Engjëjt që përmenden në Kur’an

Allahu i Lartësuar më shumë se çdo krijesë i ka krijuar melekët. Numri i tyre nuk dihet, por është më i madh se numri i çdo krijese tjetër në univers. Në Kur’an nuk për­menden emrat e të gjithë melekëve, por emrat dhe detyrat e disave prej tyre.

a) Melekët e mëdhenj
  1. Xhibrili: Njihet edhe si “Meleku i Shpalljes”. Ishte i ngarkuar për sjelljen e Shpalljes (Vahjit) për të gjithë Pejgamberët si edhe për Pejgamberin tonë, Muhamedin a.s. Është meleku që ua çon Pejgamberëve urdhrat dhe ndalimet e marra prej Allahut xh.sh.
  2. Mikaili: Është meleku që i organizon dukuritë të cilat ndodhin në natyrë: reshjet, fryrjen e erës, krijimin e stinëve dhe furnizimin e njerëzve.
  3. Israfili: Është meleku, i cili në Ditën e Kiametit, do t’i fryjë “Bririt “(Surit), duke lajmëruar se ka marrë fund jeta e kësaj bote dhe se ka filluar jeta tjetër.
  4. Azraili: Quhet ndryshe edhe si “Meleku i vdekjes”. Ndan nga trupi shpirtrat e njerëzve, të cilëve u ka ardhur vdekja.
b) Melekët e tjerë që përmenden në Kur’an
  1. Melekët shkrues (kiramen katibin): Janë dy melekë që ndodhen gjithmonë pranë njeriut. Njëri i shkruan punët e mira që bëjmë, tjetri të këqijat. Gjithashtu, këta melekë, në Ditën e Kiametit, gjatë llogaridhënies, do të dëshmojnë për punët e bëra nga njerëzit në këtë botë.
  2. Melekët hetues (Munker dhe Nekir): Këta marrin në pyet­je çdo njeri pasi futet në varr, për besimin dhe punët e bëra në këtë botë.
  3. Melekët mbrojtës: Me leje të Allahut, e ruajnë njeriun nga aksidentet dhe ngatërresat.

Allahu xh.sh. e mbron njeriun drejtpërdrejt, por mund t’i ngarkojë edhe melekët që ta mbrojnë. Kjo varet nga dëshira e Allahut xh.sh. Ndodh shpesh, sidomos te fëmijët, që t’u ndodhin aksidente me pasoja fatale, por që çuditërisht nuk pësojnë asgjë. Lidhja shpirtërore me melekët varet nga sjelljet dhe punët e mira që njerëzit kryejnë.

Kur’ani na bën të ditur se melekët i duan besimtarët dhe u ndihmojnë atyre në çastet e vdekjes, kur janë duke u ndarë nga jeta, dhe pas vdekjes.

Postime të ngashme