Medhhebi Hanefi
Kjo shkollë juridike lidhet me emrin e dijetarit muxhtehid, juristit dhe kolosit, Imam Adhamit, Ebu Hanife En-Nu’man bin Thabit. Ai lindi në vitin 80 H/699 M, në Kufe dhe vdiq në vitin 150 H/767 M. Kishte mësuar nga shumë dijetarë, por më së shumti nga më i njohuri, Hamad b. Ebu Sulejmani, i cili kishte mësuar nga Ibrahim En-Nah’iju, e ky nga Abdulla ibni Mes’udi. Pra, kjo nënkupton se Imam Ebu Hanifja ishte student i formuar në shkollën juridiko-racionaliste. Ky dijetar me njohuritë dhe aftësinë e tij befasoi jo vetëm gjeneratën dhe kohën e vet, por edhe mbarë botën për shekuj me radhë. Prandaj, me të drejtë, është i vetmi që u cilësua titullin më të lartë shkencor “Imamu-l-Azam Ebu Hanife”.
Ebu Hanifja i përket gjeneratës së dytë pas Profetit a.s., që njihen si tabiinët. Është me rëndësi të theksohet se imam Ebu Hanifeja takoi shumë shokë të Pejgamberit a.s., por ndikimin më të madh kishin lënë tre nga shokët e të Dërguarit a.s., të cilët dalloheshin për largpamësinë e tyre: Omer b. Hattabi, Ali b. Ebi Talibi dhe me theks të veçantë Abdullah b. Mes’udi r.a.
Ebu Hanifja e donte aq shumë diturinë dhe mësuesin e tij, sa thoshte: “Për Zotin, unë kërkoj falje dhe mëshirë për Hamadin në çdo namaz, ashtu siç kërkoj falje dhe mëshirë për prindërit e mi. Unë kërkoj falje dhe mëshirë për ata që më dhanë dije dhe për ata që ai iu ka dhënë dije.”. Aq shumë e donte mësuesin e tij Hamadin, sa theksonte: “Pasha Zotin, në shtëpinë time kurrë nuk kam mundur t’i shtrij këmbët në drejtim të shtëpisë së mësuesit tim.”