Mos u ngut!

Njeriu nga vetë natyra e tij është i ngutshëm. Ai është përgjithësisht i nxituar, i rrëmbyer në veprimtarinë e vet; flet shpejt dhe pa u menduar, shpejton gjithmonë për diku, drejt një qëllimi, drejt një synimi të përcaktuar mirë, apo jo.

Njeriu është i tillë, sepse po të mos ishte ashtu, do të kishte merituar të qëndronte në banesën fillestare të krijimit, në parajsë, vend ku e caktoi të rrinte fillimisht Krijuesi i tij dhe i mbarë gjithësisë.

Mos u ngut!

Njeriu ngutet kur përpiqet të bëjë diçka, një veprim sa më shpejt, kur vepron me shpejtësi të tepruar, kur nxitohet e përpiqet kësisoj të sfidojë, të tejkalojë kohën normale. Ngutet në të folur. Ngutet në të vepruar; vepron me ngut, me nxitim. Njeriu i ngutshëm vepron i rrëmbyer, pa u matur mirë dhe pa i peshuar mirë punët, pa gjykuar se ç’pasoja sjellin ato në jetën e tij dhe në jetën e të tjerëve.

Ngutja është një lloj kontradikte, një lloj kundërvënie që njeriu ia bën kohës, kësisoj një anormalitet, një thyerje e rrjedhës normale të proceseve kohore. Teprimi, zgjatja e kësaj kundërvënieje përtej një mase të caktuar sjell pasoja në jetën e njeriut dhe shoqërohet gjithashtu me pasoja në mjedisin shoqëror ku ai jeton e vepron. Kështu ngutja është një fenomen sa individual, po aq edhe shoqëror; vjen, nxitet si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë njeriut.

E kundërta e ngutjes është maturia, të qenit i matur, i pjekur në fjalë dhe veprime. Te njeriu, si rregull nuk duhet të ketë mungesë maturie; ai duhet, prej tij kërkohet të jetë i matur, të veprojë në mënyrë të matur, të pjekur. Të jesh njeri i tillë parakupton një respekt të merituar për kohën që ecën ritmikisht, për rrjedhën e saj normale nga e shkuara, tek e tashmja, drejt së ardhmes.

Kundërvënia me kohën e nxjerr njeriun nga normaliteti dhe, në të shumtën e herëve sjell, prodhon gjëra negative. Ngutja, ashtu si edhe dardha, e ka bishtin prapa.

Ngutja vjen nga mungesa e durimit, nga mospërmbajtja e vetes, gjë që çon në shpërthim të zemërimit, i cili derdhet si një përrua i rrëmbyer që sjell ujë të turbullt, baltë e gurë, duke dëmtuar e marrë përpara bimë e gjallesa të tjera të dobishme.

Ngutet shoferi që drejton makinën dhe përplaset diku, duke marrë më qafë udhëtarët që i kanë besuar jetën e vet, pasi kanë hipur në makinën e tij; ngutet i urituri kur gjen ushqim dhe përpiqet ta kapërdijë sa me shpejt, duke rrezikuar të mbytet; ngutet i varfri për t’u pasuruar sa më shpejt edhe me rrugë të dyshimta, shpesh haram; ngutet i pasuri për të shtuar tej mase pasurinë e vet, për ta mbrojtur atë me gjak, shpesh në dëm e në kurriz të të tjerëve; nguten të pasurit kur kamjen e tyre e vënë në shërbim të karrierës politike, duke blerë vota e duke bërë lloj-lloj allishverishesh.

Çdo gjë ka kohën e vet të kryerjes, çdo gjë do të kryhet në kohën, vendin dhe mënyrën që ka caktuar Krijuesi. Përpjetë të hidhet njeriu me dëshirat dhe ngasjet e tij të brendshme apo të jashtme, ligjet e hekurta bazike nuk mund t’i ndryshojë, aq më tepër nuk duhet t’u kundërvihet, sepse çdo ngutje është në dëm të tij. Caktimi i Zotit ecën përkrah vullnetit të njeriut. Një unitet i tillë, një përputhshmëri e mrekullueshme e kësisojshme është një mirësi e madhe e Krijuesit për njeriun,është një mëshirë për të. Zoti ia ka dhënë njeriut të gjitha fakultetet e nevojshme dhe të domosdoshme: trurin, mendjen, logjikën, mjedisin social e natyror ku jeton e vepron, prandaj ka të drejtën e plotë të thotë: Ruaju nga ngutja, të të ruaj! Vepro në të mira dhe në të mbara, se jam pranë teje në mbështetje të plotë.

Sigurisht, pas ngutjes vjen pendimi, por nëse ngutja e ngarkon njeriun me faj, ky faj vuhet, paguhet ose falet.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: