Fjala e Allahut është më e shtrenjtë se floriri dhe më e ëmbël se mjalti
Një i moshuar shumë i pasur të cilit sapo i kishte vdekur e shoqja ftoi të gjithë punonjësit e tij për darkë. Ai vendosi mbi tavolinë nga një Kur’an dhe nga një zarf me para për secilin prej tyre. Kur mbaruan darkën, ai u kërkoi të zgjidhnin ose Kur’anin ose paratë e vendosura pranë Kur’anit.
Filloi me rojën i cili ishte më i vjetri: “Zgjidh, kë do marrësh? Roja u përgjigj pa hezitim dhe pa pikën e turpit: “Do të doja të kisha zgjedhur Kur’anin por unë nuk di të lexoj mirë kështuqë më mirë po marr zarfin me para sepse mendoj se këto do të jenë më të dobishme për mua.
Pastaj i tha përgjegjësit të fermës: “Zgjidh, kë do marrësh?” Përgjegjësi tha: “Gruaja ime është shumë e sëmurë më duhen para për ta trajtuar në spital. Nëse nuk do të kisha një justifikim të tillë, do të zgjidhja Kur’anin por tani më shumë më duhen paratë prandaj po zgjedh zarfin me para.
Pastaj e pyeti kuzhinierin nëse donte të zgjidhte Kur’anin apo paratë… Kuzhinieri iu përgjigj: “Më pëlqen të lexoj, por nuk kam kohë të lexoj ndërsa punoj, ndaj zgjedh paratë.”
Në rradhën e fundit ishte një djalë i ri që punonte si kujdestar për kafshët shtëpiake dhe për mirmbajtjen e shtëpisë, i cili ishte shumë i varfër dhe kishte nënën të sëmurë në shtëpi. Plaku i tha djalit: “Jam i sigurt që do të marrësh paratë, për të blerë ushqime, ilaçe për nënën e pse jo edhe ndonjë rrobë për vete.” Djali u përgjigj: “Po e vërtetë, është punë e vështirë për mua të blej ushqime, ilaçe për nënën e shumë gjëra të tjera që kam nevojë për to por unë do të zgjedh Kur’anin sepse nëna ime më thotë shpeshherë: “Fjala e Allahut është më e shtrenjtë se floriri dhe më e ëmbël se mjalti, prandaj po zgjedh Kur’anin. Plakut i qeshi fytyra por nuk foli asnjë fjalë.
Mbaroi darka, të gjithë u shpërndanë dhe u kthyen nëpër shtëpitë e tyre të kënaqur me zgjedhjet e tyre. Djali pasi vajti në shtëpi, i tregoi nënës për darkën dhe zgjedhjen që kishte bërë në bazë të fjalëve të saj. Nëna u kënaq shumë me këtë gjest që kishte bërë djali i saj dhe me fytyrën e qeshur i thotë djalit: “Biri im, hape dhe na lexo diçka nga Kur’ani sepse mendoj se do të na qetësojë fjala e Zotit të dyve, ajo është shërim dhe mëshirë për të dy botët. Kur e hapi djali Kur’anin, gjeti dy zarfe brenda. Një nga zarfet përmbante dhjetëfishin e sasisë së zarfeve që kishin zgjedhur shokët e tij.
Ndërsa brenda zarfit të dytë ishte një testament që tregonte se djali do të ishte trashëgimtari i gjithë pasurisë së plakut. Të nesërmen djali i habitur i tha plakut se çfarë kishte gjetur në Kur’an. Plaku u tha të gjithëve: “Kushdo që e mban besimin tek Zoti më lart se çdo gjë, Zoti nuk do t’ia humbasë atij kurrë atë besim dhe nuk do t’a lë në rrugë asnjëherë. Allahu xh.sh është furnizues pa llogari.”