Mbi vlerat e sures Kehf
Në suren Kehf besimtari merr shumë mësime të vlefshme. Për t’u mbrojtur nga sprovat në besimin e tij ai duhet të shoqërohet me njerëz të mirë dhe të përkujtojë sa më shpesh botën tjetër:
“Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet mëngjes dhe mbrëmje…” (El-Kehf, 28)
Duke lexuar këtë sure reflektojmë mbi tundimin që na vjen nga pasuria, si rasti i pronarit të kopshtit. Ndaj ne ftohemi të reflektojmë mbi realitetin e përkohshëm të kësaj bote:
“Jepu atyre shembullin e jetës së kësaj bote; ajo është si uji që Ne e lëshojmë nga qielli; bimësia në tokë përzihet me të, por pastaj bëhet si bar i thatë të cilin e shpërndan era. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë!” (El-Kehf, 45)
Kjo sure gjithashtu na mëson të jemi modestë, pavarësisht njohurive tona. Edhe pse ishte profet, i ditur dhe fliste drejtpërdrejt me Allahun e Madhëruar, Musai (a.s) u tregua modest përballë Hidrit.
Ndërkohë, historia e Dhulkarnejnit na mëson të mbrohemi nga sprova e pushtetit. Po ashtu, dinamizmi që shihet qartë në këtë histori na jep mesazhin se për t’u mbrojtur nga sprovat duhet shumë punë dhe veprimtari e dobishme.
Sa herë që besimtari e lexon këtë sure me vëmendje dhe reflektim, ai futet në një det të thellë përjetimesh. Surja Kehf është e pëlqyeshme të lexohet nga çdo mysliman që ka mundësi ditën e premte. Profeti (a.s) ka thënë që besimtarit do t’i dhurohet një dritë, e cila do ta shoqërojë për një javë, nëse ai e lexon suren Kehf në këtë ditë.