Formimi moral, prijës i reformave shoqërore

Reformat shoqërore të shtruara nga Profeti Muhamed a.s. manifestohen në krejt përbërjen e edukimit islam. Ishte esenca dhe energjia e mësimeve islame, e legjislacionit të tij, që me frymë bindëse e paqësore, kjo fe i shtriu rrezet e saj prej Indonezisë deri në Spanjë. Është merita e këtij legjislacioni që ndërtoi dhe mbajti të gjallë burimin e pashtershëm të qytetërimit islam dhe e ngriti më lart se çdo pushtet përpara, duke e bërë Granadën qytetin mbretëreshë të njerëzimit, Bagdadin, krenari të Lindjes, Damaskun, perlë të shkretëtirës dhe Kordovën, lavdinë më të madhe të botës.

Islami na mëson se për të ngritur një popull e për ta lartësuar në pikëpamje shoqërore e moderne, në ekonomi e politikë, për ta bërë atë që t’i përvishet studimit të shkencës, të artit, të letërsisë e të filozofisë, së pari duhet të ngrihet moralisht, e pra duke e vlerësuar anën morale para se t’i vërë në lëvizje mënyrat e tjera të të menduarit e të vepruarit. Kështu pra, reformat e para shoqërore të Profetit ishin reformat morale. Në fakt, të gjitha mësimet e tij janë morale, të forta në pikëpamje etike dhe shpirtërore; ato janë bazat e krejt legjislacionit mbi të cilat duhet ndërtuar shoqëria.

Profeti Muhamed a.s. futi idealin e lartë të vëllazërimit fetar, duke e lidhur myslimanin me myslimanin nga një anë dhe myslimanin me bashkatdhetarin, pavarësisht nga bindjet e tij fetare e politike, nga ana tjetër, sepse ata janë vëllezër të vërtetë për kauzën e atdheut të përbashkët, pa të cilin nuk do të funksiononin as feja, as idetë e secilit prej tyre e nuk do të lejoheshin as mendimet politike. Në të njëjtën kohë ai futi vëllazërimin midis shteteve të ndryshme duke e kushtëzuar respektimin e sovranitetit të tyre e pa asnjë qëllim gllabërimi fizik a shpirtëror të atdheut, e pra lëshoi parullën: “Një Zot – një popull. Krijuesi dhe krijesat e Tij.”

Përhapja e Islamit dhe qëndrimi i tij ndaj besimeve të tjera është një nga anët më pozitive të historisë së tij e që i dha shkas të deklarohet “fe e tolerancës” për të gjithë. “Detyra jote është të predikosh”, është urdhri i Zotit drejtuar Profetit. “Të mos përdoret asnjë formë detyrimi për t’i larguar njerëzit nga bindjet e tyre fetare e mendore”, është urdhri tjetër hyjnor. Për myslimanin është e huaj teoria sipas së cilës një standard moralesh ka individi, e një tjetër shteti. Shteti duhet gjykuar me të njëjtin metër, siç gjykohen veprat e sjelljet e individit.

Është meritë e Islamit që solli një sistem qeverisjeje me të cilin padrejtësia duhet të denoncohet e të dënohet, qoftë nga drejtuesit e shtetit apo nënshtetasit, nga të pasurit apo të varfrit, nga ata me pozita të larta apo nga populli i thjeshtë.

Ne shkojmë drejt Evropës e vendeve të tjera të qytetëruara duke ruajtur moralin islam e traditat kombëtare, pasi me to i shërbejmë më mirë qëllimit për të cilin punojmë e nuk duhet të shkrihemi krejtësisht me ta për t’i bërë qejfin këtij apo atij shteti. S’ka shtet në Evropë që të mirëpresë njerëz e popull të paformuar e të pabrumosur me morale të shëndosha, pse nuk do në gjirin e tij të mbjellë farën e shthurjes e të egërsisë.

Historikisht e dimë se popujt arabë, të pajisur me moralin islam, e ndriçuan Evropën 5 shekuj më radhë (7-12) në një kohë kur obskurantizmi mesjetar i kishte kapërthyer ato nga çdo anë. Në Evropë dikur mësoheshin degët e ndryshme të kulturës nëpërmjet gjuhës arabe. Vetë Rilindja, që e zgjoi atë nga letargjia e saj shekullore, mbi në marrëdhënie me kulturën islame. Sikur arabët të mos kishin shkuar në Spanjë, kushedi edhe sa shekuj do të flinte Evropa në kushtet e saj të egërsisë e të injorancës. Madje nuk ka ndonjë reformë fetare e morale, shoqërore e politike prej kohës së Martin Luterit e deri te K. Lineu, që të mos mbajë vulën e influencës islame (Europa Debt to Islam – by Constav Diornise).

Mpirja e mëvonshme intelektuale në fusha të ndryshme të botës myslimane ishte rrjedhojë, kryesisht e disa rrethanave shtrënguese në interpretimin e Islamit e në asnjë mënyrë të shterpëzimit të parimeve bazë të tij.

Postime të ngashme