Familja në Kuran
Në librin tonë të shenjtë, gjejmë një xhuz (pjesë) të plotë që flet mbi familjen dhe marrëdhëniet brenda këtij institucioni të shenjtë. Ky xhuz, mes hafizëve të Kuranit njihet me emrin: “Kad Semia”, për shkak se fjalët e para të këtij xhuzi fillojnë me: “”Kad semia”.
Ajeti i parë i këtij xhuzi dhe i sures Muxhadele, është: “Allahu i ka dëgjuar fjalët e asaj, që diskutoi me ty për burrin e vet dhe iu ankua Atij. Allahu e dëgjoi bisedën tuaj, sepse Ai dëgjon dhe sheh gjithçka.” (Muxhadile, 1)
Dije se gjithçka që vepron dhe flet në shtëpinë tënde, dëgjohet dhe vëzhgohet prej Zotit të lartësuar. Kjo sure trajton një problem familjar, ku manifestohet qartë mbikëqyrja hyjnore.
Nëse do të tradhtosh bashkëshortin/bashkëshorten, dije se Zoti të sheh dhe të dëgjon. Nëse i shkel syrin vëllait apo motrës për të ironizuar njërin nga familjarët apo prindërit, dije se Zoti të sheh dhe të dëgjon. Nëse nëna të telefonon me dhjetëra herë e ti nuk ia hap, pasi kërkon të argëtohesh me shoqërinë, dije se Zoti të sheh e të dëgjon. Nëse do e shani njëri – tjetrin nga prindërit dijeni se Zoti u sheh dhe u dëgjon.
Ajeti i mësipërm na bën thirrje që devotshmërinë ta instalojmë pikësëpari në familjet dhe shtëpitë tona.
Kushdo që lexon Kuranin, vëren se shpesh herë, devotshmëria lidhet ngushtë me marrëdhëniet familjare. Kjo, sepse njeriu mund të maskohet dhe të hiqet si dikush tjetër para njerëzve të tjerë, por në familjen e tij këtë nuk e bën dot. Herët a vonë, në familje do i bjerë maska.
Një sociolog amerikan, ka pranuar islamin thjesht nga fjalët vlerësuese të grave të Profetit a.s për të. Lidhur me këtë, ai thotë: “Një njeri që thotë: “Profeti Muhamed a.s thotë: “Kushdo që shpif rreth meje, ka përgatitur vendin e tij në zjarr.” Pra, ai bën thirrje për të thënë të vërtetën. Ai ishte martuar me nëntë gra dhe secila prej tyre ka thënë fjalët më vlerësuese për profetin Muhamed. Asnjëra prej tyre nuk përmendi diçka që cënonte figurën e pastër të tij. Të gjitha gratë e tij, e shihnin si një kolos të madh. Gruaja e tij e parë, Hadixhja i pati thënë natën e parë kur iu shfaq Xhibrili a.s: “Jo për Zotin, kurrsesi nuk të braktis Zoti ty. Ti shkon mirë me familjarët, respekton mikun, ndihmon hallexhinjtë…” Kur lexova vlerësimet e tyre për profetin Muhamed a.s. me vete thashë: “Ky burrë është i dërguari i Zotit.”
Nëse dëshiron ta njohësh tjetrin sa i devotshëm është, shih se ç’marrëdhënie ka ndërtuar me familjarët.
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” (Nisa,1)
Ruajtja e lidhjeve farefisnore vjen menjëherë pas thirrjes për devotshmëri ndaj Zotit të lartësuar. Vendi ku manifestohet më shumë devotshmëria ndaj Zotit, është familja.
Surja Talak përbëhet vetëm nga dymbëdhjetë ajete, megjithatë devotshmëria përmendet katër herë. Me këtë, sikur Zoti na thotë: Nëse do të jeni të devotshëm në familjet dhe shtëpitë tuaja, do të minimizohet fenomeni i divorcit. Po ashtu, nëse do jeni të devotshëm ndaj Zotit edhe pas divorcit, dëmet e këtij të fundit do të jenë minimale.
Po në suren Talak, Zoti bën katër premtime për atë që tregohet i devotshëm.
“Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i japë rrugëdalje (nga çdo vështirësi)” (Talak, 2)
“Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjen.” (Talak, 4)
“Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia shlyejë veprat e këqija dhe do t’ia rrisë shpërblimin.” (Talak, 5)