Lumturia e Sahabeve me Pejgamberin (s.a.v.s.)

Muhammedi (s.a.v.s.) erdhi tek njerëzit me thirrjen e Allahut fuqiplotë. Thirrja e tij nuk ishte e as nuk përmbante fjalë të njerëzve të kësaj bote, por thirrjen e Krijuesit të gjithësisë.

Pejgamberi (s.a.v.s.) nuk priste t’i jepet ndonjë pasuri e kësaj bote, e as që kishte kopshte të frytshme të ushqehet prej tyre, as që banoi në pallate të larta e të bukura, por megjithëkëtë të gjithë e prisnin të lidhnin besën me të.

Në atë egërsi jetësore nga të gjitha aspektet, në vuajtjet e vështirësitë më të rënda, kur ishin të dobët në tokë dhe frikësoheshin nga armiqësitë e njerëzve përreth, pasuesit e tij e deshën e i dhanë tërë dashurinë.

Të afërmit i luftuan dhe i dëbuan, por kjo përsëri s’ua pakësoi dashurinë që mbanin në kraharorë për profetin (s.a.v.s.), por ua zmadhoi e ua rriti atë.

Disa prej tyre i shtypnin mbi rërën e zjarrtë të shkretëtirës me ditë të tëra, të tjerët i burgosnin duke i rrahur dhe masakruar lakuriq, e disa i detyruan të braktisin islamin dhe të kthehen në pabesim, por prapë se prapë ata e deshën dhe ia dhanë tërë dashurinë.

Sahabët i dëbuan nga vendlindjet, ua torturuan familjet, ua prishën banesat, ua fshinë buzëqeshjen nga fytyrat rinore, por në zemrat e tyre dashuria për Muhammedin (s.a.v.s.) qëndronte parësore.

U sprovuan besimtarët dhe u tronditen me dridhje shumë të forta, zemrat iu ngjitën në fyt, por megjithatë e deshën Muhammedin (s.a.v.s.) me një dashuri të sinqertë. Jobesimtarët u rreshtuan për të gjuajtur në trupat e njomë të shokëve të tij, shpatat e mprehta u qëndronin mbi koka, por besimi i vulosur u jepte qëndresë, ua hiqte trishtimin syve të patrembur dhe shpatat e gatshme mbi qafa i shihnin si hijet e degëve të pemës së rënduar me fryte të freskëta.

Pse vallë?! Pse e deshën pejgamberin (s.a.v.s.) dhe u gëzuan aq shumë me thirrjen e tij; u qetësuan me programin e tij, përgëzuan ardhjen e tij, harruan ҫdo dhimbje, vuajtje, e vështirësi për ta pasuar? Ata te Muhammedi (s.a.v.s.) shihnin ҫdo gjë që përmbante dobinë dhe lumturinë, vërenin shenjat e bamirësisë dhe drejtësisë.

Ishte i dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ai që mbeti shembullor për mbarë njerëzimin deri në ditën e gjykimit, ua freskoi zemrat me përkëdheljet e tij të ngrohta shokëve që u gufonte vala në gjokse. Me fjalët e tij ua mbushi zbrazëtirën shpirtërore, se ishin fjalë që përmbanin shpallje. Derdhi mbi zemrat e tyre pajtimin, ndaj s’i përfillën dhimbjet përballë rrugës së thirrjes së tij.

Muhammedi (s.a.v.s.) ua mbushi sahabëve shpirtërat me bindje që i bëri të harronin plagët. Shkëlqyen ndërgjegjet e tyre me udhëzimin e tij, dhe u ndriҫuan pamjet e tyre me dritën e tij. Ai ua flaku nga krahët injorancën, ua hoqi nga shpinat mëkatet e mosbesimit, largoi nga qafat e tyre prangat e hekurta të devijimit dhe shirkut.

Ai shuajti nga shpirtërat e tyre zjarrin e inatit dhe të armiqësisë, e derdhi mbi ndjenjat e tyre ujin bindës, kështu u qetësuan shpirtërat dhe u stabilizuan trupat e tyre. Sahabët kuptimin e jetës e gjetën me të dërguarin (s.a.v.s.); Afërsia e tij i bënte të lumtur, sigurinë e gjetën duke pasuar rrugën e tij, shpëtimin e gjetën në zbatimin e urdhërave të tij, dhe pasurinë në imitimin e tij.

 

URTESI.AL

 

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: