Llojet dhe dispozitat rreth llojeve të ndryshme të ujërave

Para se të fillojmë të themi diçka për ujërat, të theksojmë se për pastrim janë të vlefshme ujërat që zbresin nga qielli apo burojnë nga toka, siç janë: shiu, bora, breshri, lumenjtë, detet, puset dhe burimet e tjera. Sipas rregullave të Sheriatit islam, ujërat për nga pastërtia dhe papastërtia e tyre ndahen në lloje që kryesisht janë:

1. Uji i pastër, i cili zotëron cilësitë e pastrimit dhe me të bëhet mënjanimi i papastërtisë. Ky është uji i zakonshëm. Në këtë kategori përfshihen:

a) Uji i shiut, borës, akullit etj. Për këtë Allahu xh.sh. thotë:

وَ يُنَزِّلُ عَلَيْكُمْ مِنَ السَّماءِ مَاءً لِيُطَهِّرَكُمْ بِهِ

Ju lëshoi shi nga qielli, për t’ju pastruar me të” (Enfal, 11)

b) Uji i detit, e këtë e vërteton hadithi i Profetit a.s. ku thotë: ”Uji i detit është i pastër.

c) Uji i pusit – bunarit dhe ujërave që burojnë nga toka.

d) Uji i lumenjve.

2. Uji që është i pastër në esencë, por nuk pastron të tjerët. Ky lloj uji është i pastër në esencën e tij, pastron të gjitha papastërtitë materiale (të dukshme në trup, rroba), por nuk vlen për abdes dhe pastrim nga papastërtia. Ky lloj uji është uji i përdorur (maul musta’mel.)

3. Uji që është i pastër dhe që pastron, por përdorimi i tij është mekruh (i urryer). Ky është uji nga i cili kanë pirë macja e shtëpisë, pula, ose shtazët rrëmbyese siç janë: miu, gjarpri etj.

4. Uji i pastër në esencë, por i dyshimtë në mundësinë e shmangies së papastërtisë. Maun meshkuk (uji i dyshimtë). Ky është ai lloj uji nga i cili ka pirë ndonjë kafshë veshgjatë, si gomari apo mushka. Dispozita e këtij uji për përdorim është: nëse mungon ujë tjetër, atëherë merr abdes me të dhe ia bashkëngjet tejemumin. Shkaku i dyshimit është në kundërthëniet e argumenteve për lejim apo ndalim.

5. Uji i pisët. Ujë i pisët konsiderohet ai ujë në të cilin ka rënë ndonjë ndyrësi, ndërsa kjo rënie shkakton ndërrimin e shijes, ngjyrës apo erës. Gjithashtu ujë i papastër konsiderohet ai ujë në të cilin ka rënë ndonjë papastërti, për të cilën dihet saktësisht.

Nëse uji është i palëvizshëm dhe nëse është në sipërfaqe më pak se 10×10 dhira’, ai nuk konsiderohet i pastër. Nëse uji është më shumë se 10×10 dhira në formë katrori, dhe thellësia e tij e tillë sa të mos i duket fundi me futjen e dorës, atëherë konsiderohet i pastër, duke përjashtuar rastin nëse reflektohen cilësitë e papastërtisë në të.

Dispozita e Surit

Su’r quhet uji i mbetur i palëvizshëm nga i cili ka pirë ndonjë krijesë. Edhe su’ri ndahet në disa lloje:

1. Uji i mbetur su’ri” që është i pastër, me cilësi pastrimi dhe i cili mund të shërbejë. Ky është uji nga i cili ka pirë njeriu, pavarësisht se bëhet fjalë për myslimanin apo jomyslimanin.

2. Suri i ngelur nga kafshët, mishi i të cilave është i lejuar për myslimanët. Ky lloj suri është i pastër dhe mund të përdoret për pastrim.

3. Suri i dyshimtë nga i cili ka pirë ujë gomari apo mushka, me të mund të merret abdes nëse nuk ka ujë tjetër, por pas abdesit duhet menjëherë të merret edhe tejemum, ngase ky është ujë i dyshimtë.

4. Suri i cili nuk është i pastër dhe ky ujë nuk mund të përdoret për pastrim. Ky ujë është ai nga i cili kanë pirë qeni, derri dhe kafshët dhëmbëshqyese.

Ujërat e puseve dhe dispozita e tyre

Për ujin e pusit-bunarit ekzistojnë dispozita të shumta, por ne do t’i përmendim disa nga to:

1. Nëse në bunar bie ndonjë kafshë dhe nxirret e ngordhur, atëherë paraqiten këto raste:

a) Nëse në bunar (pus) bie një gjallesë që ka gjak, siç është njeriu, dhia apo lepuri, atëherë nëse kjo krijesë fryhet apo kalbet, sa që t’i shkëputen gjymtyrët e tij, apo i bien qimet, atëherë dispozita e kësaj gjendjeje është papastërtia e këtij bunari, kovës, litarit dhe mureve të bunarit. Ky bunar nuk pastrohet pa e nxjerr tërë ujin, nëse ka mundësi, nëse nuk ka mundësi për ta nxjerrë tërë ujin, atëherë duhet zbrazur 200 kova me madhësi normale.

b) Nëse në bunar bie dhe ngordh gjallesa që është e vogël, siç janë pëllumbi, pula apo macja, por nuk fryhen e as janë kalbur sa që t’i bien qimet, duhen nxjerrë 40 kova me ujë.

c) Nëse gjallesa është edhe më e vogël nga të lartpërmendurat, siç janë zogu, miu etj. duhen nxjerrë 20 kova me ujë.

2. Nëse në bunar bie një gjallesë dhe nxirret e gjallë nga uji, atëherë na paraqiten dy gjendje:

a) Nëse ajo gjallesë në esencë është e ndytë, e fëlliqur, siç është derri, atëherë dispozita e kësaj gjendjeje është që të nxirret i tërë uji, nëse ekziston mundësia, e nëse jo, duhen zbrazur 200 kova me ujë, ngjashëm sikur dispozita kur bie gjallesa dhe fryhet në ujë.

b) Nëse gjallesa e rënë në esencë s’është e ndytë, siç është dhia, dispozita e kësaj gjendje është se, nëse kjo gjallesë është e ndytë në trupin e saj, atëherë merr dispozitën që në esencë është e ndytë. Mirëpo, nëse në trupin e saj nuk ekziston ndonjë ndyrësi, atëherë nuk është e domosdoshme të hiqet diç nga uji, por është mendub (e preferueshme) që të zbrazen 20 kova, sa për qetësim zemëror. Nëse në ujë ngordh ndonjë gjallesë që nuk është gjakrrjedhëse, siç është akrepi apo peshku, uji nuk fëlliqet aspak.

Nëse në pus gjejmë ndonjë kafshë të ngordhur e që ende nuk është e enjtur, atëherë, sipas mendimit të Imam Ebu Hanifes, konsiderohet se uji është ndotur para 24 orëve dhe namazet e falura me abdesin e atij uji duhen bërë kaza. Mirëpo, nëse është e enjtur, atëherë uji konsiderohet se është ndotur para tri ditëve. Mendim të kundërt kanë Imam Ebu Jusufi dhe Imam Muhamedi, të cilët thonë se uji konsiderohet i papapastër nga momenti kur është vënë re papastërtia e tij.

Postime të ngashme