KURANI
Kur’ani është Fjalë e fundit e Allahut e zbritur Muhamedit a.s. për 23 vjet përmes Xhibrilit, në gjuhën arabe, i shkruar në Mus’haf, i përcjellë me sigurinë më të madhe (muteuatir), leximi i të cilit përbën adhurim. Të gjitha ajetet që përmban Kur’ani, i përkasin Allahut xh.sh. dhe janë Fjalë e Tij. Në Kur’an nuk ka fjalë të tjera, përveç të Allahut, aty nuk ka as fjalë të Profetit apo të dikujt tjetër.
Kur’ani është fjala e Allahut xh.sh., me plot urtësi me cilësinë e Tij, Krijuesi i të gjithë botëve i zbritur nga gjithëpërfshirja e “Emrit më të madh.” Ai është përmbledhje e mesazheve të Allahut që shpjegon Madhështinë e Tij dhe i mesazheve më të përsosura i dërguar si mëshirë në horizontin njerëzor.
Kur’ani është burimi kryesor i mësimit fetar të Islamit, i normave të tij morale, etike dhe juridike. Teksti i Kur’anit në arabisht, është i përsosur dhe konsiderohet Fjalë e Zotit, e mirëfilltë, e plotë, e papërsëritshme, si në formë ashtu dhe në përmbajtje. Çdo fjalë e Kur’anit është në përputhje të plotë me atë që gjendet e shkruar në Tabelën e Ruajtur (Leuhi Mahfudh) në Arketipin Qiellor të Shkrimeve të Shenjta, ku ruhen njoftime për gjithçka që ndodh në Gjithësi. Allahu xh.sh. e vuri tekstin e Kur’anit në zemrën e Muhamedit a.s. përmes Shpalljes së Vërtetë.
Leximi i Kur’anit është adhurim, sevap e mirësi, prandaj myslimanët e lexojnë Kur’anin dhe e dëgjojnë me respekt kur e lexojnë të tjerët. Disa myslimanë të kohës së Pejgamberit a.s. e patën mësuar Kur’anin përmendsh. Kjo traditë e nxënies përmendsh të Kur’anit ka vazhduar gjeneratë pas gjenerate, derisa ka ardhur gjer në ditët tona. Ata që e mësojnë Kur’anin plotësisht përmendsh quhen “hafizë”.