• August 4, 2020

Histori prekëse – Pazar me një këpucë…

Histori prekëse - Pazar me një këpucë...

Histori prekëse – Pazar me një këpucë…

Shitësi i këpucëve, duke radhitur këpucët në vitrinë vuri re një vogëlush që po e shikonte që nga rruga. Shkollat ishin duke u mbyllur dhe në dyqan kishin mbetur atleta me shumicë. Cilësia e mallit nuk ishte ndonjë luks i madh, por ishte mjaftueshëm për një dyqan të vogël si i tij. Duke parë që te vitrina shitësi po vendoste atletat më të bukura, vogëlushi u afrua edhe më shumë. Ai përdorte një patericë, madje nga ato të rëndat. Shitësi e pa dhe një herë me vëmendje vogëlushin. Këmbëza e majtë e pantallonave që kishte veshur ishte bosh nga gjuri e poshtë. Për këtë arsye lëkundej sa majtas, djathtas.

Këpucët e dyqanit e kishin mahnitur vogëlushin. Kishte disa minuta që po i shihte pa ia shqitur sytë. Kur e përmblodhi pak veten u kthye dhe filloi të largohej, kur në atë moment i thërret shitësi i këpucëve: “Vogëlush! A po mendoje të bleje këpucë? Këtë vit modelet janë shumë të bukura!”

Vogëlushi i tha: “Shumë të bukura janë vërtet! Por unë kam një këmbë mangut, problem që në lindje…”

Shitësi ia ktheu: “Për mendimin tim ky nuk është problem. Të gjithë njerëzit kanë mangësi në këtë botë, askush s’është perfekt! Dikujt i mungon një këmbë, dikujt i mungon një krah, dikujt i mungon truri e disa të tjerëve i mungon ndërgjegjja!” Vogëlushi po dëgjonte pa thënë asgjë. Shitësi vazhdoi të fliste: “Ah sikur në vend që të na mungonte ndërgjegjja, të na mungonte më mirë një këmbë!” Vogëlushit iu bë koka lëmsh. Këtë herë iu kthye shitësit duke thënë: “S’po kuptoj! Pse thua kështu?”

“Shumë e thjeshtë, -tha shitësi, “Nëse s’kemi ndërgjegje s’mund të hyjmë në Xhenet, ndërsa nëse s’kemi një këmbë apo një krahë, s’përbën problem, sepse në Xhenet do plotësohen të gjitha mangësitë! Madje njerëzit me mangësi trupore, atje do kenë përparësi dhe shpërblim më të madh…” Vogëlushi buzëqeshi i kënaqur. Të gjitha dhimbjet dhe mërzitjet që kishte ndjerë deri atë ditë sikur iu lehtësuan dhe e ndjeu veten më mirë.

Shitësi duke bërë me shenjë nga vitrina i tha: “Ato këpucët që po shihje të shkojnë shumë, a do që t’i provosh?” Vogëlushi duke përkulur kokën pa çmimin që ishte 30 lekë. “Për mua është e pamundur që t’i blej më këtë çmim”, tha me gjysmë zëri.

“Për ty do e sjell më herët sezonin e uljeve, pra nga 30 lekë shkojnë në 20 lekë. Ty vetëm një këpucë të duhet, kështu që çmimi përgjysmohet duke shkuar në 10 lekë.” Vogëlushi duke u menduar pak thotë: “Po nëse unë blej vetëm një këpucë, ty nuk të hyn aspak në punë këpuca tjetër. E kush do blente veç një këpucë?” Pazar me një këpucë

“Ama dhe ti e gjete tani, -tha me shaka shitësi. “Këpucën tjetër ia shes ndonjë fëmije tjetër, që i mungon këmba e djathtë”, shtoi ai. Vogëlushi pasi dëgjoi këto fjalë u lehtësua dhe e fjeti mendjen. Shitësi vazhdoi të fliste: “Për më tepër ti je edhe nxënës shkolle, apo jo?” “Jam në klasë të dytë dhe hidhem në të tretën”,-tha vogëlushi. “Epo shumë mirë atëherë, -tha shitësi.”Atëherë kjo do të thotë që çmimi do përgjysmohet, ngaqë je nxënës dhe këpuca jote shkon 5 lekë. E merr këpucën dhe kështu e mbyllim këtë punë.” Shitësi bashkë me vogëlushin që ishte ende i hutuar u futën në dyqan.

Raftet brenda ishin plot me këpucë të bukura si ato që pëlqeu vogëlushi, por shitësi mori pikërisht ato që pa vogëlushi te vitrina. E uli në kolltuk, i hoqi këpucën e vjetër, i veshi të renë dhe duke parë këpucën e vjetër i thotë: “Unë e bëra punën time si shitës! Tani është radha jote. Do isha shumë i lumtur nëse do ma shisje dhe ti këpucën tënde!” Vogëlushi i thotë duke qeshur: “Mos po tallesh? Ajo është e shpuar nga poshtë, e s’bën asnjë lek!” Pazar me një këpucë

“Aa sa mbrapa qënke me lajmet ti o vëlla!”-tha shitësi. “A s’ke dëgjuar ndonjëherë për sendet antike? Një send antik, sa më i vjetër të jetë aq me shumë kushton. Kështu që këpuca jote kushton rreth 30-40 lekë.” Vogëlushi tani ishte bërë lëmsh fare. S’po kuptonte asgjë. Duhej të ishte në ëndërr patjetër, s’kishte sesi të ishte ndryshe. Madje në ëndrrën më të bukur që kishte parë ndonjëherë në jetë. Duke parë në pëllëmbën e djersitur të shitësit 30 lekë letre, i ktheu 10 lekë duke thënë: “20 lekë janë mjaftueshëm për mua. Meqë nisët edhe sezonin e uljeve!”

Shitësi nuk ia prishi qejfin, i mori lekët dhe duke mos e përmbajtur më veten, e puthi në faqe vogëlushin. Edhe sikur të kishte shitur të gjithë mallin e dyqanit, nuk do mund të gjente një gëzim të tillë! Vogëlushi u ngrit ngadalë nga kolltuku, sikur të ishte i moshuar. Duke e falenderuar shitësin e këpucëve me një buzëqeshje shumë të ngrohtë tha: “Babai im paska pasur të drejtë! S’kam pse mërzitem aspak që jam sakat!”… Pazar me një këpucë

Postime të mëparshëm

Mos nënvleftëso asnjë vepër të mirë

Postime të rradhës

Imam Ebu Hanifja dhe komshiu i tij