NAMAZI I UDHËTARIT

Edhe mysafiri (udhëtari) gjatë rrugëtimit të tij nuk lirohet nga detyrimi i namazit, porse për të ka lehtësim. Lehtësimi i tij është shkurtimi i namazit farz katërrekatësh në gjysmën e sasisë, pra prej katër rekateve në dy, kurse namazet prej tri dhe dy rekatesh, ngelin siç janë. Gjithashtu, nuk shkurtohen namazet vaxhibe dhe ato Synete.

Dispozita e shkurtimit të namazit në udhëtim prej katër rekateve në dy rekate është vaxhib, sepse namazi fillimisht ishte bërë farz me dy rekate si për vendasin ashtu edhe për mysafirin a udhëtarin, por më vonë u shtuan dy rekate për vendasin, kurse për mysafirin ngeli ashtu siç ishte. Kjo vërtetohet me hadithin e Aishes r.a., e cila ka thënë: “Namazi ishte bërë farz me dy rekate, si për vendasin ashtu edhe për udhëtarin, pastaj për udhëtarin ngeli ashtu siç ishte e u shtuan dy rekate për vendasin.” (Buhariu, Muslimi)

Udhëtimi në të cilin ndryshohen dispozitat e sheriatit, siç janë shkurtimi i namazit, lejimi i mosagjërimit, mosfalja e namazit të xhumasë dhe Bajrameve, bëhet kur njeriu synon një vend që mes tij dhe vendit të synuar është udhëtim tre ditësh ose tre netësh në këmbë ose me kafshë, me ecje mesatare dhe me pushimet e duhura. Kjo rrugë në kohën tonë është përcaktuar me 81 km. Shkurtimi i namazit mund të fillohet menjëherë, pasi që t’i ketë kaluar shtëpitë e vendit ku ai banon.

Sa u përket namazeve synete, nëse udhëtari gjendet i sigurt, i qetë, pa frikë, atëherë duhet t’i falë katër rekate, e, nëse jo atëherë mund t’i braktisë tërësisht. Aisheja r.a. ka thënë: “Namazi është bërë farz me nga dy rekate, andaj është shtuar kur je në vend (nuk je në udhëtim) dhe ashtu ngeli (dy rekate) në udhëtim, përveç akshamit, sepse ai është vitri (namazi tek) i ditës dhe namazi i xhumasë për shkak të hutbes, namazi i sabahut për shkak të leximit të gjatë të Kur’anit. Shtimi i përmendur ishte bërë ditën e martë, natën e dymbëdhjetë të muajit Rebiul evel, një muaj pas ardhjes së Profetit a.s. në Medinë”.

Udhëtari shndërrohet në vendas (mukim), pra i ndërpritet e drejta e shkurtimit të namazit, posa kthehet në vendin e tij, ose kur ka udhëtuar në një vend dhe ka vendosur që atje të qëndrojë më shumë se 15 ditë.

Personi, i cili gjendet mysafir, pra në gjendjen për të shkurtuar namazin, kur të falet pas imamit të vendit, e fal namazin të plotë dhe nuk ndahet nga imami, e, nëse ai bëhet imam, atëherë duhet t’i falë dy rekate, por duhet të informojë xhematin se ai është mysafir dhe pas rekatit të dytë do të japë selam, kurse xhemati do të vazhdojë të plotësojë namazin e vet. Kjo vërtetohet me rastin, kur Pejgamberi a.s. në çlirimin e Mekës kishte dalë imam, u ishte drejtuar banorëve të Mekës duke u thënë: “Plotësojeni namazin tuaj, o banorët e Mekës, sepse ne jemi në udhëtim (mysafirë).” (Ebu Davudi)

Në këtë rast xhemati, i cili e vazhdon faljen e dy rekateve të tjera lexon pa zë dhe qëndron heshtur sikur pas imamit.

Nëse besimtarit islam i ka ngelur ndonjë namaz pa e falur duke qenë në udhëtim, atë namaz duhet ta bëjë kaza dy rekate, e nëse i njëjti person është në udhëtim, por dëshiron të falë ndonjë namaz kaza, që i ka ngelur kur nuk ka qenë në udhëtim, siç është rasti me haxhilerët tanë gjatë Haxhit, atëherë kazanë duhet ta falin katër rekate, pavarësisht se janë në udhëtim.

Nëse namazliu në udhëtim ka falur dy rekate dhe ka qëndruar në ettehijjatin e parë, ai ka plotësuar farzin edhe sikur të ketë bërë nijet të falë katër rekate, por nëse këtë veprim e ka bërë me qëllim, atëherë konsiderohet mëkatar, për shkak të vonimit të selamit dhe braktisjes së shkurtimit të namazit që është vaxhib, kurse dy rekatet e falura më pas konsiderohen nafile.

Nëse besimtari praktikant ka falur dy rekate farz, duke qenë në udhëtim dhe nuk ka qëndruar në uljen e parë, atëherë namazi i tij quhet i prishur, sepse e ka lëshuar farzin, që është qëndrimi në uljen e fundit.

 

 

 

 

Postime të ngashme