Lexo me emër të Zotit tënd…
Çdo gjë është e Allahut, çdo gjë vjen prej Tij dhe, në fund, çdo gjë përfundon tek Ai xh.sh. Shkurt, njeriu çdo gjë që posedon, e ka amanet për aq kohë sa e ka caktuar i madhi Zot.
Allahu xh.sh. përmes Kur’anit dhe Profetit a.s. iu bën thirrje besimtarëve të kërkojnë diturinë, herë në formë këshille e nxitje dhe herë në formë urdhërore. Vetë fakti se fjala e parë e shpallur ishte “lexo”, tregon për vlerën dhe nivelin në të cilin Islami e ngre diturinë. Në Kur’an, fjala dituri përmendet në 660 vende dhe në fjalët e Profetit vlera e diturisë peshohet me vlerën e adhurimeve që bëjmë ndaj Allahut të Madhërishëm. Me shpalljen e ajetit të parë: “Lexo, me emër të Zotit tënd…” (Alek 1) dhe në shumë ajete të tjera të ngjashme, Kur’ani fton për hulumtim të gjithësisë dhe të rolit të njeriut në gjithësi, në mënyrë që të zbulohet harmonia dhe ligjet e kësaj bote, duke i hapur njeriut në këtë mënyrë rrugën e mendjes dhe zemrës kah Krijuesi. Ky është, sipas fesë islame, qëllimi i jetës në këtë botë kalimtare, si parakusht i lumturisë për në botën e amshueshme.
Ikra, lexo, është një urdhër hyjnor, i shfaqur njeriut si qenia më e nderuar, është një dhënie detyre dhe një ftesë për njeriun, me qëllim për t’u bërë partner i përsosmërisë së pafundme dhe përgjegjës për arritjen e saj. Kështu pra, duke lexuar, njeriu do të përpiqet të kuptojë, ndonjëherë do të kuptojë gabim, gjithashtu do të bëjë edhe gabime, por do të fitojë përvojë, do t’i përftojë vetes bindje dhe besueshmëri, saktësi dhe siguri. Tjetër gjë është të shohësh, tjetër të vëresh, tjetër gjë është të kuptosh, tjetër ta përvetësosh me vetëdije dhe zemër atë që e kuptove dhe, pas gjithë kësaj, është krejt tjetër ta praktikosh, ta vësh në zbatim dhe t’ua përçosh të tjerëve.
Prandaj, të jesh mysliman, do të thotë të jesh në një këndvështrim, më përgjegjës se të tjerët, por edhe po aq i kujdesshëm dhe shpirtgjerë, sepse krahas respektimit të parimeve shoqërore, kërkohen dashuria dhe mirëkuptimi, dhembshuria dhe butësia, krahas durimit dhe tolerancës, kërkohen dijenia, vullneti, urtësia, ekuilibri, aftësitë përmbledhëse e plotësuese.
Të nxitur nga Kur’ani dhe hadithet, shumë myslimanë iu përkushtuan arritjeve të diturisë, domethënë filluan të merren me shkencë. Ata nuk studiuan vetëm shkencat islame, por edhe shkencat natyrore, humane e shoqërore. Në fund rezultatet nuk munguan, arritjet e tyre shkencore kontribuuan në zhvillimin e shkencës moderne. Sot janë të njohur me qindra myslimanë që ndihmuan zhvillimin e shkencës. Falë kontributit të tyre janë ndërtuar edhe themelet e disa shkencave, siç është ajo e algjebrës. Fatkeqësisht këtë stafetë, myslimanët e lanë dhe, po t’i referohemi shekullit të kaluar, 99% të arritjeve shkencore, teknike dhe teknologjike, nuk janë nga bota islame.
Ndenja larg shkencave pozitive duke pasur frikë se mos çojnë në ateizëm, është fëminore, po ashtu, edhe trajtimi i tyre si pretekst që çon në mohim, duke i parë ato në tërësi si kontradiktore të fesë dhe besimit, është injorancë dhe paragjykim.
Shkencat janë të dobishme me aq sa na e garantojnë lumturinë dhe na lartësojnë në vlerat njerëzore. Njeriu nëpërmjet arsimit dhe shkencës kupton qëllimin e krijimit të tij dhe njeh vetveten, kupton gjithësinë dhe njeh Krijuesin e tij. Kjo ka qenë dhe arsyeja pse Profetit Muhammed a.s. ajetet e para i kanë zbritur për hulumtim, studim dhe shkencë, e jo për adhurim.
Dituria patjetër duhet të jetë në shërbim të njeriut. Po qe se nuk është në shërbim të njeriut, por të tekave dhe dëshirave vetjake të tij, atëherë ajo dije është e destinuar që ta errësojë rrugën e ndriçuar për në xhenet. Ne nuk mund të kuptojmë asnjë fenomen që ndodh në rruzullin tokësor, duke përfshirë natyrën, qiejt e tokën, pa dije. Dhe nëse nuk do të shfrytëzonim dijen, ne nuk do të ishim në gjendje që të përfitojmë prej favoreve të panumërta që Allahu i Madhërishëm na ka dhuruar e na dhuron.
Meqë jetëgjatësia e njeriut është e paracaktuar dhe mundësitë të kufizuara, është e pamundur që të mësohen të gjitha dituritë e shkencat, si dhe të përfitohet prej tyre. Nisur nga kjo, çdo individ duhet t’i mësojë dhe vërë në punë gjërat e domosdoshme për të dhe kombin e tij, pa qenë e nevojshme ta çojë kot jetën me gjëra që nuk i hyjnë në punë.
Synimi i mësimit, është që dija t’i bëhet njeriut prijës dhe udhërrëfyes, që të ndriçohen udhët që shkojnë në përsosjen njerëzore. Për rrjedhojë, dituritë dhe shkencat që ia kanë zënë vendin shpirtit duke e shmangur plotësisht atë, janë vetëm barra në shpinë për njeriun.
Ja se si shprehet për këtë poeti i njohur turk Junus Emre:
Dituri do të thotë të dish,
Do të thotë veten të kuptosh;
E nëse ti veten s’e kupton,
Ç’të vlen kaq shumë të lexosh?..