Emigrimi për në Medinë

Meqë Profeti a.s. dhe myslimanët në Mekë ishin të rrezikuar edhe me jetë, edhe pse Muhamedi a.s., kishte predikuar për 13 vjet Islamin në Mekë, ai në fund ishte urdhëruar nga Allahu xh.sh. që të emigronte nga Meka për në Medinë. Në Medinë Profeti a.s. u prit shumë mirë nga ensarët (vendasit). Aty filloi një jetë e re për Muhamedin a.s., Islamin dhe mbarë myslimanët. Ajo që është shumë e rëndësishme në këtë rast, është fakti se në Medinën e ndritshme filloi të lulëzonte Islami jo në nivel individual, por në nivel shoqëror. U themeluan institucionet e para, që janë bërthama e një shteti të drejtë e të qëndrueshëm. Fillimisht u bë vëllazërimi ndërmjet myslimanëve, ensarëve dhe muhaxhirëve, pastaj u hartua Kushtetuta e parë islame dhe u ndërtua xhamia e parë në Islam. Këto tri elemente janë baza për një shtet të fuqishëm, të drejtë e të fortë.

Mirëpo, Muhamedi a.s. nuk qëndroi duarkryq. Ai gjithnjë mendonte për vendlindjen, për ta çliruar atë nga duart e idhujtarëve, për ta pastruar Qabenë nga idhujt e shumtë. Për këtë iu deshën tetë vjet punë të pandalshme dhe vitin e tetë hixhri, më konkretisht më 20 Ramazan të vitit të 8-të hixhri, me ndihmën e Allahut Fuqiplotë e çliroi Mekën nga idhujtarët dhe Qabenë nga idhujt. Aty Pejgamberi a.s. pati mundësi të hakmerrej ndaj idhujtarëve për torturat që i kishin bërë, por ai ishte Profeti i mëshirës e jo i hakmarrjes.

Muhamedi a.s. jetoi në Medinë edhe për 19-vjet, deri sa i erdhi edhe shpallja. Ndërroi jetë në vitin 632, në moshën 63 vjeçare dhe u varros në shtëpinë ku kishte jetuar.

Se kush ishte Pejgamberi a.s., si ishin sjelljet e tij, morali i tij, edukata e tij etj., më së miri na e përshkruan bashkëshortja e tij Aisheja r.a., e cila kur u pyet për Pejgamberin a.s. tha: “Edukata e tij ishte Kur’ani”. Pra, ai ishte Kur’ani i gjallë që ecte mbi tokë.”

 

Postime të ngashme