Mukabeleja, një traditë e bukur e muajit të Ramazanit

Pak ditë përpara nesh gjendet një muaj i bekuar, me ardhjen e të cilit hapen dyert e mëshirës dhe mbyllen dyert e dënimit. Ky muaj i shumëpritur po vjen sërish për t’i freskuar shpirtrat tanë me atmosferën e tij të pashoqe dhe me begatinë që e karakterizon atë. Me këtë muaj lidhen pothuajse të gjitha adhurimet bazë të Islamit, si agjërimi, namazi, zekati, umreja, sadakaja dhe leximi i Kuranit.

Kur’ani, fjala e shenjtë e Zotit të Lartësuar, ka zbritur në muajin e Ramazanit, konkretisht në natën e madhe të Kadrit. Për këtë arsye, leximi dhe mësimi i Kuranit në këtë muaj, fiton një rëndësi të veçantë dhe Ramazani mund të quhet ndryshe edhe si muaji i Kuranit. Është pikërisht ky Libër, brenda së cilit gjendet çdo dhuratë, urtësi dhe mirësi, me të cilat ne ushqejmë shpirtin përgjatë gjithë kohës së vitit.

Më lart kemi vendosur edhe fjalën kyçe “mukabele”, për kuptimin dhe përmbajtjen e së cilës do të flasim në këtë shkrim të shkurtër. Mukabele, në kuptimin gjuhësor do të thotë një veprim që bëhet në mënyrë të ndërsjellë dhe aprovohet nga të dy personat. Kuptimi terminologjik i këtij termi lidhet me zbritjen e engjëllit të shpalljes Xhebrailit, çdo muaj Ramazani dhe përsëritja së bashku me Profetin Muhamed (a.s), i pjesëve të zbritura të Kuranit deri në ato momente.

Sipas kuptimit të teksteve, Profeti (a.s) lexonte çdo Ramazan pjesët e zbritura deri në atë kohë të Kuranit, përpara engjëllit të shpalljes Xhebrailit. Ky ishte si një lloj kontrolli dhe verifikimi, që shpallja kishte ruajtur trajtën e saj origjinale dhe asgjë qoftë sa grimca, nuk ishte ndryshuar, apo shkruar gabim rreth saj. Vetë Profeti (a.s), në një fjalë që e transmeton e bija e tij, Fatimja (r.a), kishte thënë se atij çdo Ramazan i vinte Xhebraili dhe së bashku përsëritnin të gjitha pjesët e zbritura të Kuranit. Vitin e fundit e kishin përsëritur dy herë Kuranin së bashku dhe Profeti (a.s) e kishte komentuar këtë si afrimin e ndarjes së tij nga jeta e kësaj bote.

Në disa vende të botës është bërë zakon praktika e kësaj tradite, leximi i të gjithë Kuranit nga një lexues i mirëfilltë dhe dëgjimi i tij nga ana e besimtarëve. Kjo praktikë që vazhdon edhe në ditët tona i ka rrënjët në jetën e Profetit Muhamed (a.s), ashtu sikurse e përmendëm edhe më sipër. Në një kuptim të thellë, duket sikur pas kësaj tradite, përveç begative dhe mirësive që ka leximi i Fjalës së Zotit, gjendet edhe diçka tjetër.

Një nga synimet e hershme të mukabelesë ishte dëgjimi dhe verifikimi i pjesëve të Kuranit. Thënë ndryshe, kur Lexuesi këndon Kuranin, dëgjuesit duhet ta ndjekin me vëmendje dhe të përmirësojnë e korrigjojnë gabimet e tyre. Ky mund të themi që është hapi i parë i përfitimit prej mukabelesë, nga i cili duhet të përfitojë çdokush që di të lexojë sadopak Kuran.

Një element tjetër më i thellë është kontrolli i kuptimeve të Kuranit dhe zbulimi i mesazhe të tij. Përveç leximit të ndërsjellë që Profeti (a.s) bënte me Xhebrailin (a.s), të gjithë jemi të vetëdijshëm që ata të dy i njihnin shumë mirë kuptimet e Kuranit Famëlartë. Po në kohën që jetojmë, sa njeh lexuesi i Kuranit nga kuptimet e tij dhe çfarë mundi derdh për t’i shtuar diçka asaj që lexon? Po masa e njerëzve që dëgjojnë, sa të vetëdijshëm janë për kuptimin e thellë të fjalës hyjnore? Qëllimi i leximit të Kuranit është vetëm këndimi apo edhe kuptimi i tekstit që i bashkëngjitet këndimit?

Parë nga ky këndvështrim, duhet që kuptimet e kësaj tradite të mrekullueshme t’i kemi më të qarta dhe të përpiqemi që leximit të Kuranit, t’i japim edhe një dimension tjetër. Lexuesi i Kuranit të përpiqet që bashkë me leximin të japë shpjegimin dhe komentimin e ajeteve të ndryshme. Dëgjuesi i Kuranit duhet që para tij, përveç tekstit origjinal të Kuranit, të hapë edhe përkthimin e ajeteve të tij, në mënyrë që shpërblimi i synuar të arrihet plotësisht.

“Agjërimi dhe Kurani do të vijnë si ndërmjetësues për robin Ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thotë: O Zot, unë e privova robin Tënd prej ushqimit dhe dëshirave trupore, më bëj mua ndërmjetësues për të! Kurani do të thotë: O Zoti im, unë e privova robin tënd nga gjumi i natës, prandaj më bëj mua ndërmjetësues për të. Në fund, agjërimit dhe Kuranit i pranohet ndërmjetësimi i tyre.”

 

 

Postime të ngashme