Katër gjendjet e njeriut

Njeriu kalon situata te ndryshme në jetë, ku disa prej tyre janë të dashura për të dhe disa të tjera jo. Ai kalon sa në një gjendje në një tjetër dhe çdo ditë e njeh më mirë veten dhe realitetin që e rrethon. E rëndësishme është të dish se si të reagosh përballë situatave, t’i japësh atyre përgjigjen e duhur dhe të veprosh në përputhje me kënaqësinë e Krijuesit.

Disa dijetarë i kanë përmbledhur gjendjet e njeriut në jetën e kësaj bote në katër. Çdo situatë e jetës sonë përfshihet doemos në njërën prej tyre. Këto gjendje janë; mirësia (نِعْمَةٌ) sprova (نِقْمَةٌ/إِبْتِلَاءٌ) mëkati (مَعْصِيَةٌ) ose bindja (طَاعَةٌ) ndaj Zotit. Për çdo situatë ka një përgjigje specifike, që nëqoftëse e japim si duhet, e kalojmë atë me sukses.

Në gjendjen e mirësisë (نِعْمَةٌ) njeriu duhet të jetë falënderues për to. Nëse falënderon, Zoti ia shton të mirat.

Në gjendjen e sprovës (إِبْتِلَاءٌ) njeriu duhet të bëjë durim. Nëse duron i falen gjynahet prej vështirësive dhe i lartësohen gradët.

Në gjendjen e mëkatit (مَعْصِيَةٌ), prej së cilës askush nuk mund të shpëtojë, njeriu duhet të kërkojë falje dhe të pendohet. Nëse pendohet sinqerisht, me përpjekjen për të mos u kthyer sërish me vetëdije tek i njëjti mëkat, Allahu ia pranon pendimin.

Në gjendjen e bindjes ndaj Zotit (طَاعَةٌ), njeriu duhet të tregohet modest dhe mirënjohës. Të bindet se është po Allahu ai që ia ka bërë të dashur besimin dhe ia ka mundësuar të bëjë punë të mira.

Kjo është e gjithë jeta njerëzore e përmbledhur në katër gjendje. Të kuptuarit e tyre dhe dhënia e përgjigjes së duhur për gjithësecilën, na e lehtëson shumë jetën dhe na mundëson kënaqësinë e Krijuesit.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: