Kur duhet te marrim gusl?
Kuptimi leksikor i fjalës gusl do të thotë “të lash diçka me ujë”, kurse në terminologjinë e jurisprudencës islame do të thotë “larja e plotë e trupit me ujë”, që për kohët moderne do të thotë të bësh dush. Feja jonë e ka bërë të detyrueshme (farz) larjen e përgjithshme të trupit në disa kushte të caktuara. Në Kur’an urdhërohet:
وَإِنْ كُنْتُمْ جُنُبًا فَاطَّهَّرُوا
“Në qoftë se jeni të papastër, bëni gusl.” (Maide, 5/6).
Edhe po të mos ketë një rast të tillë, myslimani duhet ta lajë tërë trupin, të paktën një herë në javë. Veçanërisht, larja trupore para se të shkohet në namazet e xhumasë dhe të Bajramit, është synet.
Situatat që detyrojnë guslin
1. Derdhja (ejakulimi) e farës, spermës, pa marrë parasysh se kjo ngjan në gjendje të zgjuar apo në gjumë, përmes marrëdhënieve intime apo ëndërrimit, apo vetëm me shikim, a vetëm me paramendim, etj. Në këtë rregull përfshihen të dy gjinitë, mashkulli dhe femra. Profeti a.s. ka thënë: “Uji nga uji (pastrimi me ujë detyrohet me daljen e ujit-spermës).” (Muslimi)
Gjithashtu, pastrimi është detyrim edhe për personin, i cili kur zgjohet nga gjumi sheh sekrecionet e spermës. Po ashtu, nëse i sheh shenjat e spermës detyrohet të pastrohet, edhe nëse nuk i kujtohet ëndrra.
Nëse sperma ka lëvizur nga vendi i vet, por nuk ka dalë jashtë penisit, në këtë rast, sipas Imam Ebu Hanifes dhe Imam Muhamedit, pastrimi është i detyruar.
2. Të përmuajshmet e grave (menstruacioni). Pas përfundimit të të përmuajshmeve të grave, me konsensusin e fukahave (juristëve), femra detyrohet të pastrohet. Allahu xh.sh. thotë:
وَ يَسْئَلُونَكَ عَنِ المَحِيضِ قُلْ هُوَ أَذًى فَاعْتَزِلُوا النِّسَاءَ فِي المَحِيضِ وَ لاَ تَقْرَبُوهُنَّ حَتَّى يَطْهُرْنَ فَإِذَا تَطَهَّرْنَ فَأْتُوهُنَّ مِنْ حَيْثُ أَمَرَكُمُ اللهُ إِنَّ اللهَ يُحِبُّ التَّوَّابِينَ وَ يُحِبُّ المُتَطَهِّرِينَ
“Të pyesin ty për menstruacionin (hajzin). Thuaj: Ajo është gjendje e neveritur, andaj largohuni prej grave gjatë menstru-acionit dhe mos iu afroni atyre (për marrëdhënie seksuale) derisa të pastrohen. E, kur të pastrohen, atëherë afrojuni atyre ashtu si u ka lejuar Allahu. Allahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme”. (Bekare: 222)
Pejgamberi a.s. kur është pyetur në një rast, ka thënë: “Kur të vijnë menstruacionet, ndërprite namazin, e kur të ndërpriten pastrohu dhe fale namazin.” (Buhariu)
3. Nifasi-lehonia. Pas daljes nga periudha kohore apo përfundimit të lehonisë (nifasit), femra detyrohet të pastrohet. Pas lindjes së fëmijës, e ëma, edhe kur nuk sheh gjakrrjedhje, sipas Ebu Hanifes, detyrohet me pastrim.
4. I vdekuri. Myslimanët e gjallë e kanë detyrim kolektiv (farzi kifaje) pastrimin e të vdekurit të tyre mysliman, nëse dinë për të, me përjashtim të papërcaktuarit në gjini (ambigjiniut) dhe dygjinorit (el-huntha), të cilët nuk pastrohen, por iu jepet tejemum.
5. Jobesimtari, nëse e pranon Islamin, detyrohet të pastrohet.
Në këtë kontekst vlen të përmendet se pastrimi në këto gjendje ishte farz, kurse në Islam kemi edhe pastrime që janë synet. Ato janë: pastrimi ditën e premte (ditën e xhuma) për ata që shkojnë në xhami, pastrimi në dy Bajramet, pastrimi për veshjen e ihrameve për Haxh apo Umre, pastrimi Ditën e Arafatit për haxhiun e jo për të tjerët.