Mos e thyej premtimin
Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Premtimi është borxh.” Ai që nuk e kthen këtë “borxh”, domethënë, nuk e përmbush këtë premtim, bën pjesë në atë kategori njerëzish, të cilët nuk janë në gjendje të mbajnë në supet e tyre cilësitë e njerëzve të aftë e të ndershëm.
Në jetë ndeshim njerëz të ndryshëm, bisedojmë me ta dhe në raste vështirësish mbështetemi tek ata. Midis tyre dallohen ata, të cilët qëndrojnë si shkëmbinj të lartë. Këta janë ata njerëz, në virtytet e të cilëve kemi krijuar bindje. Njerëz të tillë nëse e kanë dhënë fjalën, e mbajnë atë.
Mbajtja e fjalës formon njeriun e vërtetë. Prandaj duhet filluar që nga fëmijëria, që nga shqiptimi i fjalëve të para, le të mbillet fara e “mbajtjes së fjalës”, apo plotësimit të premtimit.
Ndërtesa madhështore e karakterit të njeriut ngrihet si muri, tullë mbas tulle. Duke vepruar kështu, një ditë para nesh do të mbijë kështjella e madhe e zemrës njerëzore, e ndritshme si dielli dhe të themi: Ky është njeri i vërtetë, njeri i fjalës.
Vetëm veprat vërtetojnë ose mohojnë të vërtetën e fjalës. Kur dëgjon të rrjedhin fjalë të bukura, tregohu i kujdesshëm. Nëse ajo shoqërohet me vepra, atëherë ai që flet është i mrekullueshëm. Por nëse veprat nuk përputhen me fjalët e tij, kujdes, mos i ngjash atij njeriu.