Leximi rregullisht i Kur’anit Famëlartë

Për këtë na tregon Eus bin Hudhejfe eth-Thekafi r.a: “Ne patëm ardhur tek i Dërguari i Allahut s.a.s si përfaqësues të popullit të Thekifit. Ne të Benu Sa’dit patëm bujtur në shtëpinë e Mugire bin Shu’bes; ata të fisit të bijve të Malikut u pritën në çadrën e ngritur në xhaminë e të Dërguarit të Allahut. Gjatë atyre ditëve, Resulullahu vinte tek ne dhe pas namazit të jacisë na fliste për Allahun. Nganjëherë detyrohej të ndryshonte vendin e këmbëve, pasi ato i ënjteshin ngaqë rrinte shumë në këmbë. Një nga temat, për të cilat na fliste më së shumti ishin ankesat e tij për kurejshët:

“Kur ne ishim shumë të dobët në Mekë, ishim krejt të pafuqishëm dhe ishim si një bashkësi e shtypur nga të gjithë. Por, pasi erdhëm në Medinë, ne ua morëm atyre hakun. Herë i mundëm ne, herë na mundën ata.”

Një natë ai erdhi tek ne në një orë më të vonë seç vinte zakonisht, ndaj e pyetëm:

– “O Resulullah! Pse erdhët më vonë seç keni ardhur natë për natë?” I Dërguari i Allahut s.a.s na u përgjigj:

“Mu kujtua përnjëherësh se duhej të lexoja një pjesë nga Kur’ani për të përmendur Allahun. Nuk desha të dilja pa lexuar njëherë atë pjesë.” Në agim ne shkuam e pyetëm sahabët më të afërt me të Dërguarin e Allahut, se si i kishin formuar përmendjet e Allahut nga Kur’ani dhe ata na thanë:

– “Ne e ndajmë Kur’anin në tri, pesë, shtatë, nëntë, dhjetë, njëmbëdhjetë dhe trembëdhjetë pjesë. Veç kësaj, pjesa pas sures “Huxhurat” është e gjitha një pjesë ku përmendet Allahu.”[1]

Ebu Selemeja tregon se: “Omeri r.a i thoshte Ebu Musa el-Eshariut:

“Na e kujto pak Zotin!” Dhe ai u lexonte atyre Kur’an. Ebu Musai e lexonte shumë bukur Kur’anin, meqenëse kishte një zë shumë të bukur.”[2]

Tregon edhe Hasan Basriu: “Osmani r.a ka thënë:

“Nëse ne do t’i kishim zemrat të pastra, ne nuk do të ngopeshim dot së dëgjuari fjalën e Zotit. Unë nuk dua që të më shkojë asnjë ditë pa lexuar Kur’an.” Vërtet, kur gjetën lidhjen e Kur’anit të Osmanit r.a, pasi ai ishte ndarë nga jeta, panë se ai ishte shumë i konsumuar nga përdorimi, aq sa faqet i kishte krejtësisht të vjetruara.[3]

Ukbe bin Amiri r.a tregon: “Njëherë, kur u takova me të Dërguarin e Allahut s.a.s, ai më pati thënë:

“Ti ruaji lidhjet, përpiqu të lidhesh me atë që i pret marrëdhëniet me ty, jepi edhe atij që nuk të jep, e tregohu falës edhe ndaj atij që të bën të padrejtë.” Pastaj, kur u takuam njëherë tjetër, ai kësaj here më tha:

“Shiko, Ulebe bin Amir, a do që unë të të mësoj ato sure që Allahu deri më sot nuk i ka zbritur as në Teurat, as në Ungjill, as në Zebur? Do të t’i tregoj, por ti lexosh medoemos çdo natë. Ja, ato sure janë: Ihlas’, Felek’ dhe ‘Nas?”

Që nga ajo ditë, kur i Dërguari i Allahut më urdhëroi që t’i lexoja medoemos çdo natë ato sure, unë nuk i kam lënë kurrë pa i lexuar. Nuk i ka hije një njeriu si unë, që të mos i lexojë.”[4]

Aishja r.a thotë se: “I Dërguari i Allahut s.a.s nuk binte të flinte pa lexuar njëherë suret “Zumer” dhe “Isra”.”[5]

Kurse Aliu r.a tregon: “Kam qenë aty, kur i Dërguari i Allahut s.a.s na foli nga minberi dhe na tha:

“Kushdo që lexon Ajetin Kursij’ pas faljes së çdo namazi, për të nuk mund të ketë asnjë pengesë, që të hyjë në Xhenet. Dhe ai që e lexon Ajetin Kursij’ kur shtrihet për të fjetur, Allahu krijon siguri dhe besim mes familjes, fqinjëve dhe njerëzve të tjerë përreth tij.”[6]

Abdullah bin Busri r.a tregon: “U nisa nga Humusi dhe natën qeshë i detyruar ta kaloja në Bakia. Një të rrethuar më bënë xhindet dhe unë lexova menjëherë këtë ajet të sures “A’raf”: “Në të vërtetë, Zoti juaj është Allahu, që krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë e pastaj u ngrit mbi Fronin hyjnor (që mbisundon gjithësinë). Ai me errësirën e natës e mbulon ditën, e cila e ndjek atë; Dielli, Hëna dhe yjet i përulen urdhrit të Tij. Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi. Qoftë bekuar Allahu, Zoti i botëve!”[7]

Një ta mbaruar së kënduari ajetin, xhinder thanë: “Ruajeni atë derisa të agojë dita e re!” Unë, një të zbardhur, i hipa devesë dhe u nisa të vazhdoja rrugëtimin.”[8]

Abdullah bin Ubejd bin Umejri tregon: “Abdurrahman bin Aufi r.a, sapo hynte në shtëpi lëvizte nëpër të dhe këndonte Ajetin Kursij’ në çdo cep të saj.”[9]

 

[1] El-Hindi, Kenzul-Ummal, 2/467 (4217)

[2] Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/258; Ibn Sa’d, Tabakatul-Kubra, 4/109

[3] Bejheki, Shuabul-Iman, 2/409 (2223)

[4] Ahmed bin Hanbel, Musned, 4/148 (17372)

[5] Tirmidhi, Sunen, 4/475 (3405)

[6] Bejheki, Shuabu’l-Iman, 2/458 (2395)

[7] A’raf, 7/54

[8] Hejthemi, Mexhmeu’z-Zenaid, 7/94 (11015)

[9] Hejthemi, Mexhmen’z-Zenaid, 10/179 (17076)

 

Postime të ngashme