Mendimet e Bajramit
Muajt që i prijnë Ramazanit, të cilat vijnë me mbarësi dhe begati, janë si shenjat dhe lajmëtaret se në horizont duken ditët e qeta, të heshtura, e të bekuara por plot e përplot me një shkëqim që do t’i mbështjellin zemrat. Çdo zemër që ka besuar, së bashku me ditën e parë të këtyre muajve, ndien se ka hyrë në territorin e Ramazanit, e përjeton këtë dhe, për ta vlerësuar sa më mirë muajin e begatisë që e pret disa hapa më tej, i kalon edhe njëherë nëpër sy të gjitha ndjenjat për sa i përket frymimeve dhe robërimit që do të shpërfaqë përpara Krijuesit.. sikur të mos i jenë hapur ende plotësisht qepallat nga gjumi dhe nuk është arritur ende përqendrimi në lidhje me ato që do të bëhen e do të thuhen, por me disa mërmërima dhe belbëzime, ndien sikur të jetë duke bërë disa përpjekje për të kapur melodinë e kësaj pune të madhe dhe këtij drejtimi të shenjtë, si e si për ta përkapur atë ritëm.
Kur zemrat mbushen plot emocion dhe shpirtrat vijnë në atë trajtën e tyre të pjekur, pas gjithë këtyre ditëve që vlejnë secila nga një agim më vete, me reflektimin e hënës së parë, por si një hënë e plotë, lind përnjëherësh Ramazani. Fryn gjithë frymë gjallërimi si erëra të ëmbla.. fryn e na i mbështjell zemrat; na i përkëdhel shpirtrat dhe lëkurën njësoj si mëndafshi dhe si kodrat në pranverë na i zgjon sytë drejt bukurive, e në zemra na zgjon dëshirën për t’u ngjitur lart në zemrat tona.. dhe porsi ujëvarat, kraharorët tanë i pushton një drithërimë e butë dhe e ëmbël.
Në fund, mikpritja e një muaji përfundon, e ikën edhe Ramazani që erdhi me njëmijë e një arritje e shpërblime.. ikën, por shpirtrat që janë zgjuar e ringjallur nga drita e prurë prej tij, zemrat që kanë menduar vazhdimisht vetëm për të dhe janë drithëruar nga frika plot respekt ndaj Allahut, ndërgjegjet që kanë dalë në rrugë me dëshirën e madhe të ritakimit dhe kanë shkumëzuar ndjesish, kësaj here do të përqafohen me ditët aq të ngrohta të Bajramit. Po, ashtu si ata që e lëshojnë veten në det dhe pas një çasti ndiejnë ujin që i prek në çdo anë të trupit, edhe ne, pas tre muajve, e gjejmë veten në atmosferën larushane të Bajramit, në atë atmosferë të paqes dhe nginjjes shpirtërore.. e gjejmë dhe e ndiejmë atë me të gjitha shqisat tona, me tërë qenien, dhe e shpërndajmë me të gjitha kriteret e përvijuara nga gjendja jonë.
Pothuajse të gjitha zemrat që kanë besuar, nga të gjitha, namazet e falura gjatë Bajramit, tekbirët, sadakatë e fitrit, kurbanët dhe vizitat te njëri-tjetri, gjejnë një rrugëkalim, një dalje në imagjinatë dhe porsi vela të fryra nga erëra të brendshme, u duket sikur rrëshkasin drejt një bote ëndrrash të ëmbla. Po, me magjinë e atmosferës së përgjithshme, zërave, fjalëve dhe sjelljeve gjatë ditëve të Bajramit njeriu e ndien veten si të ishte ngjitur në një balonë fluturuese dhe sikur ngjitet pak e nga pak drejt qiellit, imagjinon sikur po largohet nga vendi në të cilin gjendej dhe përjeton aty një botë të magjishme, të cilën e kanë krijuar dritat e zbrazura nga një erë e çuditshme që ka sjellë Bajrami.
Në Bajram ne i ndiejmë të përfshira në njëra-tjetrën, të shkuarën, të ardhmen dhe të tashmen dhe kjo na fal kënaqësi. Njësoj sikur të kishte një farë magjie në zërat që dalin e ngrihen nëpër ajër nga faltoret, në ato shtëpitë ku shkojmë për vizitë apo në duart e bekuara që puthim, dhe me një prekje tonën sado të vogël, mbi të shkuarën sikur hapen dritare të njëpasnjëshme… dhe sakaq, ne na duket vetja sikur jemi në të njëjtën radhë në një faltore të vjetër së bashku me gjyshin, gjyshin e gjyshit dhe gjyshin e tij… me nxitjen që na jep kalimi i buzëve nga një dorë e pastër në tjetrën, njëra pas tjetrës, ndiejmë gëzimin e kalimit përpara fytyrës të sa e sa duarve të bekuara, sa e gjithë bota, njëra pas tjetrës. Kur përqafojmë miqtë dhe të afërmit dhe i shtrëngojmë fort në kraharor, na bëhet sikur në atë çast të jemi duke shtrëngjuar në kraharor edhe të afërmit tanë që kanë jetuar shumë më herët, shumë shumë më herët dhe na duket sikur i erëmojmë të gjithë… na bëhet dhe çdo mendim, çdo imagjinatë, çdo fjalë dhe çdo sjellje që depërton nga Bajrami sikur ringjall një prerje kohe të ndritur të së shkuarës, që na e kaplon tërë horizontin, bëhet e jona, jeton bashkë me qenien tonë dhe u fal të gjithëve një shembull të “ringjalljes pas vdekjes” sipas gjerësisë së imagjinatës së vet.
Bajramet janë jehona melodike të të parëve tanë të lavdishëm dhe rrënjëve tona të bekuara, që kanë mbërritur deri sot e kësaj dite te ne. Me magjepsjen që shkaktojnë këto kumbime, ne shkojmë drejt botësh të pamundura për t’u arritur, hyjmë kudo me lehtësinë e hyrjes në ëndërr, e shëtisim çdo anë e kënd me shpejtësinë e imagjinatës dhe shumë shtresa të kohës mbivendosen, duket sikur iu mvishen njëra- tjetrës dhe ne i përjetojmë të gjitha në një të vetme. Po, për aq sa ne e lëshojmë veten në duart e fuqisë magjike të Ramazanit, e shkuara sikur rigjallërohet me tërë madhështinë e saj dhe kthehet edhe njëherë drejt nesh… çdo humbje e jona ringjallet dhe gjithë ç’kemi humbur e gjejmë edhe njëherë. I frymojmë edhe njëherë ato ditë të qashtra të së shkuarës, i thithim me një frymëmarrje më të fortë drejt mushkërive, pijmë me etje prej ujërave të kulluara që buçasin të së shkuarës dhe na ngjan vetja sikur të jemi në një ekskursion në një botë krejt të tjetërfartë… Dhe e pandehim aq thellë dhe aq sikur ta kemi lëshuar veten krejt në të, sa që na duket sikur të gjithë të vdekurit ringjallen në varret e tyre… të gjitha gjërat e kalbura e të shpërndara tashmë, mblidhen edhe njëherë, fitojnë shpirt edhe njëherë… gjërat e copëtuara sa këtu atje, bashkohen dhe bëhen edhe njëherë njësh… prerjet e kohës të jetës sonë vijnë e na i përqafojnë edhe njëherë shpirtin… dhe krahas atyre kënaqësive të thella, shumë të thella, që kemi përjetuar dje dhe atyre që jemi duke përjetuar sot, me kujtimet e bukura të së shkuarës futemi në kënaqësi shpirtërore aq të magjishme, sa që në atë pikë ku kemi arritur, përbërësit e shijes dhe kënaqësisë, njësoj siç ndodh në ëndrra, ndryshojnë, risohen dhe marrin format që duam ne dhe kthehen nga një në njëmijë, duke hyrë nëpër qëllimet, mendimet dhe zemrat tona. Gjithçka që shohim, dëgjojmë dhe ndiejmë, ndërron nga njëra formë në tjetrën me një magji që është e pamendueshme lehtë; prandaj ne kalojmë nga njëra ndjenjë, mendim dhe kënaqësi në ndjenjën, mendimin dhe kënaqësinë tjetër, sikur jeta jonë të ishte brenda një ylberi.
Kur vjen agimi i Bajramit dhe nga kryet e minareve fillojnë të kumbojnë lavdet e Zotit dhe gjithkah mbështillet nga një ëmbëlsi shpirtërore, në ato minuta ndiejmë aq shumë gjëra të mistershme që na i entuziazmojnë ëndrrat, të cilat na marrin ne e na çojnë drejt thellësive, madje drejt thellësive më të thella se thellësitë dhe u pëshpërisin zemrave tona ndjesi të fshehta që nuk mund të thuhen asnjëherë dhe tregojnë për disa gjëra të pamundura për t’u shprehur, sidomos me gjuhën e përditshme, krejtësisht të pa pashpjegueshme.
Po, ajo atmosferë, ajo estetikë dhe ai stil i ezaneve, lavdërimeve të Zotit, tekbirëve, “La ilahe illallah”-eve, që shkëputen nga ndjenjat dhe mendimet e Itrive, Dede Efendive, është një zë dhe gjuhë e veçantë shumëdimensionale e botës së popullit tonë, një gjuhë e pakapshme e zemrës së tyre. Këto nota të zërit që të shkaktojnë drithërima janë shprehje e ndjenjave, melodi e zemrave tona, lënë në shpirtrat tona një gjurmë të fortë të përtejkohshme si një tog fjalësh të ardhura nga shumë përtej.
Nganjëherë klithmat e njëpasnjëshme, si të ishte duke ardhur ndonjë urdhër nga muezini, nganjëherë përvajtimi me melodi qiellore e imamit pas një farë kohe, nganjëherë kumbimi i tërë xhematit si në një kor, janë aq madhështore, aq drithëruese dhe i përkasin aq shumë botës sonë, aq sa ne të gjithë, ndërsa mërmërisim zërat që ngjiten nga faltorja drejt qiellit, e ndiejmë edhe njëherë gjithë atë të shkuar të gjatë e të lavdishme, madje edhe më tej, një të vërtetë të përbotshme, një të vërtetë që nis nga pakohësia dhe shkon drejt përjetësisë, me gjithë freskinë e saj të veçantë dhe përjetojmë atë tension të veçantë kënaqësie shpirtërore. Veçanërisht gjatë ditëve të Bajramit, faltorja na pëshpërit neve atë pastërtinë e ndjenjave aq të holla dhe të buta si mëndafshi dhe atë atmosferë aq të gjallë sa një çerdhe zogjsh, rehatinë e trupit, bindjen
e shpirtit, qëllimin e jetës, aventurën e saj, rrënjët shpirtërore të popullit tonë, themelet e kulturës, pavdekësinë e fesë sonë, muzikalitetin e gjuhës, botëkuptimin për jetën, bindjet, stilin dhe shijen tonë dhe na tregojnë rrugët për t’u bërë njeri i mirëfilltë.
Pothuajse në çdo kohë, mes këtyre zërave të ëmbël që jehojnë nëpër faltore, ne ndiejmë dhe na bëhet sikur e shohim me sy se si qiejt afrohen drejt tokës, toka kërkon të lartësohet e të bëhet njësh me qiejt, yjet që u shkelin syrin luleve në tokë dhe lulet që pulitin sytë ndaj banorëve të qiellit dhe se si përjetohen gjithë këto vajtje-ardhje të mistershme e magjepsëse mes këtyre dy botëve.
Këta zëra, këto fjalë dhe këto imazhe, që i marrin të gjithë sipas thellesisë së tyre shpirtërore dhe të imagjinatës dhe i çojnë tej nëpër shumë botë të tjera, jo vetëm që jehojnë në zemrat që kanë besuar me bukuri që ndjellin zili, drithërimat, emocionet entuziazmuese dhe frymimet rigjallëruese, por, kur mbaron namazi, përmbushet edhe ai udhëtim qiellor dhe faltores i thuhet përkohesisht lamtumirë, për të “zbritur” kësaj here nga Më i Drejti te njerëzit, të gjithë kthehen te njerëzit me një tjetër lloj thellësie… përqafohet me ta, i uron për Bajramin dhe të gjitha ato që ka arritur në shpirt në atë rrugëtim drejt e nga faltorja, i ndan me të gjithë që takon në rrugë, në lagje, në shtëpi, në vendin e punës, në shkollë… kësisoj, copëzave të kufizuara kohës, të cilat janë të ndara në orë, u përfton pafundësi me aq sa ia lejojnë gjerësia e zemrës dhe pakohësia e shpirtit, aq sa duket sikur i kthen në përjetësi… dhe ende duke qenë në këtë botë, vë në pah se sa i lidhur është me gjithçka të përtejme, sa thellësisht është i lidhur me përjetësinë.
Të gjithë myslimanët pa përjashtim, që të mund të jehojnë kaq fort në shpirtrat e tyre dhe të mund t’i ndiejnë të gjitha sakaq këto ndjenja, këto ëndrra dhe këto emocione, lind nevoja për kushedi se sa kohë e organizime që mund të realizohen me rrugë të tjera. Gjithsesi, nuk mendoj se është e mundur që të arrihet dot njësoj po e njëjta atmosferë qiellore. Sepse gëzimi, lumturia, kënaqësia dhe emocionet e Bajrameve më shumë se sa nga ajo që përjetohet burimin e ka te dimensioni i përjetësisë dhe të ardhmes, tek ajo që do të përjetohet edhe pas asaj që është duke u përjetuar tani. Të gjithë, me atë çfarë janë duke përjetuar tani, jetojnë magjinë e gjërave që do të ndiejnë zemrat e tyre në kullën e tyre të fildishtë… dhe më shumë se sa kjo jetë kalimtare që vjen e ikën, shëtisin nëpër ëndrrat e një të ardhmeje pa dyshim më të përshtatshme me botën e tyre shpirtërore, më të butë, më të ngrohtë. Në të vërtetë, njeriu është fëmija i një pritjeje. Një pjesë të mirë të jetës ai e kalon në kodrinat e një pritjeje të veshur me velin e shpresës. Pothuajse të gjithë ne kemi diç në thelbin tonë që është shumë fort e lidhur me Parajsën. Kjo pritje nuk është një pritje pasi nuk na kanë pëlqyer ato që kemi gjetur apo jetuar këtu; kjo pritje është pritja e surprizave hyjnore, për të cilat imagjinata jonë është shumë e ngushtë, edhe që të kuptojë në fytyrën e “paradhënieve” të shijuara veçanësinë e të qenit njeri, e sidomos privilegjin e të qenit njeri. Se sa e vërtetë është kjo dhe se sa me vend, Bajramet janë gjuhët më të pastra që e shprehin më së miri nga dritaret e mëdha të zemrës drejt thellësive të shpirtrave tona.83