Çfarë është përulësia?

Hushu, sipas fjalorit ka kuptimin e frikës, bindjes, përuljes, nënshtrimit. Në disa ajete kuranore fjala “hushu” kalon si përulje, e bindje. Në suren Ta-Ha thuhet: “Atë ditë, ata do të shkojnë pas thirrësit (Engjëllit Israfil që i fryn bririt të ringjalljes) pa iu shmangur dot atij dhe do t’i ulin zërat para të Gjithëmëshirshmit. Ti nuk do të dëgjosh tjetër, veç pëshpëritjes. (Surja Ta-Ha, 20/108)  Në këtë ajet, frika, bindja dhe qëndrimi i heshtur i njerëzve kundrejt madhështisë së Zotit në Ditën e Kiametit, janë shprehur pikërisht me termin “hushu”.

Në një ajet tjetër në Kur’an thuhet: “A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulenpara këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur e të mos bëhen si ata, që iu është dhënë Libri më parë?! Me kalimin e një kohe të gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë syresh janë të pabindur.” (Surja Hadid, 57/16)  Në këtë ajet, me përdorimin e shprehjes “zemrat e tyre të përulen”, kuptohet se koncepti “hushu” është përdorur drejtpërdrejt si një funksion i zemrës.

Nga kuptimi terminologjik, “hushu”  nga njëra anë paraqitet si ndjenja të zemrës, të tilla si drojë, frikë, nënshtrim dhe nga ana tjetër ajo paraqitet si veprime të organeve të tjera të tilla si të qëndruarit në heshtje, apo të qenët i qetë. Sipas kësaj, “hushu” është një bashkëveprim i dyanshëm zemër- trup, sepse manifestohet në zemër e reflektohet në trup.

Shpirti i namazit, është “hushu”-ja. Në Kur’an thuhet se Çelësi i shpëtimit për një person, është namazi i falur me “hushu”: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulurnë namazin e tyre…” (Surja Mu’minun, 23/1-2) Në këtë ajet fjala “hushu” ka kuptimin “të përulur”.

Por është fakt që shumë myslimanë, megjithë adhurimet e sinqerta e të vazhdueshme që dëshirojnë të bëjnë, mund të përjetojnë gjendjen e gafletit (shkujdesjes, pakujdesisë, hutimit) njerëzor dhe nuk mund të jenë gjithmonë të përqëndruar, të përkushtuar e të përulur në namazet e tyre. Lidhur me këtë është transmetuar nga Hz. Aliu se Profeti ynë (s.a.s) kur ishte në ruku lexonte du’anë: “Allahu im! Për Ty rashë në ruku, Ty të besova, Ty t’u dorëzova. Veshët, sytë, mendja, kockat e damarët e mi, janë të përulura ndaj Teje.

Në namaz “hushu” ka dy kuptime: “Të boshatisësh, të nxjerrësh jashtë” dhe “të mbushësh”  Kuptimin e parë “të boshatisësh, të nxjerrësh jashtë”, e merr nga fakti se kur është në namaz, njeriu duhet të pastrojë brendinë e tij, të shkulë nga zemra të gjitha ndjenjat e mendimet që nuk kanë lidhje me namazin, ta zbrazë zemrën nga të gjitha gjërat që mund të mërzisnin Allahun e që do ta mbanin atë larg mëshirës dhe mirësisë së Tij.

Ndërsa kuptimin e dytë “të mbushësh” e merr nga fakti se personi që përgatitet për të kryer faljen e namazit ai duhet ta zbukurojë e të mbushë zemrën, mendjen, ndjenjat dhe gjithë botën e tij të brendshme me qetësinë hyjnore dhe të vërtetat e namazit. Nëse njeriu nuk arrin pastrimin e zemrës nga të gjitha ndjenjat që e ndotin atë, atëherë ai nuk mund ta arrijë gradën e “hushu”-së, sepse emocionet e dikujt, ashtu si barërat e këqija, lidhen fort pas gjërave që kanë më afër, e me të cilat angazhohen. Është shumë e vështirë të dalësh para Zotit të Plotfuqishëm dhe të arrish gradën e “hushu”-së pa i hequr duart/kthetrat nga këto gjëra. Zemra është si një enë e madhe, të cilën nuk mund ta mbushësh dot me qumështin e paqes dhe të arrish gradën e “hushu”-së pa derdhur më parë dhallin e thartuar nga gjërat e kësaj dynjaje.

Të falurit e namazit me “hushu” do të thotë të arrish edhe të mbjellësh farat dhe të marrësh frutat brenda çdo namazi dhe kjo tregohet në ajetet e mëposhtme: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz! Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për të devotshmit, që janë të bindur se do të takojnë Zotin e tyre dhe se do të kthehen tek Ai.” (Surja Bekare, 2/45-46)

“Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulurnë namazin e tyre…” (Surja Mu’minun, 23/1-2)

Për arritjen e faljes së namazit me “hushu”, duhet arritur integriteti i trupit me shpirtin. Dhe për ta arritur këtë, është gjithmonë e nevojshme të bëhet parapërgatitje materiale dhe shpirtërore. Pikërisht, parapritja e namazit me pastrim dhe abdest ka një mirësi shumë të madhe. Kur marrim abdes, nga njëra anë, ndërsa jemi duke realizuar procesin e pastrimit material, ne jemi duke kryer edhe një pastrim shpirtëror, sepse po përgatisim mendjen, emocionet dhe gjithë botën tonë të brendshme, për të takuar Krijuesin.

 

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: