshme nën dritën e tij, në gjendjen më të shkëlqyeshme me të vijnë dhe me lindjen e perëndimin e tij zbehen, shkoqen, shuhen e shkojnë. Krejt ashtu si ai, çdo gjë barset në prehrin e të njëjtës pranverë, zhvillohet e përhapet në të njëjtën verë dhe në të njëjtën vjeshtë zverdhet e, megjithatë, fati i paracaktuar i secilës qenie dhe i të gjithave në tërësi është i ndryshëm. Të gjitha së bashku dhe veç e veç, e shfaqin ekzistencën dhe efektivitetin e tyre sipas planit dhe programit të asaj diturie të gjerë, sipas orientimit të atij vullneti e të asaj dëshire të pafund, jo në mënyrë spontane, por në atë drejtim që kërkon Vullneti dhe Dëshira e Lartë. “Ai di për çdo gjë që ndodhet në tokë e në det… Nuk ka gjethe që bie a fshihet në errësirën e thellësive që të mos ndodhet në librin e qartë![2]

Nëse jeta dhe vdekja, zhvillimi dhe produktiviteti i drurëve, barërave, farërave e kokrrave ndiqen kaq seriozisht, a mund të ndodhë që një qenie e përkryer si njeriu të lihet pa orientim e pa kujdes? I Zoti i Lartë i gjithë universit që nuk pengohet të shohë një gjë kur sheh diçka tjetër, të dëgjojë një gjë kur dëgjon një tjetër, sigurisht që do t’i japë rëndësi çdo gjendjeje të njeriut si krijesa më me vlerë, vepra artistike më e çmuar, dhe duke i favorizuar një individi të Tij gjërat që ndodhen tek të gjitha tipet e llojet e qenieve të tjera, do ta trajtojë posaçërisht njeriun që është treguesi ose shëmbëlltyra në miniaturë e të gjitha universit, do ta bëjë të merituar të konsideratës së Tij të posaçme, dhe me rrugë të posaçme do ta nderojë në audiencën e Vet!

Kjo ftesë dhe bartje për atje mund të ndodhë disa herë në shtrat, disa herë në fushë të betejës dhe disa herë, mund të ndodhë edhe në ndonjë fatkeqësi çfarëdo. Madje, mund të ndodhë edhe në masë ose një e nga një, nëpër vende të ndryshme nga njëri-tjetri. Këto, nga këndvështrimi i Krijuesit ndaj njeriut, kurrsesi nuk ndikojnë në përfundim. I Zoti i Dijes dhe i Fuqisë së Pafundme, që ka në dorë frerët e çdo njeriu, që e mban një qenie në jetë sa të dojë, e pastaj, e lëshon, sipas librit pranë tij, është krejt normale dhe e pranueshme që t’ua marrë shpirtrat individëve dhe shtresave të caktuara. Ashtu siç u prek edhe më parë, kjo është diçka si puna e një komandanti epror, që për një njësi ushtarake për të cilën është përcaktuar se po e mbaron afatin e shërbimit ushtarak, të kryejë, kur t’i vijë dita, lirimin e tyre.

Veçanërisht, ashtu siç është bërë e qartë edhe në vendin ku është prekur çështja e karakterit gjithëpërfshirës të detyrës së engjëllit të ngarkuar me marrjen e shpirtrave, ka aq shumë engjëj përgjegjës për të marrë shpirtrat, sa në të gjitha vendet të përfshira në mijëra fatkeqësi që ndodhin në të njëjtin çast, me çdo të vdekur mund të takohen, sipas vullnetit dhe miratimit të Zotit, jo një, por disa engjëj dhe, sipas librave që mbajnë në dorë, mund t’i drejtojnë kurbanët e tyre në perspektiva të ndryshme.

Kur këto lloj fatkeqësish merren në analizë në mënyrë shumë serioze, me të vërtetë është e pamundur të mos shohësh edhe një miratim të parë, edhe ardhjen e çastit të fundit për të gjithë të vdekurit menjëherë. Duhen vëllime të tëra për të përcaktuar dhe përshkruar tërë ndodhitë interesante e të mrekullueshme të kësaj natyre. Mbi gjithçka, edhe ato që janë shkruar, janë aq shumë sa i kalojnë vëllimet. Nuk kalon ditë që të mos shoh të shtypur disa prej ngjarjeve të tilla të jashtëzakonshme që do të bëheshin pa hezitim, pse jo, subjekte librash.

Për shembull, në një tërmet që e kthen qytetin përmbys, në kundërshtim me faktin që mijëra vetë, pavarësisht nga të gjitha përpjekjet, nuk arrihet të shpëtohen, shumë ditë më vonë nxirren nga gërmadhat qindra fëmijë të padëmtuar… Ose diku një rimorkio rrokulliset në kanal, të gjithë punëtorët e hipur mbi të mbyten, kurse tej, mbi ujë, qëndron një foshnjë e lidhur në dizga, pa pësuar asgjë… Ose në një aksident ajror, ndërsa njerëz të aftë e të stërvitur nuk arrijnë dot t’u shpëtojnë flakëve, një bebe e fluturuar dyqind metra më tej gjatë rrëzimit shpëton pa marrë asnjë gërvishtje… Të gjitha këto e qindra ndodhi vërtetojnë pa fijen e dyshimit se si jeta, ashtu edhe vdekja, nuk janë dukuri spontane, por, përkundrazi, realizohen me anë të masave të marra prej dikujt që di, sheh dhe drejton.

Të gjitha qeniet që vijnë në jetë individualisht ose në grup, gjer në afatin kur u mbaron detyra e shënuar në regjistrat përkatës dhe deri kur t’u vijë çasti i fundit, e mbushin jetën duke çuar në vend përgjegjësinë për të konceptuar të fshehtat më të imta të krijimit, për të zbuluar enigmat e përtejnatyrës, për t’u bërë njëkohësisht pasqyrë dhe interpret i Individualitetit që na ka dërguar këtu ne dhe ata, duke u liruar prej detyrës një e nga një ose në grup.

Kjo e ditur, ky përcaktim dhe saktësim, dhe pastaj, drejtim i krijesave kah vdekja, domethënë sjellja në një e çasteve të fundit dhe dhënia fund e punës së tyre janë mjaft të lehta për Allahun (xh.xh.) që e di çdo gjë në trajtën më të mirë, nga kreu në fund. Mbetet të themi se prej Atij që di çdo gjë, qoftë ajo e dukshme apo e fshehur, e mësojmë se përreth çdo njeriu ndodhet një tufë engjëjsh dhe, se përveç këtyre, ndodhen edhe shumë engjëj nga ata që marrin shpirtrat.

Në këtë diskutim mund të lindë veçanërisht një kundërshtim i tillë i vogël: Në këto lloj ndodhish fatkeqe, bashkë me ata që e kanë pasur hak, dëmtohen e shkojnë edhe një numër i madh të pafajshmish. A mund të na thoni diçka rreth kësaj?

Le ta them menjëherë se edhe kjo pikëpyetje lind nga një mahitje në besim dhe në përfytyrim. Nëse jeta do të ishte identitet vetëm i jetës së kësaj bote dhe vendi i njeriut do të ishte kryekëput këtu, ndoshta ky kundërshtim do të kishte një aspekt të pranueshëm e do të ishte i mbështetur. Mirëpo kjo botë për njeriun është një vend mbjelljeje, një fushë ku tregohet zelli, mbi të gjitha një sallon pritjeje, kurse bota e përtejme është vendi ku korret e shihet, është koha kur mblidhen frytet, sakaq i shpëtimit nga shqetësimet dhe i arritjes së lumturisë së përhershme. Sipas kësaj konsiderate, në vdekjen e të mirit me të keqin bashkë, e fajtorit me të pafajshmin nuk ka asgjë të panatyrshme. E kundërta, një ecuri e tillë e gjërave është më e pranueshmja dhe më logjikja. Sepse, në ringjalljen e dytë, secili do të marrë një trajtë të posaçme qenieje sipas qëllimit dhe sjelljeve të veta, sipas tyre do të trajtohet, sipas tyre do t’i nënshtrohet ndëshkimit ose do të meritojë mirësi të mëtejshme.

Përmbledhtazi, çasti i fundit dhe vdekja janë identitet i mbarimit të periudhës së ndodhjes dhe shërbimit në këtë botë. Një periudhë e tillë, në cilësinë e një plani të parapërgatitur në linjën e mosinjorimit të vullnetit të njeriut, të regjistruar e të kaluar në arkiv, s’është gjë tjetër veç ekzekutimit të tij kur t’i vijë stina, sipas urdhrit dhe fermanit të Individualitetit që di, sheh e dëgjon çdo gjë. Mes ekzekutimit individual dhe kolektiv nuk ka asnjë lloj ndryshimi logjik.

Pandeh, se ashtu si në çështje të tjera, edhe këtu, mosnjohja e dijes, fuqisë dhe vullnetit të pafund të Krijuesit të Lartë përbën një prej shkaqeve kryesore të devijimit. Një tjetër shkak është gabimi në këndvështrimin e gjërave e të dukurive. Nëse nuk mundemi t’i zhveshim kokat nga kuptimi i gabuar i natyrës e i shkaqeve, përballë ndodhive, si dhe të mbyllemi vetëm për vetëm për vetëm me ndjesitë tona, bota jonë e brendshme, me besime të dobëta, do të shndërrohet në një shesh lufte lëkundjesh dhe drojesh djallëzore.

Shtuar kësaj edhe faktin që, si rezultat i varfërisë së botës sonë ndjesore dhe ushqimit të saj të pamjaftueshëm, qoftë edhe të pambështetur, pirja çdo ditë tas pas tasi e dyshimeve dhe lëkundjeve, është një fatkeqësi e tillë e frikshme, saqë nuk duhet çuditur për prishjen e orientimit të brezave, por për faktin që brezat ende nuk kanë arritur ta mbrojnë orientimin e tyre.

Për këto çështje që duken si të parëndësishme, mund të pretendohet se u qëndrua mbi to më shumë se ç’i takonte. Por ne nuk do të jemi dakord me këtë mendim për asnjërën prej çështjeve që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me besimin. Në sytë tanë, edhe çështja më e vogël lidhur me besimin është në madhësinë e maleve dhe më e shtrenjtë sesa gjithë bota. Nisur nga kjo konsideratë, sado në mënyrë pedante, ia vlen dhe është një prej sjelljeve njerëzore më me vend.

Shpresojmë se shokët tanë, që e kanë në konsideratë këtë çështje, nuk do të mërziten dhe do të na falin!

[1] Sureja Mulk, 2.

[2] Sureja En’am, 59.

Postime të ngashme