Lartësimi dhe përhapja e qytetërimit islam

nga Dr. Mozemil Haque

Para se të meditojmë përmbi të ardhmen e njerëzimit në këtë mijëvjeçar të ri, do të ishte me vlerë të shqyrtonim mijëvjeçarin që sapo përfundoi, dhe veçantitë e tij të natyrshme, duke qenë i mbushur plot me ngjarje të mëdha. Një mijë vjetët e fundit dëshmuan rënien dhe ngritjen e qytetërimeve, luftëra dhe kundërshti fetare apo kombëtare e racore, grupime dhe shpërndarje a gjymtime popujsh a shtetesh, dhe një këmbëngulje në rritje për të drejta njerëzore, paralel me rritjen e mizorisë dhe dhunimit.

Islami u shfaq në një stad të historisë, në një kohë të vështruar si më të errëtat e historisë njerëzore. Një kohë kur fetë e mëparshme kishin dalë nga udha e profetëve, dhe kishin përfunduar nga fe, në kulte.

Në këtë periudhë të historisë njerëzore, lindi dhe mori shpalljen hyjnore profeti Muhamed a.s.

Të ndezur nga afshi i përhapjes së thirrjes islame për në Zotin Një, e për një botë drejtësie, barazie e vëllazërimi, ndjekësit e profetit Muhamed a.s. arritën që më se një shekull prej vdekjes së tij, ta shpalosin flamurin e Islamit përmes Afrikës Veriore e Spanjës, drejt Pirenejve në Francë e mes Persisë, Indisë e Turkistanit, deri në kufijtë e Kinës.

Profesor Philip Hitti me të drejtë nënvizon se në 100 vitet pas ndërrimit jetë të Profetit a.s., pushteti i mëkëmbësve të tij, kishte marrë formën e një shteti botëror, të shtrirë nga Kina në Francë.

Dinastia e madhe emevite, me bazë në Damask (661-750), dhe më e madhja se ajo, dinastia abasite, në Bagdad (750-1258), dhe të tjera dinasti të përmendura,si ajo e fatimidëve në Kairo apo sërish e emevive në Kordovë, janë të rëndësishme në kapitullin e historisë islame. Myslimanët sollën me to, një qytetërim të freskët, një mënyrë tjetër të të vështruarit dhe të jetuarit të jetës; ata erdhën në skenën botërore për të qenë personazhe kryesore.

Me qëllim që të shpjegojnë përhapjen e furishme e fenomenale të Islamit në kohët e para të tij, kritikët shpesh kanë sugjeruar se myslimanët kanë vringëlluar shpatat për të hapur fenë e tyre revolucionare. Shkrues të ndryshëm perëndimorë e kanë përshkruar luftëtarin musliman me shpatën në një dorë dhe me Kur’anin në tjetrën. Por ama çdokush e di mirë se shpata nuk është frytdhënëse si një mënyrë për të futur njerëzit në fe.

Duhet parë për shkaqe të tjera. Duhet parë në bukurinë, në thjeshtësinë dhe barazinë që rrezaton Islami, i cili ofronte një baraspeshë midis çështjeve të botës e atyre të fesë, duke e tërhequr kështu natyrshëm njerëzinë kudo.

Will Durant, një i krishterë i devotshëm dhe një kritik i njohur i Islamit, megjithatë shkruan:

“Në Kur’an nuk ka vetëm rregulla për sjelljet e mira dhe pastërtinë, martesën e ndarjen, e trajtimin e fëmijëve, skllevërve e kafshëve, por gjithashtu për tregtinë e politikën, interesin dhe borxhin, marrëveshjet dhe trashëgiminë, industrinë dhe financat, krimin dhe ndëshkimin, luftën e paqen. Muhamedi a.s. i kërcënoi me ferrin, tregtarët mashtrues e të pandershëm, denoncoi spekulatorët e monopolistët të cilët grumbullonin mallra për t’i shitur më pas më shtrenjtë, urdhëroi punëdhënësit ‘t’i japë punëtorit shpërblimin para se t’i thahet djersa’. Ai ndaloi të jepet a të merret interesi (fajdeja). Asnjë reformator më mirë se ai nuk u vuri taksa të pasurve për të ndihmuar të varfrit. Dallimi në racë apo sërë, kaq i fuqishëm midis fiseve të kohës, u zvogëlua prej besimit të njëjtë; siç edhe ai tha: ‘Edhe nëse një skllav i zi caktohet t’ju udhëheqë, dëgjojeni e bindjuni atij…”

Veç kësaj, ndikim pati edhe fakti që dijetarët e Islamit iu dhanë me mish e shpirt grumbullimit të thesareve të vjetra të dijeve dhe arteve.

Veprimtaria mendore e myslimanëve të hershëm, përgjithësisht klasifikohet në dy: në atë çka ishte fillesë e arabëve si gjuhësia, letërsia, teologjia, ligjshmëria e historia, si edhe atë çka ishte përftesë prej takimeve me popujt e tjerë, si filozofia, matematika, astronomia, mjekësia, shkencat natyrore e gjeografia etj. Nevoja e mbajtjes në këmbë të strukturës madhore së një rendi politik e shoqëror në shtetin islam, në mënyrë që kjo strukturë të buronte e të mbështetej në Kur’anin e shenjtë dhe në shembullin e Profetit, bëri që fillimisht dijetarët myslimanë të shkëlqenin në grupin e parë të shkencave.

Myslimanët e nisën aventurën e tyre intelektuale me përkthimet voluminoze nga persishtja, sanskritishtja, siriakishtja e greqishtja. Gjatë fazës së përkthimeve (750-850), u arrit një situatë e tillë, gjatë së cilës, bota myslimane të kishte në duart e saj kryeveprat e lashtësisë prej kulturave të ndryshme, dhe mundësinë për t’i përsosur më tej këto kryevepra.

Kështu, duke filluar nga gjysma e shekullit të nëntë, myslimanët filluan një epokë ndihmesash vetjake në shkenca, duke kapërcyer kështu fazën e përkthimeve.

Në pak shekuj ata prodhuan disa prej shkencëtarëve, filozofëve, historianëve dhe juristëve më të mirë të njerëzimit. Në këtë periudhë, tokat e tyre ishin qendra të qytetërimit dhe mendjendriçimit. Përparimi, zhvillimi dhe animi i përgjithshëm për nga toleranca, ishin në një kontrast të thellë me prapambetjen, varfërinë dhe fanatizmin që mbanin shtrënguar Evropën e kohës.

Historiani Stanley Lane-Poole, shkruan: “Dymbëdhjetë mijë vjet më parë, Tarik Mauri (Tarik bin Zijad), ia shtoi tokën e Vizigotëve (Spanjën) katalogut të pasur të mbretërive të rëna në duart e myslimanëve. Për më se tetë shekuj, nën prijësit e saj myslimanë, Spanja i dha gjithë Evropës një shembull të shkëlqyer të një shteti të qytetëruar. Aty, krahinat pjellore u kthyen dyfish prodhimtare prej aftësive teknike të zotëruesve të saj.

Arti, letërsia dhe shkenca përparuan si jo tjetërkund në Evropë. Studentë nga Franca dhe Gjermania dhe Anglia vërshonin për të pirë prej burimeve të dijes të cilat rridhnin prej qyteteve të myslimanëve. Kirurgët e mjekët e Andaluzisë ishin pararoja e shkencës së kohës; gratë mbështeteshin për të studiuar seriozisht.

Matematika, astronomia, botanika, historia filozofia e jurisprudenca arritën stade mjeshtërore në Spanjë. Metoda shkencore e irrigimit të ujërave, artet e fortifikimit dhe të anije-ndërtimit, prodhimet më të rafinuara të cohës, veglat e gdhendësve dhe poçarëve u përmirësuan në këtë kohë nga banorët e Spanjës.

Në praktikat luftarake jo më pak se në artet e paqes, ata qëndruan mbi të tjerët për një kohë të gjatë. Gjithë çka e bën një mbretëri të madhe dhe të përparuar, gjithë çka çon drejt përsosjeve dhe qytetërimit, mund të gjendej në Spanjën myslimane.”

Postime të ngashme